Lajme

Burokracia gjermane vështirëson shkuarjen e punëtorëve

Harshad Dev, qytetar nga India, ka marrë vizën për në Gjermani në vitin 2018, por u përball me procedura të shumta.

Fillimisht do të duhej të bënte njohjen e diplomës për informatikë, në mënyrë që t’i lejohej të shkonte në Gjermani të punonte. Pastaj, iu desh të siguronte një vërtetim që punëdhënësi i tij do ta merrte në punë si qytetar nga një vend jashtë BE.

Por më e vështirë ishte marrja e një orari për një intervistë për të bërë aplikimin për vizë në ambasadën gjermane në Nju Delhi, shkruan DW.

“Nuk kishte orare të lira për muaj me radhë. Pas disa javësh arrita ta marr një orar, sepse dikush kishte refuzuar papritur. Në Berlin kishte shumë punë për njerëz si unë në sektorin e IT-së”. thotë Harshadi.

Mungesa e fuqisë punëtore është një nga sfidat më të mëdha për ekonominë gjermane.

“Ne presim që në Gjermani do të mbeten të zbrazëta rreth dy milionë vende pune”, ka thënë kreu i Dhomës Gjermane të Tregtisë dhe Industrisë, DIHK, Achim Dercks.

“Kjo i përket një vëllimi prej 100 miliardë eurosh në potencialin për krijimin e vlerës së punës”, tha ai tutje, përcjell albinfo.ch.

Edhe ministri gjerman i Punës, Hubertus Heil, e quan të nevojshme tërheqjen masive të fuqisë së kualifikuar punëtore nga jashtë BE në vitet e ardhshme. “Ne kemi nevojë deri në vitin 2035 për rreth shtatë milionë forca të kualifikuara punëtore shtesë,” ka thënë Heil, shkruan DW.

Sipas Agjencisë Federale të Punës aktualisht ka 100 vende të lira për 33 punonjës të kualifikuar të kujdestarisë shëndetësore. Kemi të bëjmë me një mungesë të dukshme të infermierëve, sipas Agjencisë Federale. Krahas Indisë, edhe Indonezia, Meksika, Kolumbia, Vietnami, Filipinet, Maroku, Tunizia, Egjipti si edhe Brazili janë vendet kryesore në fokus të Gjermanisë për tërheqjen e fuqisë punëtore.

Por kjo nuk ndihmon aspak, nëse nuk lehtësohen procedurat e marrjes së vizës, thonë shumë politikanë gjermanë, përcjell albinfo.ch.

Frank Müller-Rosentritt (FDP) është zëvendësdrejtues i grupit parlametar Gjermani-Indi në Bundestag. Gjermania perceptohet në Indi si “vend i progresit dhe mirëqenies”, thotë ai.

“Por ndërkohë ëndrrat për Gjermaninë plasin si flluskë sapuni në momentin kur studentët nga India vijnë në kontakt me autoritetet gjermane”, thotë ai për gazetën gjermane. “Welt”. Ata konfrontohen me procese analoge, bëjnë kërkesa dhe presin shumë muaj për një përgjigje, thekson Müller-Rosentritt, dhe kërkon përshpejtimin e procedurave.

Ndryshe Gjermania do të humbasë në konkurrencën botërore për tërheqjen e talenteve dhe studentëve në degë të caktuara, shkruan DW.