Vendimi për vazhdimin e bashkëpunimit mes Partisë Socialdemokrate (SPÖ) dhe NEOS në Vjenë u mor të premten në mbrëmje, duke i dhënë fund negociatave një muaj pas zgjedhjeve të fundit në kryeqytetin federal. Sipas palëve, bisedimet kaluan pa probleme dhe përfunduan me një marrëveshje të re që do t’i lejojë të dyja partitë të qeverisin së bashku për pesë vitet e ardhshme, shkruan Krone, transmeton albinfo.ch.
NEOS e përshkroi procesin si “konstruktiv” dhe theksoi se negociatat u mbajtën brenda afatit të paracaktuar, ndërsa burime brenda SPÖ-së folën për një “marrëveshje shumë të mirë dhe të shpejtë”. Qeveria e re e qytetit pritet të jetë e qëndrueshme dhe do të konstituohet para verës.
Megjithatë, miratimi përfundimtar kërkon ende votat e komisioneve të partive. SPÖ do të votojë paketën e negociuar më 3 qershor, ndërsa NEOS do të organizojë një mbledhje të përgjithshme shtetërore më 7 qershor, ku do të diskutohet dhe miratohet marrëveshja. Ende nuk ka informacione zyrtare rreth ndarjes së departamenteve, numrit të anëtarëve të senatit apo çështjeve të personelit, transmeton albinfo.ch.
Ndryshe nga negociatat e vështira në nivel federal, në Vjenë procesi ka qenë relativisht i qetë dhe pa polemika të mëdha. Në zgjedhjet e 27 prillit, koalicioni i kuq-rozë mori mandat për të vazhduar qeverisjen. Një moment i paharrueshëm i vitit 2020 ishte shërbimi i një petulle gjigante rozë gjatë prezantimit të koalicionit, por këtë herë SPÖ nuk pati dhurata për të shpërndarë gjatë bisedimeve.
Qytetarët e Vjenës do të shohin brenda pak javësh përbërjen e qeverisë së tyre të re dhe planet për mandatin e ardhshëm, transmeton albinfo.ch.