Lajme

BE ua “ndezë dritën jeshile” Kosovës dhe Serbisë

Baronesha Catherine Ashton ka kërkuar nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, që Serbisë t’i jepet datat e fillimit të negociatave, ndërsa Kosovës MSA-ja

Pas ratifikimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi nga dy qendrat e përfshira në dialog, Prishtina dhe Beogradi, ka reaguar Komisioni Evropian, i cili propozoi që Serbisë t’i jepet data e fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ndërsa Kosovës atë të fillimit të negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit.

Propozimi i KE-së pasoi vendimin e Parlamentit të Kosovës, i cili i dha pëlqimin marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe miratimit të Qeveria e Serbisë, e cila aprovoi njërit marrëveshjen e Brukselit, për normalizimin e raporteve me Kosovën.

Ndërmjetësuesja e dialogut Prishtinë-Beograd dhe njherit përpiluesja e marrëveshjes, baronesha Catherine Ashton, ka raportuar para ministrave të jashtëm të Bashkimit evropian rreth marrëveshjes së arritur mes Serbisë dhe Kosovës.

Edhe shefja e BE-së për politikë të jashtme ka kërkuar nga ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të BE-së, që Serbisë t’i jepet datat e fillimit të negociatave ndërsa Kosovës t’i mundësohet nënshkrimi i marrëveshjes së Stabilizim Asocimit (MSA).

Ashton, siç raportojnë medet në Prishtinë, ka thënë se rekomandimet për Kosovën dhe Serbinë shënojnë një shkëputje vendimtare nga e kaluara dhe një hap drejt një të ardhmeje të përbashkët evropiane.

Ajo ka thënë se liderët e Kosovës dhe Serbisë meritojnë nderim për guximin dhe vizionin e tyre për të arritur te kjo marrëveshje.

Ndërkohë që Këshilli Evropian pritet të vendos përfundimisht në qershor rreth këtyre propozimeve të dhëna sot për Serbinë dhe Kosovën.

Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, ndërkaq ka falënderuar homologët e tij evropian për këtë hap që kanë ndërmarr në raport me Kosovën. Përmes rrjetit social ai ka shkruar se Kosova do të kryejë të gjitha obligimet e saja që dalin nga “marrëveshja e parë kontraktuale me BE-në, me përkushtim të madh”.

Ndërkaq ministrja kosovare për Integrime Evropiane, Vlora Çitaku ka thënë se Komisioni Evropian ka gjetur se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtëzimet afat-shkurta që ishin përshkruar në studimin e fizibilitetit.

 Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Westerwelle i ka bërë thirrje  Beogradit dhe Prishtinës që të zbatojnë sa më parë marrëveshjen të cilën dy qeveritë e tyre e miratuan, pas parafimit të saj nga kryeministrat gjegjës.

 “Duam që ajo që është pajtuar mes Serbisë dhe Kosovës, tani të vihet në zbatim. Që të zbatohet vërtet në praktikë” ka thënë Westerwelle, duke shtuar se dhënia e datës për Serbinë nuk është në rend dite.

Shefi i diplomacisë gjermane ka lajmëruar se për dhënien e datës për fillimin e negociatave për anëtarësim Serbisë, këtë temë duhet ta shtjellojnë qeveria dhe pastaj edhe parlamenti i Gjermanisë.