Lajme

Brengosëse, mungojnë investimet e huaja

Qeveria kosovare duhet të gjejë një zgjidhje, pas klimës së keqe të bërjes biznes dhe bilancit negativ në tërheqjen e investimeve të huaja

Asnjë institucion qeveritar nuk është treguar i aftë që të gjejë ilaçin e përmirësimit të radhitjes që del nga raporti i Bankës Botërore, në të cilin Kosova radhitet nga fundi.

Po ashtu dështime janë shënuar edhe në aspektin e tërheqjes së investimeve të jashtme. Në fillim të janarit, Qeveria ka shpallur shprehjen e interesit për të kontraktuar një kompani private, e cila do të merret me hartimin e një plani strategjik të sektorëve më të lakmueshëm dhe që ofrojnë potenciale të kërkuara nga investitorët e jashtëm, shkruan Koha Ditore.

Dokumenti për shprehjen e interesit që është shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit Publik në emër të Qeverisë, nxjerr në pah kërkesën reale qeveritare për kontraktimin e kompanisë konsulente.

Sipas dokumentit, Qeveria është duke kërkuar një kompani konsulente për përgatitjen e një plani të plotë për zhvillimin e sektorit ekonomik, i cili plan do të përdoret si udhëzues për tërheqjen e kompanive të fuqishme ndërkombëtare.

Qëllimi i shprehjes së interesit gjithashtu është që nëpërmjet të njëjtit plan të futë Kosovën si vend me potenciale të mirëfillta investuese si për kompanitë e tregut të jashtëm, ashtu edhe për ato vendëse.

“Qëllimi kryesor i kësaj detyre është i dyfishtë: një për të siguruar një analizë solide të sektorit dhe konkurrencën e saj, duke përfshirë rekomandimet e politikave se si të përmirësohet dhe të rritet më tej konkurrenca, dhe dy, të sigurojë bazën për nxitjen e sektorit të investitorëve të huaj, duke përfshirë një plan marketingu, mesazhet kryesore të marketingut dhe të materialeve promovuese”, thuhet në dokumentin të Qeverisë për shprehjen e interesit në kontraktimin e një kompani konsulente.

Ky program që ndryshe njihet si “Beta”, dhe që është nën financim të Bankës Botërore, si objektiv ka përmirësimin e mjedisit të bërjes biznes në Kosovë, dhe i cili më pas pritet të shndërrohet në instrument për uljen e papunësisë dhe nxitjen e rritjes ekonomike.

“Objektivat përfshijnë shkurtimin e proceseve të rënda rregullative, duke përmirësuar ofrimin e shërbimeve përkatëse, forcimin e të drejtave pronësore, duke përfshirë të drejtat e pronësisë intelektuale dhe rritjen e transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve zbatuese”, thuhet në dokumentin qeveritar.

Kompania që shpallet fituese, pritet të ketë si obligim të identifikojë ata sektorë të ekonomisë së Kosovës që janë më tërheqës për firmat e huaja, duke përfshirë edhe sigurimin e një analizë të detajuar mbi pikat e forta dhe të dobëta të ekonomisë, si dhe një vlerësim të konkurrencës dhe potencialit për investime, shkruan Koha Ditore.