Astrit Krasniqi ka përfunduar me sukses dhe është diplomuar me nderime të larta nga Akademia Policore e Nju Jorkut (NYPD), duke u vlerësuar për rezultatet e tij të jashtëzakonshme gjatë trajnimit, shkruan albinfo.ch.
Ceremonia e diplomimit u zhvillua në prani të familjarëve, miqve dhe kolegëve të tij të rinj, ku u vlerësua jo vetëm përgatitja profesionale, por edhe përkushtimi i tij ndaj shërbimit publik dhe sigurisë.
Nderim Krasniqi, babai i tij, shprehu krenarinë dhe urimet për të birin dhe kolegët e tij të rinj:
“Të uroj, biri im, ty dhe të gjithë kolegëve tuaj siguri dhe karrierë të suksesshme. Zoti ju bekoftë dhe ju ruajt.”
Me këtë diplomim, Astrit Krasniqi i bashkohet forcave të rendit në një prej departamenteve më të njohura të policisë në botë, duke hapur një kapitull të ri në jetën e tij profesionale. /albinfo.ch











