Muzikë

“Çika e Tropojës”, prej 21 vitesh soprano në teatrin e St. Gallenit 

Fiqerete Ymeraj-Haziri prej më shumë se 20 vitesh vendin e punës e ka në “Konzert und Teater St. Gallen”, si soprano në trupën e operës të këtij teatri 

Shfaqja e parë tregoi se kishte nje interesim të madh për ta ndjekur koncertin. Teatri i St. Gallenit po e niste vitin me “Der Ring des Nibelungen”, që është një cikël operistik me katër pjesë nga Richard Wagner, për të cilin ai shkroi tekstin, kompozoi muzikën dhe dha udhëzime të detajuara skenike.  

Albinfo.ch ka ndjekur shfaqjen dhe në fund ka intervistuar këngëtaren lirike, pjesë e shfaqjes, Fiqerete Ymeraj-Haziri. 

“Salla me 891 vende ishte përplot dhe kishte edhe njerëz që rrinin në kembë. Ka këngëtarë special që këndojnë veprat e këtij Kompozitori, dhe unë e ndiej veten të priviligjuar që mu besua roli i Woglindes në këtë projekt”, thotë për albinfo.ch Fiqerete Ymeraj-Haziri. 

Teatri i St. Gallenit, ka tre divizione dhe sjell mbi 20 produksione të reja çdo sezon. Më shumë se 250 punonjës të përhershëm punojnë në “Konzert und Teater St. Gallen”, nga këngëtarët e deri tek kontrabasistët, nga marangozët e deri tek stafi administrativ.  

Pjesë e rregullt e teatrit që ndiqet nga mbi 150 mijë shikues nga e gjithë zona e Liqenit të Konstancës në rreth 470 shfaqje, është tropojanja Fiqerete Ymeraj-Haziri. Ajo ka mbi 30 vjet që performon në skenë, pjesën më të madhe të karrierës e ka zhvilluar në teatrin e St. Gallenit. 

“Unë kam 21 vite që performoj përpara publikut të St. Gallenit dhe ndihem shumë e përmbushur nga duartrokitjet e një publiku me kulturë dhe shumë artdashës. Udhëtimi im 30-vjeçar në aspektin profesional i ka rrënjët e thella pikërisht tek formimi shkollor në Shqipëri dhe artistikisht u realizova në skenë falë një disipline dhe pune të vazhdueshme”, tregon Ymeraj.   

 Dëshira për t`i parë shqiptarët, spektatorë të operës 

 Repertori im është mjaft i larmishëm, me kompozitorë te ndryshëm por deri tani nuk kisha kënduar në ndonjë vepër të Wagner-it. Në të tri shfaqjet e janarit pjesëmarrja e publikut ishte e jashtëzakonshme.  

“Do të dëshëroja shumë që të kishim pjesëmarrjen edhe të komunitetit shqiptar si spektatorë por fatkeqësisht mund të them që sado jam përpjekur, janë të paktë në numër. 

E kuptoj që muzika klasike nuk mund të jetë e kuptueshme për të gjithë masat por në këtë institucion ka edhe musical (mjuzikël), kërcim dhe teatër”, shprehet Ymeraj. 

“Mendoj që rinisë i takon të kapërcejë atë derë dhe të bëhet më e pranishme në këto lloj aktivitetesh. Ne jemi një popull që përqafojmë dhe dimë të marrim e të manifestojmë të mirën, të bukurën, artin dhe kulturën, jemi një popull i bukur në shpirt dhe shumë zemërbardhë”. 

E pyesim se sa shfaqja ka pasur deri më sot dhe a do të mund të veçonte disa si më mbresëlënëse. 

Për të, të gjitha shfaqjet kanë rëndësinë dhe emocionin e spektaklit që është përçuar direkt tek publiku. “Mund të veçoj nga ana emocionale që janë përjetuar ndryshe momentet ku kam pasur prindërit në sallën e spektatorit si mysafirë dhe kam kënduar para tyre. Ishte magjike ndjenja në ato momente. Gjithashtu kur fëmijët e mi kanë qenë pjesëmarrës në skenën ku unë këndoja ishte një ndjenjë e papërshkrueshme”.  

“Në shfaqjet kur kam kënduar si Lisa tek “La Sonnambula” e V. Bellini, pastaj në rolin e Gianettes në “Lèlisir dàmore” të Gaetano Donizetti kisha në sallë si të ftuar speciale mësuesen time që shpesh herë më ka ndjekur në debutimet e mia. Përsëri mund të nënvizoj një shfaqje ku kam kënduar bashkërisht me baritonin e famshëm dhe shumë të talentuar shqiptar Gëzim Mushketa në rolin e Eskamillo dhe unë në rolin e Frasquitës në Operën “Carmen”. Ishte kënaqësi të ishin në skenë dy shqiptarë që këndonin frëngjisht për të treguar me të kënduar një histori botërore të njohur siç është opera “Carmen” e Georges Bizets”, tregon Ymeraj-Haziri. 

 Si filloi rruga artistike e Fiqeretes  

 Unë jam lindur dhe rritur në Tropojë, në vitin 1970. Kam kaluar një fëmijëri aq të bukur që sot shpeshherë i kthehem nga malli, dhe mendoj që pikërisht aty filloi kënga duke u bërë motiv për një të ardhmen time. Shkollën tetë-vjeçare e kam kryer në vendlindje ku gjatë kësaj periudhe jam aktivizuar si fillim në aktivitetet shkollore me këngë dhe recitime.  

Pikërisht aty u dallua talenti im dhe me pjesëmarrjen në festivalet e fëmijëve dhe festat e vitit ku asnjëherë pjesmarrja ime nuk mungonte u pa e nevojshme që unë të zhvillohesha dhe të rritesha artistikisht kështu që duhet të ndiqja një shkolle muzike. Falë prindërve që më plotësuan kushtet dhe më ndoqën ëndrrat e mia, jam këtu ku ndodhem sot dhe u jam shumë falënderuese në çdo aspekt dhe këndvështrim. Babai im ishte ushtarak dhe arriti të na edukonte me dashurinë për familjen, punën, shoqërinë dhe stdheun. Nëna ime ishte kuzhinjere dhe na brumosi urtësinë, qetësinë, pastërtinë dhe paqen me veten. Ishim 8 fëmijë dhe kushtet si na kanë rritur ata ne sot i kuptojmë pasi jemi bërë prindër vetë. U jam mirënjohëse për jetë të jetëve, falë tyre unë jam këtu ku jam sot. 

Ne vititn 1984 fitova me anë të një konkursi mundësinë të bëhesha nxënëse e shkollës artistike “Prenk Jakova“ në Shkoder. Shkodra, një vend i muzikës dhe kulturës, më dha mundësinë të mbaroja këtë shkollë dhe të isha pjesë e koncerteve të ndryshme dhe të bukura pranë Teatrit “Migjeni“. 

 Titulli “Soprano” në Tiranë, fillimet në Itali e Gjermani dhe “stacioni i fundit”, në Zvicër 

 Po ecja drejt ëndrrave të mia që t`i bëja realitet dhe kur fitova konkursin në Konservatorin e Tiranës unë realizova qëllimin tim. Në vitin 1989 – 1993 përfundova Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë ku u diplomova me titullin „Këngëtare Soprano”. Pikërisht në ato vite kur vendi bëri ndryshime rrënjësore në çdo sferë, u krijua një atmosferë e trishtuar dhe e zymtë. Po vija re që artistët, këngëtarët, balerinët, instumentistët po largoheshin nga vendi. Atdheu ynë po përjetonte një anarki të paparë në çdo këndvështrim. U largova edhe unë si fillim me bashkëshortin tim në Itali. Aty mësova gjuhën italiane e cila me shërbeu për profesionin tim pasi shumica e veprave klasike janë të shkruara në italisht. Gjatë qëndrimit tim 3 vjeçar në Itali fitova dy konkurse ndërkombëtare: më 1994 dhe 1995 “Giuseppe Di Stefano” në Trapani Sicili (Itali). Në vitin 1996 kalova me studime në Hochschule für Musik në kryeqytetin e bukur të Bavarisë, në München (Gjermani). Duke u specializuar në drejtimin e Opernstudium realizova me sukses ne Prinzregententheater rolin e Anna “Die lustigen Weibern von Windsor“ Otto Nicolai Siss “Albert Herring“ Beniamins Brittens Papagena “Die Zauberflöte“ Mozart.  

Pas përfundimit të shkollës duhej ta lëshoja Gjermaninë edhe pse fitova vende pune pasi ne që vinim nga Shqipëria asaj kohe ishim të renditura ndër vendet e treta ku nuk kishim pothuaj asnjë të drejtë. U lajmërova dhe prezantova CV time në Opernhaus Zürich dhe Koncert und Theater St.Gallen.  

 

Në të njëjtin institucion me bashkëshortin 

Në St. Gallen fitova vendin e punës. Bashkë me mua në këtë institucion punon edhe bashkëshorti im Shemsi Haziri si teknik skene dhe jemi gjithë këto vite që funksionojmë bukur pasi respektojmë punën si parim dhe familjen e lëmë jashtë dyerve të teatrit. Në momentin që kapercejmë pragun e punës i kthehemi familjes me përkushtimin më të devotshem. Dy fëmijët tanë janë: Aurora, që studion në Gestalterische Schule në Zürich (i bie Flautit dhe luan në Piano) dhe Erioni që studion në WISS Informatik Schule në St.Gallen dhe luan instrumentin e kitarës.