Bota

Autokratët e Evropës lindore, në fushatë kundër miliarderit Soros

Magazina gjermane "der Spiegel" ia ka kushtuar një artikull shpërthimit më të ri të armiqësisë ndaj manjatit të madh nga kryeministri hungarez Orban dhe krerë tjerë autokratë të qeverive ballkanike

Miliarderi i njohur amerikan me prejardhje hebrenje nga Hungaria, Georg Soros është në shënjestër të qeverive të djathta në shumë shtete të Evropës Lindore. Kjo armiqësi me ngjyrime antisemitiste atij i vjen nga fakti i njohur se ai mbështet gjerësisht  prej vitesh organizatat joqeveritare.

Magazina e madhe gjermane der Spiegel ia ka kushtuar një artikull shpërthimit më të ri të armiqësisë ndaj manjatit të madh nga qeveritarët e njohur për populizmin dhe autokracinë e tyre. Në radhë të parë është kryeministri i Hungarisë. vendit të prejardhjes së Sorosit, Viktor Orban, ai i cili ka ngritur fushatë kundër Sorosit. Ai, për ironi, vetë ka përfituar si student nga fondacionet e Sorosit për mbështetje të shoqërisë së hapur.

“Dua ta formuloj në mënyrë shumë të kujdesshme dhe për këtë arsye do ta lexoj”.

Kështu i është drejtuar publikut miliarderi i brengosur 86 vjeçar, duke lexuar pastaj gjashtë fjali ku shprehet shqetësimi lidhur me sulmet e bëra mbi organizatat e shoqërisë civile të mbështetura nga ai dhe drejtpërdrejt mbi të, transmetonalbinfo.ch shkrimin e der Spiegel.de. “Përpjekjet e Qeverisë Hungareze për ta diskredituar dhe frikësuar shoqërinë civile, janë të papranueshme”, ka thënë ai veç tjerash, me shqetësim evident në fjalimin e tij të mbajtur në Forumin e Davosit, pak ditë më parë.

Ndërsa shkas për këtë shqetësim ka qenë ofensiva e re e kryeministrit Orban dhe partisë së tij Fidesz kundër OJQ-ve dhe në veçanti atyre të financuara nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, i Sorosit.

Orban, vetë dikur bursist i Sorosit, e ka shpallur vitin 2017 vit të “Rebelimit nacional” me ç`rast Sorosi dhe forcat që i simbolizon ai, duhet të dëbohen nga Hungaria. Punonjësit e OJQ-ve sipas një partiaku të Orbanit me një ligj të ri do të kontrollohen në mënyrë shumë më të detajuar dhe do të detyrohen të dëshmojnë të hyrat e tyre në mënyrë të hollësishme.

Më tutje në artikull bëhet fjalë për fushatat që qeveritë e vendeve si Maqedonia, Serbia dhe Rumania kanë udhëhequr kundër Shoqërisë së Hapur të Sorosit dhe OJQ-ve në përgjithësi.

“Në Maqedoni nuk kalon pothuaj asnjë ditë pa përbetimet e de-facto sunduesit të vendit, Nikola Gruevskit kundër OJQ-ve, Sorosit dhe “mbështetësve të tij maqedonas”, përcjell albinfo.ch. Si të tillë ai e konsideron hapur prokurorinë speciale publike e cila heton në raste të shumta, aktualisht edhe kundër tij, për korrupsion dhe abuzim me pozitat zyrtare. Javën e kaluar është themeluar një “Aleancë e qytetarëve `Stop Opracionit Soros`”, e cila i ka vënë vetes për qëllim “De-Sorosizimin” e Maqedonisë.

Kryeministri serb Aleksandar Vucic në televizionin e afërm me qeverinë  “Pink TV” punonjësit e OJQ-ve dhe instituteve të pavarura për hulumtimin e opinionit i akuzon rregullisht si “antiserbë” dhe “antinacionalë”. Si shembull, javën e kaluar, drejtoresha e “Qendrës për Studime Euroatlantike” të Beogradit, Jelena Milic ishte në shënjestër të mediave proqeveritare si “mercenare e Sorosit”. Po ashtu javën e kaluar aktivistët e Rrjetit Ballkanik të Rinisë “YIHR ishin rrahur pasi që në një qytet të Serbisë veriore kishin protestuar kundër një manifestimi të partisë qeveritare SNS kushtuar një krimineli të luftës.

Kur kryeministrat si Vucic, Orban ose Gruevski udhëheqin fushata kundër OJQ-ve dhe Sorosit, ata fusin në përdorim teoritë e njohura të konspiracionit sipas të cilave organizatat ndërkombëtare dhe në veçanti ato hebrenje janë të drejtuara kundër atdheut, popullit dhe interesave nacionale, përcjell albinfo.ch. Biografia e Sorosit si hebre hungarez, i mbijetuar i Holokaustit, emigrant dhe spekulant bursash me pasuri përrallore, përshtatet veçanërisht mirë për ilustrimin e teorive në fjalë.