Lajme

Çka duhet të dini për ligjin e ri të emigracionit të punëtorëve të kualifikuar në Gjermani?

Bundestagu gjerman ka miratuar një reformë të imigracionit, duke e sjellë ligjin e ri një hap më afër realitetit.

Ligji duhet të kalojë ende në Bundesrat përpara se të hyjë në fuqi, shkruan The Local.

Ligji u hartua duke pasur parasysh mungesën e punëtorëve

Një raport nga Instituti i Ekonomisë Gjermane (IW) i publikuar në prill, tha se punëdhënësit vitin e kaluar nuk ishin në gjendje të plotësonin rreth 630,000 vende të lira pune në industritë e tyre.

Kreu i Agjencisë Federale të Punësimit të Gjermanisë ka thënë më parë se Gjermanisë do t’i duhen 400,000 punëtorë të kualifikuar nga jashtë çdo vit për të mbushur hendekun, përcjell albinfo.ch.

Ligji synon ta bëjë Gjermaninë një destinacion kyç për punëtorët e kualifikuar.

Kjo përfshin lehtësimin e burokracisë së Gjermanisë, zgjerimin e mundësive për punëtorët e kualifikuar si dhe bërjen e vendit më mikpritës për të huajt.

Më shumë njerëz do të mund të marrin një kartë blu të BE-së

Një pikë kyçe e ligjit të ri të punëtorëve të kualifikuar është se kërkesat e pagave për marrjen e një karte blu, e cila ofrohet në Gjermani për banorët jo-BE me një diplomë universitare që nga viti 2012, do të ulen.

Pragu i pagës për marrjen e një pune në Gjermani do të ulet në 43,800 € bruto (para taksave) në vit, që do të ishte 3,650 € bruto në muaj. Kjo është më pak nga një prag prej 58,400 € në vit bruto (afërsisht 4,860 € në muaj), shkruan The Local.

Mbajtësit e kartës blu do ta kenë gjithashtu më të lehtë të ndryshojnë punëdhënës, të sjellin familjet e tyre në Gjermani dhe të marrin leje për qëndrim të përhershëm në BE.

Një vizë e re pikësh po lansohet

Si pjesë e reformës, Gjermania planifikon të prezantojë një vizë të re për punëkërkuesit e quajtur “Opportunity Card”, ose Chancenkarte.

Kjo do t’u mundësojë njerëzve që kërkojnë punë të vijnë në Gjermani dhe të kërkojnë punë për një vit me kusht që të sigurohet jetesa.

Pikët do të jepen në bazë të faktorëve si kualifikimet, njohja e gjuhës gjermane, mosha dhe lidhja me Gjermaninë. Për të hyrë në vend me Chancenkarte, migrantët duhet të shënojnë të paktën gjashtë nga një maksimum prej 10 pikësh, përcjell albinfo.ch.

Planet janë për të ulur kërkesat minimale për aftësitë e gjuhës gjermane, niveli që ju duhet për të qenë i përshtatshëm për të aplikuar për kartën, nga niveli A2 në A1. Të kesh anglisht të nivelit B2 është një tjetër rrugë e mundshme.

Një tjetër shtesë e re në ligj është se karta mund të zgjatet deri në dy vjet nëse aplikantët mund të paraqesin një kontratë pune për punësim të kualifikuar dhe Agjencia Federale e Punësimit pajtohet.

Nëse gjithçka shkon sipas planit, kjo vizë do të jetë e disponueshme në gjysmën e parë të vitit 2024.

Më pak pengesa në përgjithësi për punëtorët jashtë BE-së

Punëtorët e kualifikuar do të kenë mundësinë të fillojnë punë në Gjermani edhe në kohën kur kualifikimet e tyre janë duke u certifikuar, jo vetëm në profesionin e zgjedhur por edhe në profesione të tjera të ngjashme.

Për më tepër, reforma lejon punëtorët e kualifikuar të marrin një leje të përhershme vendbanimi (Niederlassungserlaubnis) pas tre vjetësh në vend të kërkesës së mëparshme prej katër vjetësh.

Sipas legjislacionit të ri, punëtorët e kualifikuar do të mund të vijnë në Gjermani me dy vjet përvojë profesionale dhe dy vjet përvojë arsimore, përcjell albinfo.ch.

Do të ndryshohet edhe ligji i vendbanimit.

Ribashkimi familjar duhet të zgjerohet

Në kuadër të reformës do të zgjerohen mundësitë për bashkim familjar. Kjo do të thotë se jo vetëm bashkëshorti dhe fëmijët e dikujt do të mund të bashkohen me ta në Gjermani në të ardhmen, por edhe prindërit dhe vjehrri, shkruan The Local.

Mundësi punësimi për azilkërkuesit

Sipas ndryshimeve, azilkërkuesit, procedurat e të cilëve tashmë janë duke u zhvilluar, do të kenë mundësinë të fillojnë trajnimin profesional ose të marrin një punë.

Megjithatë, ky “ndërrim korsie” do të jetë i mundur vetëm në mënyrë retroaktive dhe jo për azilkërkuesit e rinj, në mënyrë që të mos krijohen “stimuj të rremë” për migrim, thotë qeveria. Data e fundit është azilkërkuesit që kanë qenë në Gjermani para 29 marsit 2023, përcjell albinfo.ch.

Kjo është reforma e dytë e punëtorëve të kualifikuar në Gjermani gjatë viteve të fundit

Në vitin 2020, Gjermania lançoi Fachkräfteeinwanderungsgesetz ose Aktin e Imigrimit të kualifikuar në një përpjekje për të tërhequr më shumë emigracion nga jashtë.