Lajme

BERZHI ndihmon dy banka kosovare për energji efiçiente

“Investimet në energjinë e gjelbër janë të rëndësishme për BERZH-in, i cili e sheh luftën kundër ndryshimeve klimatike globale si një nga prioritetet e tij strategjike, tha presidenti i BERZH-it, Sir Suma Chakrabarti

Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sir Suma Chakrabarti ka nënshkruar të hënën në Prishtinë dy marrëveshje me dy bankat komerecuiale kosovare, Bankën Private të Biznesit dhe NLB bankën, me një vlerë prej 6 milionë eurosh.

Marrëveshja u nënshkrua me kryeshefin ekzekutiv të BPB-së, Arton Celina dhe Albert Lumezi kryetar i bordit të NLB-së. Marrëveshja parashikon një një linjë krediti nga BERZH-i për huadhënie ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM-ve) dhe ekonomive familjare për investime në energjinë efiçiente dhe energji të ripërtëritshme.

Linja e kreditit është lëshuar në kuadër të kornizës së BERZH-it të Projekteve të Energjisë së Qëndrueshme në Kosovë.

“Investimet në energjinë e gjelbër janë të rëndësishme për BERZH-in, i cili e sheh luftën kundër ndryshimeve klimatike globale si një nga prioritetet e tij strategjike, dhe është udhëheqës mes institucioneve shumëpalëshe në angazhimin e bankave private në financimin e energjisë së qëndrueshme. Jam shumë i kënaqur që prej sot kemi një partner të ri, BPB-në”, tha Chakrabarti.

Arton Celina, Kryeshef i BPB-së, tha: partneriteti, financimi për energji efiçiente, që po  nënshkruhet me BERZH-in, është një shembull se si duhet t’i qasemi zhvillimit (ekonomik) dhe krijimit te mundësive të reja për klientët që kanë në fokus kursimin e energjisë, që konsiderohet një nga temat kryesore në diskutimet globale.

“Prandaj, jam i privilegjuar te nënshkruaj këtë marrëveshje sot. BPB është zotuar t’u ofroj klientëve te saj shërbimet dhe produktet me te mira ne tregun lokal financiar dhe ne besojmë qe programi i BERZH-it për energji te qëndrueshme, KOSEP, është programi i duhur në kohë te duhur për investime në energjinë efiçiente”, tha ai

BPB është një nga dy bankat në Kosovë nën pronësi shumice të investitorëve vendas. BERZH-i, i cili gjithashtu zotëron 10 për qind të kësaj banke që nga viti 2011, ka bashkëpunuar  me BPB-në edhe në të kaluarën, duke përfshirë biznesin dokumentar dhe kreditimin e biznesit të vogël.

BERZH-i ka ndihmuar edhe me asistencë teknike për ngritjen e kapaciteteve, sidomos në fushat e udhëheqjes korporative, menaxhimit të rrezikut dhe kontrolleve të brendshme, projekt qe ka qene i financuar nga Fondi i Ballkanit Perëndimor i BERZH-it, me mbështetje nga donatorët ndërkombëtarë.

Ndryshe, BERZH ka filluar bashkëpunimin dhe me NLB bankën në Prishtina me një kredi 5 milion euro në kuadër të Programit për lehtësim e Tregut të BERZH-it (TFP). NLB banka në Prishtinë do të përdorë programin për të ndihmuar ndërmarrjet e vogla dhe të mesme për tregtimin financiar përtej kufijve të vendit.  Ky është bashkëpunimi i parë u BERZH-it me NLB Prishtinën.

Projekti është nënshkruar gjatë një vizite të Presidentit të BERZH-it Suma Chakrabarti, në Prishtinë. Me ketë rast ai tha se “ Integrimi i ekonomik përtej kufijve vendorë është njëra ndër strategjitë prioritare të BERZH-it dhe posaçërisht tregut për tej kufijve vendorë është me rendësi për Kosovën dhe regjionin e Ballkanit perëndimorë. Jam i lumtur që po fillojmë bashkëpunimin me NLB Banka Prishtina për ketë qëllim” ka thënë ai.

Edhe Albert Lumezi kryetar i bordit të NLB-së ka thënë se “Përmes kësaj marrëveshje TFP, banka do të këtë mundësi për të bashkëpunuar me më shumë banka korrospodente, e cila do të ja mundësojë klientëve tanë të fitojnë ekspertizë ne tregje të reja dhe të ndërtojnë marrëdhënie me homologë e tyre në mbarë botën” ka thënë ai.

Në anën tjetër, presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur një delegacion të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim, të udhëhequr nga presidenti i kësaj organizate, Suma Chakrabarti. Thaçi e uroi presidentin Chakrabarti për rizgjedhjen e tij në postin udhëheqës të EBRD-së dhe u shpreh i kënaqur për vazhdimin e bashkëpunimit të mirë.

“Kam pasur kënaqësinë të bashkëpunoj me ju si Kryeministër i Kosovës dhe si Ministër i Jashtëm, kurse tash kam kënaqësinë që të vazhdojë këtë bashkëpunim edhe në detyrën e re”, u shpreh presidenti Thaçi.

Duke folur për punën e EBRD-së, presidenti Thaçi tha se “EBRD ka projekte të rëndësishme për Kosovën” dhe shtoi se janë gati 50 projekte që po zbatohen apo janë zbatuar në Kosovë deri më tani.

Presidenti Chakrabarti e uroi gjithashtu presidentin Thaçi për zgjedhjen e tij President i Republikës së Kosovës dhe e njoftoi për angazhimin e organizatës që ai kryeson në Kosovë.

“Është koha për strategjinë e re të zhvillimit. Do të përqendrohemi në përkrahjen për sektorin privat, në sektorin e energjisë dhe efiçiencës, si dhe në ndërlidhjen duke investuar në infrastrukturë, hekurudha dhe rrugë”, ka thënë presidenti Chakrabarti, sipas të cilit ”ekonomia e Kosovës po shënon rritje të vazhdueshme, përkundër sfidave”.