Kosova
Begaj, vizitë dyditore në Kosovë për 15-vjetorin e pavarësisë
Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, nis sot një vizitë dyditore në Republikën e Kosovës, me rastin e festës së 15-vjetorit të pavarësisë së saj, përcjell albinfo.ch.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, priti në takim presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Presidenti Bajram Begaj mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Tiranë, me rastin e 15-vjetorit të Shtetit të Pavarur të Kosovës.
Gjatë fjalimit të tij, Begaj foli për lidhjet e Shqipërisë me Kosovën, liberalizimin e vizave dhe aplikimin e Kosovës në BE.
Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria do ta shohë me krenari rrugëtimin euro-atlantik të shtetit të Kosovës.
Ndër të tjera, Begaj tha se Kosova si shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit.
“Kosova, shtet i lirë dhe i pavarur është përmbushja e amanetit të Ibrahim Rugovës dhe Adem Jasharit.
Ishte fillimi i një epoke të re, ku shteti i Kosovës u projektua si një shtet modern, demokratik, që shihte nga e ardhmja, me një vullnet të palëkundur euro-atlantik.
Republika e Kosovës, një shtet sovran dhe i pavarur, ka demonstruar me fakte, pjekurinë dhe maturinë në qëndrimet e saj.
Në këto 15 vite, Kosova ia ka dalë më së miri të respektojë e të nderojë zotimin që i bëri botës, përmes firmëtarëve të pavarësisë, se ishte dhe do të jetë një faktor për paqen dhe stabilitetin në Evropën Juglindore.
Lidhja vëllazërore e Shqipërisë me Kosovën është e natyrshme. Jemi një komb i ndarë në dy shtete, ndaj humbjet dhe fitoret, dhimbjet dhe sukseset, i kemi të përbashkëta.
Shqipëria ka mbështetur dhe do të vazhdojë të mbështesë Republikën e Kosovës, në anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare dhe do të intensifikojë maksimalisht përpjekjet për njohjet e mëtejshme të pavarësisë legjitime të saj. Partneriteti ynë strategjik duhet thelluar edhe më tej, në dobi të shteteve tona, të kombit tonë.
Mbështetja e pakursyer nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ne dhe për të gjithë Ballkanin, është një garanci sa politike po aq dhe gjeografike se e ardhmja e vendeve të rajonit nuk është ajo e luftrave dhe ndasive, por e dialogut dhe bashkëpunimit.
Aplikimi i Kosovës në procesin për anëtarësim në BE si dhe kalimi i propozimit për liberalizimin e vizave, na riforcuan bindjen se e ardhmja e kombit shqiptar do të jetë ajo e të qënurit bashkë në familjen e madhe evropiane.
Agresioni i paprovokuar dhe i pajustifikuar i Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe tentativat për ta shtrirë konfliktin edhe në rajonin e Ballkanit, na bëjnë të kuptojmë akoma më mirë sot, se sa e rëndësishme është për faktorin shqiptar në Ballkan, të jetë i njëhsuar në qëndrimet e tij.
Situata e krijuar së fundmi gjatë provokimeve të rënda në veri të Kosovës, ishte një tregues i qartë se nuk kemi me kohë për të humbur. Shqipëria mbështet dhe vlerëson dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e palëkundur të SHBA-së, për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila do të duhet të fokusohet tek njohja e ndërsjelltë dhe respektimi i minoriteteve.
Në këto 15 vite, Shqipëria ka parë me krenari lindjen dhe rritjen e shtetit të Kosovës. Jam plotësisht i bindur se dhe në vitet në vijim, Shqipëria do të shohë me po aq krenari rrugëtimin euro-atlantik të shtetit të Kosovës; rrugëtim i cili do të përmbushë ëndrrën e cdo shqiptari brenda dhe jashtë trojeve tona”, deklaroi Presidenti.
Axhenda e presidentit Begaj:
16:15-16:45 – Takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, SH. T. Z. Albin Kurti
18:00-20:00 – Koncert në Filarmoninë e Kosovës.
17/02/2023
08:45–08:50 – Vendosje të kurorave në vendprehjen e ish-Presidentit Dr. Ibrahim Rugova dhe veprimtarit Adem Demaçi
09:50–10:00 – Vendosja ceremoniale e kurorës së përbashkët në memorialin “Adem Jashari” në Prekaz
11:00 – 11:20 – Seanca Solemne e Kuvendit të Republikës së Kosovës ku Presidenti Begaj mban fjalën e rastit.
11:20 – 11:30 – Homazhe në monumentin e Policëve të rënë në detyrë.
11:30 – 11:45 – Nderime në Monumentin Heroinat.
17:00 – 19:30 – Pjesëmarrje në Pritjen Shtetërore të rastit.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë Festa e 28 Nëntorit do të festohet me aktivitete të shumta edhe në Austri. Edhe këtë... -
Vaud: Qeveria emëron Metihe Mehmetin, Drejtoreshë të Përgjithshme të Tatimeve -
KQZ i aprovon mbi 7000 pako me fletëvotime nga diaspora, i refuzon mbi 2500 tjera -
Brooklyn: Shqiptari nga Kosova humb jetën duke u përpjekur të ndalojë një grabitës -
Berlin
Shpresim Sadiku fiton titullin “Doktor Shkence” në TU Berlin
Jeta në Austri
-
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë Festa e 28 Nëntorit do të festohet me aktivitete të shumta edhe në Austri. Edhe këtë... -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit -
A do të punonit në Austri për 2200 euro? -
Vjena ul emetimet e CO₂ me gati 6% brenda një viti -
Vjenë
Hapen tregjet e Krishtlindjeve në Vjenë









