Lajme

BE: Protesta e Vetëvendosjes e paarsyeshme

Bashkimi Evropian e ka konsideruar protestën e Vetëvendosjes si plotësisht të pajustifikueshme për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe

Bashkimi Evropian ka shprehur keqardhje sot për dhunën fundjavës së kaluar në Kosovë, por e ka konsideruar protestën e Vetëvendosjes si plotësisht të pajustifikueshme për të bllokuar hyrjen e mallrave serbe në vendkalimet kufitare: Merdarë dhe Dheu i Bardhë.

“Është për keqardhje dhuna që ka ndodhur, por besojmë se, përgjithësisht, situata është adresuar mirë nga Policia e Kosovës. Protestat e këtilla i shohim si tërësisht të paarsyeshme, sepse ishin kundër asaj që është parim thelbësor i BE-së, pra lirisë së lëvizjes së mallrave. Ne kemi punuar ngushtë me autoritetet e Kosovës për ta zbatuar këtë parim dhe është për keqardhje që njerëzit protestojnë kundër tij”, ka thënë Majkëll Men, zëdhënës i shefes për politikë të jashtme të BE-së, Kethrin Eshton, transmetojnë mediet në Prishtinë.

Policia e Kosovës duke përdorur gazin lotsjellës dhe topat e ujit ka penguar të  shtunën, protestuesit e Lëvizjes Vetëvendosje për të bllokuar pikat kufitare: Merdarë dhe Dheu i Bardhë, me qëllim ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë.

“Vetëvendosje” ka paralajmëruar se do të organizojë aksion të ngjashëm më 22 janar.