Kosova
BE-ja pranë finalizimit të mjeteve për Ballkanin Perëndimor, ja sa para do të përfitojnë shtetet

Bashkimi Evropian është shumë afër t’i përmbyllë procedurat e miratimit të agjendave të reformave, të cilat i kanë paraqitur vendet e Ballkanit Perëndimor, si kusht për të përfituar nga paketa e Planit të Rritjes, në vlerë prej 6 miliardë eurosh.
Përfituese të Planit – që u miratua nga BE-ja në maj – janë të gjitha vendet e rajonit: Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina dhe Serbia.
Komisioni i IPA-s (Instrumentet e Para-Anëtarësimit) dha më 11 tetor pëlqimin final për vetëm pesë nga gjashtë vendet, që i kanë paraqitur agjendat e reformave dhe rritjes.
I vetmi vend i rajonit, i cili nuk mund të presë ende miratimin e agjendës së tij, është Bosnjë e Hercegovina, pasi që dokumenti që ky vend e ka dërguar në BE nuk ka qenë komplet dhe nuk i ka adresuar të gjitha sugjerimet e dhëna nga Komisioni Evropian.
Komisioni Evropian pritet që më 16 tetor ta miratojë vendimin për zbatim.
Në këtë mënyrë, Komisioni Evropian do të jetë i gatshëm nga ana e tij që t’i kryejë edhe pagesat e para nga paketa në fjalë.
Por, para se të bëhen këto pagesa, vendet përfituese duhet t’i nënshkruajnë marrëveshjet dhe t’i ratifikojnë ato në parlamentet e tyre kombëtare, sepse dy miliardë euro do të jenë para pa kthim, ndërsa të tjerat do të jenë kredi të favorshme.
Ndaj, vendet përfituese duhet t’i ratifikojnë marrëveshjet, pasi që duhet të obligohen për kthimin e parave nga kreditë e favorshme.
Për shkak të procedurave që kërkojnë kohë për miratimin e marrëveshjeve të tilla, është vështirë të parashihet koha se kur do të bëhen pagesat e para dhe për cilin vend të rajonit.
Realisht, ato mund të bëhen në fillim të vitit 2025, por nëse ndonjë vend nxiton dhe e kryen më herët procedurën e ratifikimit të marrëveshjeve, atëherë këto mjete do të mund të paguhen më herët.
Ideja e BE-sëështë që të gjitha vendeve, për të cilat do të aprovohen agjendat e reformave dhe rritjes, t’u ndahet si “pagesë parafinancuese” shuma prej 7% e mjeteve të dedikuara për to.
Me këtë paketë, BE-ja synon të ndihmojë rritjen ekonomike në vendet e rajonit dhe, në këtë mënyrë, ta përshpejtojë procesin e integrimit të tyre evropian.
Sipas një përllogaritje jozyrtare, Kosova do të mund të përfitojë mbi 880 milionë euro nga ky plan i rritjes.
Mbi 250 milionë euro, Kosovës do t’i ndaheshin si para pa kthim, ndërsa pjesa tjetër në formën e kredive të volitshme.
Rrjedhimisht, Kosovës do t’i paguheshin 7% e mjeteve si “parafinancim”, që i bie rreth 61 milionë euro.
Shqipëria do të mund të përfitojë në total 922 milionë euro, ndërsa si mjete “parafinancuese” 64.5 milionë.
Maqedonia e Veriut do të mund të ketë në dispozicion 750 milionë euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 52.5 milionë.
Serbisë do t’i ndaheshin gjithsej 1.58 miliardë euro, ndërsa pagesa e parë për të do të ishte 111 milionë.
Mali i Zi do të kishte në dispozicion gjithsej 383 milionë euro, ndërsa si “parafinancim” 26.8 milionë.
Bosnjë e Hercegovina, nga totali i planit, do të kishte në dispozicion 1 miliard e 85 milionë euro, ndërsa si “parafinancim” 76 milionë.
Llogaritja se cili vend do të ketë në dispozicion sa mjete financiare, është bërë në bazë të Bruto Prodhimit Vendor (GDP), numrit të banorëve dhe disa kritereve të tjera.
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Nikson Gjoka: “Me ‘Fly’ po fluturoj drejt ëndrrës time!” Pas publikimit të këngës së tij të parë “Fly”, model dhe tani edhe artist, Nikson Gjoka...
-
Maqedoni: Gjykata vendos se të gjithë qytetarët, përfshirë edhe mërgatën do të trajtohen si “rezidentë”
-
Artistja nga Kosova fiton çmimin “Aktorja më e Mirë” në Madrid
-
Shqiptarja nga Prishtina finaliste në çmimin global “Cybersecurity Woman of the Year 2025”
-
Kosovari godet me makinë motoçiklistin e rrëzuar dhe thotë: Mendova se ishte kaproll!
Jeta në Austri
-
Austri: Frikë nga turizmi lakuriq nga Zvicra Qyteti i Bregenzit në Austri po përgatitet të zyrtarizojë një zonë për larje nudo në bregun...
-
Austri: Një projekt i ri pilot synon mësimin e gjuhës gjermane fëmijëve migrantë në kopsht
-
Trenat e rinj me dy kate nisin operimin në Austri
-
Raporti: 400 super të pasur zotërojnë 37% të pasurisë financiare të Austrisë
-
Pse po rriten çmimet e transportit në Vjenë dhe për sa?