Integrimi
“Paco”, një tetovar që krijon artin e tij në alpet zvicerane
Fjala është Huzri Mustafin, i njohur me emrin artistik "Paco". Ai merret me pikturë, në Adelboden ku po ashtu u jep nxënësve mësime arti

Kësaj herë më është dashur të ndjek rrugën gjarpëruese e cila fillon nga Thuni për Frutigen, e të çon lart në Alpet zvicerane, në fshatin turistik Adelboden, ku jeton dhe vepron më shumë se 7 vite, artisti i ri shqiptar i ardhur këtu nga Tetova.
Bëhet fjalë për Huzri Mustafin, i njohur me emrin artistik Paco. Që nga viti 2017, Paco merret me pikturë. Krahas ngjyrës, pra artit, Paco gjithashtu jep dhe një kontribut të çmueshëm duke bartur artin tek gjeneratat e reja. Këtë e bën përmes projekteve në bashkëpunim me nxënësit dhe shkollën fillore në Adelboden. Është artist i ri, i cili ka filluar të fitoj audiencë dhe tashmë klientët e tij, kohë pas kohë e angazhojnë me piktura të cilat i preferojnë ata.
Për më tepër, Albinfo.ch vizitoi Pacon në atelienë e tij, në pasditen e së shtunës. Kishte shumë vizitorë, me cilët duhej të merrej, e megjithatë ne gjetëm një moment për të biseduar dhe ndarë me publikun, disa detaje nga puna dhe jeta e tij.
Ne na interesonte të dimë se nga filloi e gjithë kjo, çfarë ishte ajo që e shtyri të merrej me art, cilët ishin artistët e tij të preferuar dhe të ngjashme me këto. Paco na tha se vizatimi ka qenë ndër gjërat e pakta që shumë herët është shënuar në kokën e tij.
„Kam qenë shumë i vogël, ndoshta 4 vjeçar, halla dhe xhaxhai im merreshin me vizatime dhe kah i shihja ata, sa bukur vizatonin, më pëlqente si aktivitet dhe sot mbaj mend mirë vizatimet e tyre. Dikur më vonë e fillova si hobi, por që nga viti 2017, kam filluar të merem seriozisht me këtë punë dhe vazhdoj me të njëjtin ritëm“ – theksoi Huzri Mustafi, i njohur si Paco.
Rreth bashkëpunimit të tij me shkollën fillore në fshat, Paco tha se tani jep mësim mbi artin në të njëjtën shkollë, ku kishte mësuar dikur. „Aty realizoj projekte artistike me nxënësit, në bashkëpunim me shkollën, vizatime nga më të ndryshmet. Në fillim, ju jepja hapësirë më shumë fëmijëve që të vinin me ide të tyre, por dikur pash që ky lloj veprimi i hutonte pak ata, dukeshin sikur fëmijët që futen në ujë pa ditur not dhe mu desh pastaj, të kanalizoj idetë e tyre, t`i mbështes dhe pak a shumë t`u tregoj rrugën që ata pastaj të vazhdonin vet“ – nënvizoi Paco, tek sa na fliste rreth punës me nxënësit.
Nuk mund të mos e pyesja dhe një pyetje pak të sikletshme, e që ka të bëjë me çmimin e punimit më të shtrenjtë. Në këtë pyetje, Pako duke qeshur na u përgjigj shkurt se punimi i tij më i shtrenjtë që ka shitur, ka kushtuar 20 000 franga. Kur jemi këtu, Paco na informoi se ka disa klientë të cilët kanë porositur punime sipas shijeve të tyre, së fundmi disa punime është duke i realizuar për një klient, me elemente dhe pamje nga pjesa e vjetër e qytetit të Cyrihut.
Ai përmend artistët e renesancës në Itali si Da Vinçi, Mikelanxhelo, Rafaelo por shton se edhe artistët e mëdhenj të më vonshëm, si Van Gog apo Pikaso, i kanë dhënë inspirim për të punuar dhe vazhduar me artin. Ose, siç thotë ai, „çdo art është unik dhe çdo artist dikur merr kahjen e vet dhe pikturon sipas mendjes dhe dëshirës së tij.“
Rreth të ardhmes, Paco na bëri me dije se gjërat nuk i planifikon dhe aq shumë në detaje, ato vijnë spontanisht, por nuk e fshehu mundësinë që një ditë të bëj një seri vizatimesh me dunat e shkretëtirës së Saharasë, për të cilën më tha se duhej njëherë të ndjeje erën fishkëlluese mbi zallin e nxehtë në shkretëtirë për të vazhduar më tej.
I shoqëruar nga e shoqja, vajza e vogël, motrat dhe prindërit e tij, Paco mirëpriste mysafirët që kishin ardhur për tu njohur me punën e tij të mrekullueshme. Pas disa çasteve dhe bisedës sonë të këndshme, u larguam duke shpresuar që një ditë do të kthehemi përsëri, për të parë risitë e artit që kultivohen nga dora shqiptare në fshatin e vjetër piktoresk në maje të Alpeve zvicerane.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
“Me zemër për Diasporën”, panairi i grave në Prishtinë sjell ngjyrat e traditës dhe fuqizimin ekonomik Ushqime tradicionale, veshje kombëtare, punime artizanale dhe produkte të freskëta vendore u prezantuan në panairin “Me...
-
Pranon se ka kultivuar kanabisin: “Kam menduar se është e ligjshme”, thotë shqiptari
-
Pritjet e qytetarëve për të dalë nga Kosova arrijnë deri në dy orë
-
Luanda Domi shpërblehet me çmimin ndërkombëtar në sigurinë kibernetike
-
Mërgimtarja nga Peja i sjell shoqet zvicerane në dasmë shqiptare në Kosovë
Jeta në Austri
-
Hendeku gjinor i pensioneve në Austri zvogëlohet pak Hendeku gjinor në pensionet e Austrisë mbetet në 39.7 përqind, duke u kushtuar grave 204 mijë...
-
Planet për të kufizuar çmimet e ushqimeve në Austri përballen me dyshime të mëdha
-
Fiona Kabashi diplomon në Universitetin Mjekësor të Vjenës
-
Probleme me pensione invaliditeti në Austri
-
Vjena hoqi 800 biçikleta të vjetra këtë vit