Kosova
Besarta rrëfen momentin e rënies së familjes Jashari

Vajza e heroit, Hamëz Jashari, Besarta, në 20 vjetorin e betejës historike të 5,6 dhe 7 marsit ka treguar gjithë ngjarjen e atij momenti tragjik.
Me anë të një postimi në Facebook, ajo ka treguar për jetën që kishte para kësaj ngjarjeje dhe jetën e saj pas betejës tragjike që ndodhi në Prekaz, përcjell albinfo.ch.
Ky është rrëfimi i saj:
Sot në 20 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, unë vajza e heroit të kombit Hamëz Jashari, e mbijetuara e betejës historike të 5,6 dhe 7 Marsit do të ndajë kujtime në këtë përvjetor – datë kjo që më ngjallë dhimbje, krenari dhe dashuri për vendin tim.
Një ditë para betejës së lavdishme, ishte çdo gjë zakonshme në jetën time… nuk e dija që ajo natë do të ndryshonte çdo gjë – ndoshta ishte më mire, sepse në vend se ta përqafoja përfundimisht nënën Feride e babën Hamëz dhe krejt familjarët e mi, unë si zakonisht me fëmijët e familjes shkuam në dhomën e gjumit për të fjetur si çdo natë tjetër.
Nuk e dija…
Sinqerisht, nuk e dija që ajo ishte nata e fundit që do të luaja me Blerinën e vogël, nuk e dija që ajo ishte nata e fundit që nëna Feride do më puthte ballin para gjumit.
Nuk e dija, se isha fëmijë.
E lindur dhe e rritur në kullën mësuesit të parë shqiptar në atë anë, më kishte krijuar bindjen se përpjekja e babës Shaban, babushit Hamëz dhe balit Adem për çlirimin e vendit ishte veçse obligim. Ne si fëmijë të Familjes Jashari, ishim mësuar ti shohim burrat tonë të armatosur dhe të përndjekur, ishim mësuar edhe me represionin e pushtetit të atëhershëm serb mbi shqiptarët e asaj ane – me theks të veçantë mbi familjen tonë.
Për këtë na kishte fol babushi e bali Adem, se pushtuesi duhet të largohet nga vendi jonë – për çdo çmim, ndërsa baba Shaban na tregonte historitë që ishin frymëzim për kombin. Andaj besoj që ne të gjithë fëmijët e Jasharëve ishim të përgatitur për betejën që po na priste.
Por, nuk e dija që mizoria e pushtuesit serb nuk do të kursente asgjë.
…
Para agimit, u zgjuam nga zhurmët e makinerisë së pushtuesit serb që kishin rrethuar kullën e babës Shaban, edhe atëherë nuk e dija se çfarë po na priste.
Derisa nëna më porositi të marr dru për zjarr, takova babushin i cili pranë odës ishte duke tymosur duhan me armë në brez e në krah – si asnjë herë më parë ndjeva dashurinë për babushin, si asnjë herë më parë pash bukurinë e tij.
E pyeta: “Babush, çka po bohet? Çka është kjo zhurmë?”
I buzëqeshur më tha: “Kurgjo, qika jem. Po nihen dikun shkijet, po nuk jon tu ardh te na”
Nuk e di pse, sa herë që fliste babushi ma qetësonte shpirtin. Ajo ishte hera e fundit që e pash të gjallë, por zërin ia kam dëgjuar deri në rënien e tij – duke kënduar këngën e mëmëdheut:
Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë
vraponi burra se s’ka me prit
Të vdesim sot ne, me Besa Besë
pranë flamurit të kuq q’u ngrit…
Krahas babushit, e këndova edhe vet… e këndoj edhe sot, kënga që përbën mesazh për bashkëluftëtar, mesazh për bashkim, mesazh për obligimin që kemi para shqiponjës.
Nuk zgjati edhe shumë, zhurma e makinerisë së forcave serbe po afrohej, që në mëngjes po dëgjohej larg.
Natyrshëm u mobilizuam të gjithë anëtarët e familjes, këngës së babushit iu përgjigjëm me radhë…
…
Betejës që u bë shkëndi e luftës çlirimtare, po i afrohej fundi… epilogu ishte i rëndë dhe i dhimbshëm për mua – babushi që me tha: “Kurgjo, qika jem” nuk e kishte pas njëmend, as nëna që më shtrëngonte e më thoshte ‘Mos u tut, qika jem” nuk e kishte pas njëmend…
Njëmend, paska qenë vendosmëria e Familjes time për çlirimin e atdheut.
E gjitha që kishte ndodhë në betejën e Familjes Jashari, është në zemrën dhe mendjen time… do të mundohem që këtë përjetim dhe ngjarje ta ndajë me kombin tim – atëherë kur mundem.
Po e përmbylli këtë përkujtim për 20 vjetorin e Epopesë së UÇK-së me mesazhin e njëjtë si të babushit “Për mëmëdhenë”, duke ftuar për bashkim dhe dashuri për Kosovën.
Lavdi
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Gjykata e Strasburgut fajëson Zvicrën: Ka dëbuar padrejtësisht kosovarin Një delinkuent që vuante nga një defekt në zemër është dëbuar në Kosovë: Strasburgu fajëson Zvicrën...
-
Kosova do të jetë pjesë në Javën Evropiane të Kulturës në Gjermani
-
Vetëm 7 votues nga diaspora kanë denoncuar se s’kanë marrë fletën e votimit
-
U gjet e pajetë e lidhur pas pemës, detaje nga vdekja e shqiptares në Itali
-
Ekuipazhi i ‘Wizz Air’ akuzoi gabimisht pasagjerët për vjedhjen e telefonit të rojes së sigurisë
Jeta në Austri
-
Austri: Paketa e re tatimore, masa për konsolidimin e buxhetit dhe lehtësime për qytetarët Qeveria austriake prezantoi të premten një paketë të gjerë legjislative fiskale, e cila synon konsolidimin e...
-
Austri: Reforma e pensioneve parasheh ndryshime të mëdha
-
Kompromiset që duhet të bëni në Austri kur blini ose merrni me qira një shtëpi
-
Austri: Çmimet e energjisë për familjet bien për 1.5%
-
Gjithçka që ndryshon në Austri nga muaji maj