Lajme

Berisha: Bashkimi kombëtar, brenda BE-së

Kryeministri Berisha duke marrë pjesë në zbulimin e shtatores së Isa Boletinit e ka quajtur atë gjeneral të pavarësisë së Shqipërisë

Sot ka vizituar Kosovën kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Me këtë rast ai ka qëndruar në Gjakovë dhe në Deçan, qytete këto që e kanë shpallur Berishën qytetar nderi.

Me rastin e vizitës në Deçan, kryeministri Berisha bashkë me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhge kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi ka bërë edhe zbulimin e shtatores së Isa Boletinit në fshatin Isniq.

Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, në fjalën e tij e ka quajtur Isa Boletinin gjeneral të pavarësisë së Shqipërisë.

“Isniqi është vendi ku ai mori frymëzim për pavarësimin e tokave shqiptare. Me këtë akt i kthejmë burrit të madh të kombit një copëz të nderit të madh që ai na la mbrapa për të gjithë shqiptarët”, ka thënë Berisha.

“Boletini shkundi një perandori dhe vuri në lëvizje gjithë Ballkanin dhe Evropën duke bërë të dukshëm kërkesat për liri dhe shtetndërtim”, ka thënë ai.

Dr. Berisha ka thënë më tutje se Shqipëria pavarësinë e saj, kombin, ekzistencën e tij ja dedikon luftërave titanike të shqiptarëve në Kosovë dhe mbarë trojeve shqiptareNdërsa presidentja Atifete Jahjaga ka thënë se ngritja e shtatores së Isa Boletinit është nderim dhe dëshmi që të rinjtë po i respektojnë të parët tanë.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi është shpreshur se pas përpjekjeve një shekullore po zbulohet monumenti i Isa Boletinit, njofton kosovapress.

“Ka qenë një rrugëtim i gjatë, 100 vjeçar, që këtë ditë lirshëm pa dallim të na bashkon ideali i lirisë së shqiptarëve dhe ideali i bashkimit kombëtar. Boletini ishte gjithmonë aty ku e kërkonte çështja kombëtare, pranë Ismajl Qemajli, gjithmonë në beteja për lirin e pavarësinë e Shqipërisë. Ai luftoi për lirinë e të gjithë shqiptarëve”, ka thënë Thaçi.

Kryeministri Berisha bashkë me presidenten Jahjaga ka marrë pjesë edhe në zbulimin e shtatores së heroit nga epoka e Lidhjes së Prizrenit, Ali Ibra në Gjakovë.

Sot më shumë se kurrë apeli i këtyre burrave është më i fortë dhe i fuqishëm për bashkimin tonë përfundimtar në Evropën e bashkuar, për prosperitetin tonë”, ka thënë Berisha me këtë rast.