Lajme
Baerbock ia kthen shpinën Scholzit: Ai po sakrifikon paqen për disa vota
Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka drejtuar kritika ndaj kancelarit Olaf Scholz për bllokimin e ndihmës ushtarake shtesë për Ukrainën, duke e akuzuar atë për rrezikimin e paqes në Evropë në përpjekje për të “fituar disa vota” para zgjedhjeve në vendin më të madh të Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.
Baerbock, partia e së cilës, të Gjelbërit, paraqitet si mbështetësi më i fortë i Kievit në fushatën për zgjedhjet federale të ardhshme, tha se është “vërtet e vështirë” që Scholzi refuzon të miratojë tre miliardë euro shtesë për blerjen e armëve.
Pa ia përmendur emrin Scholzit, Baerbock pohoi se nuk mund ta kuptonte faktin “se si disa politikanë mundohen të fitojnë disa vota në zgjedhjet e përgjithshme” dhe kjo është më e rëndësishme se përgjegjësia për sigurimin e paqes dhe lirisë në Evropë, shkruan derspiegel.
“Politika e përgjegjshme nuk do të thotë të shkojmë në drejtimin ku fryn era, dhe ndoshta as të ndryshojmë drejtim gjatë fushatës zgjedhore”, tha Baerbock.
Mbështetja për Ukrainën kundër agresionit rus është bërë një çështje në fushatën zgjedhore para votimit në Gjermani më 23 shkurt, ndërsa kombet evropiane po përpiqen të rrisin mbështetjen për Kievin për shkak të frikës se Donald Trump mund të ulë ndihmën amerikane pas inaugurimit si president i SHBA-ve.
Scholz u përpoq të ulë shqetësimet, duke thënë se nuk pret që SHBA-të nën udhëheqjen e Trumpit të “ndalin mbështetje për Ukrainën në mbrojtjen e saj”.
Ndryshe, Gjermania është dhuruesi i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën pas SHBA-ve.
Baerbock dhe ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius, anëtar i Partisë Socialdemokrate të Scholz (SPD), mbështesin fonde shtesë për blerjen e pajisjeve ushtarake për të ndihmuar Ukrainën në mbrojtjen nga Rusia, e cila sulmoi fqinjën e saj pothuajse tre vjet më parë.
Paratë shtesë, që do të ishin mbi 4 miliardë euro të parashikuara për vitin 2025 në buxhetin e përkohshëm, do të përdoren për blerje, përfshirë tre bateri të reja Iris-T kundërajrore, si dhe raketa për mbrojtje ajrore dhe predha artilerie.
Kancelari ka deklaruar se do të miratojë paratë vetëm nëse “ndalet frenimi i borxhit” që vendos kufizime të rrepta për huamarrjet shtetërore.
CDU ka sinjalizuar se është i gatshëm të mbështesë një paketë të re për Ukrainën, por jo nëse do të thotë borxhe të tjera.
E-Diaspora
-
Ansambli “Arbëresha” festoi 22 vjetorin e themelimit Më 7 shkurt 2026, Ansambli “Arbëresha” kremtoi 22-vjetorin e themelimit me një mbrëmje të gjallë kulturore,... -
Policia bastis një klub shqiptar për shkak të lojërave ilegale të fatit -
Rumani
Sopranoja Besa Llugiqi debuton në Operën Shtetërore të Bukureshtit -
Itali
Tragjedi në Itali, fqinji rrëfen si u gjetën të pajetë katër anëtarët e familjes shqiptare -
Kompania shqiptare mbulon Forumin në Davos me mbi 100 vetura luksoze
Jeta në Austri
-
Raporti i Eurostat: Çmimet e shtëpive në BE janë rritur me 53% që nga viti 2010 Botimi i Eurostat-it “Strehimi në Evropë – Botimi 2025” tregon ndryshime të mëdha në kostot e... -
Austri: Këto cigare po bëhen më të shtrenjta -
Hendeku buxhetor i Vjenës për vitin 2025 u reduktua në 2.8 miliardë euro -
Studimi: Të rinjtë në Austri përdorin më pak mediat sociale, rritet përdorimi i chatbot-eve me inteligjencë artificiale -
Vjena planifikon shtëpi të mbyllura në grup për shkelësit e përsëritur nën moshën 14 vjeç












