Lajme
BE-ja kritikon Serbinë për stërvitjen ushtarake me Kinën

Stërvitja e parë ushtarake mes ushtrisë serbe dhe asaj kineze shënon një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit ushtarak mes dy vendeve.
Me këtë veprim, Serbia bëhet vendi i vetëm kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që zhvillon stërvitje të tilla me Kinën.
Ministria kineze e Mbrojtjes njoftoi më 14 korrik se stërvitja, e quajtur “Rojtari i Paqes 2025”, do të zhvillohet në gjysmën e dytë të korrikut, në provincën Hebei në veri të Kinës.
Viteve të fundit, Serbia ka blerë armë nga Kina, duke u bërë vendi i parë në Evropë që blen sistemin kinez kundërajror, FK-3.
Për shkak të qasjes ndaj Kinës dhe Rusisë, Brukseli e ka paralajmëruar disa herë Serbinë.
Edhe stërvitja ushtarake me Kinën u pa në të njëjtin kontekst kritik nga BE-ja.
“Serbia duhet të përmbahet nga veprimet dhe deklaratat që bien ndesh me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme”, ishte mesazhi nga Brukseli.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i BE-së tha se blloku dëshiron të mbështetet te Serbia si një partnere e besueshme evropiane, për parime dhe vlera të përbashkëta.
“Neve na duhet që Serbia të na bindë për drejtimin e saj strategjik”, tha zëdhënësi i BE-së.
Si vend kandidat, Serbia e ka detyrim të përputhet me politikën e jashtme të BE-së, dhe Brukseli e ka kërkuar këtë shumë herë nga Beogradi.
Serbia është ushtarakisht neutrale, por është anëtare e programit të NATO-s “Partneriteti për Paqe” dhe qëllim strategjik i saj është anëtarësimi në BE.
Beogradi zyrtar e balancon njëkohësisht politikën e tij të jashtme midis Perëndimit, Kinës dhe Rusisë, e cila është izoluar nga Perëndimi për shkak të pushtimit të Ukrainës.
Nikolla Lluniq, analist serb i gjeopolitikës dhe sigurisë, beson se vendimi i Serbisë për stërvitje ushtarake me Kinën “e minon orientimin e deklaruar të Serbisë drejt BE-së”.
“Forcimi i ndërveprimit të njësive kineze dhe serbe i dërgon Perëndimit një mesazh të qartë gjeopolitik”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Para stërvitjes me Ushtrinë e Serbisë, Ushtria e Kinës zhvilloi në korrik të vitit 2024 manovra në Bjellorusi – së bashku me ushtrinë e këtij vendi – në kufi me NATO-n.
Ato u mbajtën në kohën e samitit të NATO-s në Uashington, ku udhëheqësit e aleancës ushtarake shprehën mbështetje “të padiskutueshme” për Ukrainën, ndërsa kritikuan ashpër Pekinin për mbështetjen e tij për Rusinë.
Cili është qëllimi i stërvitjes në Kinë?
Sipas njoftimit të Ministrisë kineze të Mbrojtjes, stërvitja e planifikuar “do të kontribuojë në forcimin e aftësive luftarake të pjesëmarrësve dhe thellimin e bashkëpunimit midis dy ushtrive”.
Ministria serbe e Mbrojtjes nuk iu përgjigj pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me qëllimin e kësaj stërvitjeje, e as se cilat njësi dhe sa ushtarë të Ushtrisë së Serbisë do të marrin pjesë.
Përgjigje nuk ktheu as Ambasada e Kinës në Beograd.
Tash për tash, nuk ka informacione as nëse dhe kur do të mbahet një stërvitje e përbashkët në Serbi, pasi këto stërvitje zakonisht organizohen me rotacion.
Armët kineze në Ushtrinë e Serbisë
Serbia bleu nga Kina gjashtë dronë pa pilot CH-92A në vitin 2020 dhe, dy vjet më vonë, edhe sistemin raketor të mbrojtjes ajrore FK-3.
Kështu, Serbia u bë operatore e këtyre raketave kineze dhe dronëve luftarakë në Evropë.
Gjatë prezantimit të pajisjeve të reja të Forcave të Armatosura të Serbisë në prill të vitit 2023, publikut iu prezantua edhe droni kinez CH-95.
Ministria e Mbrojtjes e Serbisë njoftoi në fund të vitit 2024 se në Kinë është realizuar një trajnim për sistemin raketor FK-3, i cili mund të godasë lloje të ndryshme avionësh, helikopterësh, raketash lundruese dhe dronësh.
Brukseli dhe Uashingtoni kanë shprehur vazhdimisht shqetësim për blerjet e armëve ruse dhe kineze nga Serbia.
Pasi Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në vitin 2022, Serbia vendosi një moratorium për të gjitha stërvitjet ushtarake me partnerë të huaj.
Përjashtim bën stërvitja taktike ndërkombëtare “Ujku i Platinit”, në të cilën njësitë e Ushtrisë së Serbisë forcojnë aftësitë e tyre për të marrë pjesë në misione paqeruajtëse.
Stërvitjet “Ujku i Platinit” zhvillohen në Serbi që nga viti 2014 dhe në to marrin pjesë edhe anëtarë të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara.
Lluniq thotë se pjesëmarrja e Serbisë në stërvitjen ushtarake me Kinën, bie ndesh me synimet që vetë Serbia i ka shpallur për politikën e saj të jashtme dhe e bën të paqëndrueshëm pretendimin e saj për neutralitet ushtarak.
“Është e qartë se moratoriumi mbështetet në kritere politike, jo parimore, dhe për këtë arsye, neutraliteti ushtarak i Serbisë, për shkak të kësaj qasjeje selektive, humb çdo besueshmëri ndërkombëtare”, thotë ai.
Stërvitjes ushtarake i paraprinë ushtrimet policore
Stërvitjet e ardhshme ushtarake nuk do të jenë të parat midis Serbisë dhe Kinës në fushën e sigurisë.
Viteve të kaluara, janë mbajtur edhe ushtrime mes njësive speciale të Policisë së Serbisë dhe asaj të Kinës, ndërsa që nga viti 2019 dy vendet kanë edhe një marrëveshje për patrulla të përbashkëta policore.
Vuk Vuksanoviq, nga Qendra e Beogradit për Politikat e Sigurisë, përmend edhe dokumentin kinez të Iniciativës Globale të Sigurisë (GSI), të vitit 2023.
Në të, kujton ai, thuhet se Kina do t’i forcojë partneritetet dhe shkëmbimet e saj të sigurisë në fushën e arsimit ushtarak dhe policor.
Vuksanoviq thotë se rritja e bashkëpunimit në siguri mes Serbisë dhe Kinës reflektohet përmes blerjes së pajisjeve ushtarake kineze, bashkëpunimit policor dhe teknologjisë kineze të mbikëqyrjes.
“Nga perspektiva e Serbisë, ky është vetëm një vazhdim i politikës shumëvektoriale dhe politikës balancuese”, vlerëson ai.
Cili është interesi i Kinës?
Ushtria dhe policia kineze, sipas Vuksanoviqit, kërkojnë partnerë për të fituar përvojë ndërkombëtare.
Ai thotë se vendet evropiane, kryesisht, nuk ishin të gatshme ta bënin këtë.
“Kjo [me Serbinë] është përpjekje për të fituar përvojë ndërkombëtare dhe, në të njëjtën kohë, është shumë e dobishme për promovimin e Kinës si një fuqi e re globale në rritje”, thotë Vuksanoviq.
Në korrik të vitit 2019, përpara pushtimit rus të Ukrainës, në Gjermani u mbajt një stërvitje e përbashkët ushtarake-mjekësore midis saj dhe Kinës.
Ajo u quajt “Ndihma e Kombinuar 2019” dhe në fokus kishte përgatitjen për reagim gjatë krizave humanitare.
Në media u përshkrua si ngjarja e parë për ushtrinë kineze në përpjekjet e saj për të krijuar lidhje më të ngushta me Evropën.
Serbia dhe Kina, viteve të fundit, i kanë forcuar edhe marrëdhëniet ekonomike dhe politike, të cilat dy vendet i cilësojnë si “miqësi të çeliktë” dhe “partneritet strategjik”.
Gjatë vizitës së dytë të presidentit kinez, Xi Jinping, në Beograd, në maj të vitit 2024, u nënshkrua një deklaratë për thellimin e partneritetit strategjik dhe “ndërtimin e një bashkësie të Serbisë dhe Kinës, me një të ardhme të përbashkët në epokën e re”.
Beogradi së bashku me Parisin dhe Budapestin ishin tri adresat e vizituara nga Xi, gjatë vizitës së tij në Evropë në pranverën e vitit 2024.
Kina, ndërkohë, u bë edhe partnerja më e madhe e tregtisë së jashtme të Serbisë për sa u përket importeve, të cilat arritën në 5.13 miliardë euro në vitin 2024.
Autoritetet në Beograd mbështeten te Kina kur bëhet fjalë për investime ekonomike dhe kredi.
Ato, gjithashtu, llogarisin në mbështetjen e Kinës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, sa i përket kundërshtimit të pavarësisë së Kosovës./REL
E-Diaspora
-
Prizreni mirëpret diasporën me parkim falas në oborret e shkollave Bashkatdhetarët që po kthehen për pushime verore në vendlindje janë mirëpritur me një lehtësi të veçantë...
-
Arratiset gjatë transportit të të burgosurve – Policia kërkon 23-vjeçarin shqiptar
-
Ftesë shoqatave shqiptare për tu bashkuar në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Zhdukurve
-
Vera e Prizrenit, 2025, zemra kulturore që rrah për diasporën
-
Gjakova në qendër të kulturës shqiptare me edicionin e dytë të festivalit “Ditët e shqiptarit”
Jeta në Austri
-
27.8% e austriakëve: Mbi 2.5 milionë njerëz me prejardhje migrimi Popullsia e Austrisë vazhdon të rritet vetëm për shkak të migrimit, sipas Statistikave të Austrisë. Në...
-
Austri: Popullsia do të tkurrej ndjeshëm pa imigracion
-
Austri: Shembet ura për këmbësorë në Linz, dy persona plagosen rëndë
-
Austri: Ankesa ndaj kërkesave strikte për efikasitet energjetik në ndërtesat e reja
-
Austri: Vetëm 14% e të rinjve duan të qëndrojnë në vendet e tyre aktuale të punës