Lajme

Çdo familje në kredi!

Në bankat kosovare janë të regjistruara mbi 413 mijë kredi aktive që i bije se secila familja në Kosovë është në kredi. Rritja e pagave konsiderohet si lehtësim për kreditë

Zyrtarët e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) thonë se në bankat komerciale të Kosovës janë të regjistruara mbi 413 mijë kredi aktive, sipas të cilave statistika del se pothuajse çdo familje kosovare ka kredi në banka. Shuma e këtyre kredive tejkalon  vlerën 560 milionë euro.

“Ekonomitë familjare i kanë të regjistruara kredi në vlerë prej 563.9 milionë euro deri në fund të dhjetorit 2013”, ka deklaruar zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada, sipas të cilit, këtu bëjnë pjesë të gjitha llojet e produktet e kredive, si kreditë konsumuese, kredit kartelat, mbitërheqjet, lizingu, garancionet,e tj.

Sipas ekspertëve të ekonomisë, këto kredi mund të kalohen me lehtë pas vendimit të Kryeministri, Hashim Thaçi për rritjen e pagave prej 25 për qind. Sipas Thaçit nga kjo përqindje do të përfitojnë 240 mijë familje kosovare.

Ibrahim Rexhepi, njohës i çështjeve ekonomike, ka vlerësuar se rritja e pagave e rrit kthimin e kredisë, apo siç ka thënë ai, e bën më të lehtë kthimin e kredive, mirëpo, sipas tij, kjo nuk do të mund të ndodhë në ato familje që nuk janë të prekur nga ky 25 përqindësh i rritjes së pagave.

Mirëpo se sa do të ndikojë zvogëlimi i kredimarrjeve pastë rritjes së pagave, sipas Rexhepit, nuk pritet të ketë ndonjë rënieje, po rritje të kredive familjare ngase kjo krejt varet prej kushteve për kreditim që ofrojnë bankat.

Musa Limani, ekspert i ekonomisë, ka thënë për “Zërin” se rritja e pagave për 25 për qind e rrit pagën nominale.

Sipas tij, në bazë të inflacionit që ka qenë deri më tani, as përafërsisht nuk e mbulon, nuk e rrit pagën reale në krahasim me inflacionin. Ai thotë se me rritjen e pagave do të rritet vetëm fuqia blerëse. “Do të rritet fuqia blerëse me një rritje të tillë të pagave prej 25 për qind”, ka thënë ai.

Limani ka shtuar se rritja e pagave nuk është dashur të ndodhë në mënyre lineare, por në mënyrë diferenciale, pasi që, siç ka thënë ai, është dashur që atyre që marrin pagë 2 mijë euro të përfitojnë ngritje të të vogël të pagës, ndërsa rritja më e madhe të ndodhë tek pagat më të ulëta.

Gjithashtu, Limani ka shprehur shqetësimin e tij se rritja e pagave mund të përcillet edhe me rritje të çmimeve të konsumit.

“Rritja e pagave do të ndikojë edhe në rritjen e çmimeve të ushqimit. Kjo gjë do të rëndojë edhe më tepër buxhetin e atyre, të cilët nuk përfituan nga rritja e pagave, sepse në sektorin privat nuk ka rritje të pagave, prandaj, do të bëhet edhe më keq për ato familje”, ka thënë ai.