Shqipëria

Basha prezanton pakon antimafia

Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka postuar një video në Facebook, ku ka paraqitur pikat kryesore të platformës së opozitës për të luftuar korrupsionin dhe për, siç thotë ai, t’u kthyer qytetarëve çdo pasuri që u është marrë nëpërmjet korrupsionit.

Basha rendit të parat masat “antimafia”, nëpërmjet të cilave thotë se duhet bërë verifikimi, sekuestrimi e konfiskimi i pasurisë së paligjshme, përcjell albinfo.ch.

Në videomesazhin e kreut të opozitës sqarohet edhe një pikë tjetër e rëndësishme e pakos që ka të bëjë me ligjin antimafia. “Ligji antimafia ka efekte të menjëhershme dhe konkrete: ligji vepron para dhe pas hyrjes së tij në fuqi, kontratat abuzive dhe korruptive anulohen. Pasuria e përfituar në kundërshtim me ligjin u kthehet qytetarëve dhe klima e biznesit përmirësohet”, theksohet aty.

Basha thotë se mesazhi kryesor të pakos është se me këtë ligj askush nuk do ta gëzojë pasurinë e fituar me korrupsion.