Kosova

Brenda një muaji në Kosovë u testuan 53 të dyshuar për koronavirus

Që nga 8 shkurti deri më 5 mars në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në Institutin Kombëtar të Shëndetitë Publik me metodën RT-PCR janë testuar gjithsej 53 mostra të dyshimta me koronavirus, me ç’rast kanë rezultuar negative.

IKSHPK gjatë ditës së djeshme ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për një rast të dyshimtë në COVID-19. Pacienti u kontrollua nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive në QKUK dhe iu mor mostra për testim laboratorik në virusin SARS-CoV-2.

“Më 05.03.2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK është testuar një pacient në virusin SARS CoV-2 dhe ka rezultuar negative, domethënë pacienti nuk është infektuar me virusin SARS CoV-2”.

“Nga data 01.02.2020 deri më 05.03.2020 nga aeroporti ndërkombëtar “Adem Jashari” si dhe pikat tokësore kufitare janë depistuar gjithsej 2.611 udhëtarë. Nga aeroporti “Adem Jashari” 475 udhëtarë, Merdar 1.106, Vërmicë 726, Jarinje 173, Dheu i Bardhë 48, Hani i Elezit 48, Kullë 21, Qafë Morinë 8 dhe Bërnjak 6, udhëtarë.

“Më 05.03.2020, në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” ekipet mjekësore të aeroportit bashkë me QKMF- Obiliq, Inspektoratin Sanitar të Agjensionit të Ushqimit dhe Veterinës të mbështetur nga ekipi i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës kanë kontrolluar të gjithë udhëtarët e ardhur nga Verona e Italisë, sipas protokolleve të OBSH-së dhe ECDC-së dhe te asnjeri nuk janë gjetur shenja klinike të sëmundjes”, njofton ky institut.