Integrimi
Arti që ndihmon integrimin
Në ambientet e Qendrës për Integrim të Kantonit të Aargaut është hapur ekspozita e Agron Bajramit me punime pirografike
Agron Bajramin, komuniteti shqiptar në Zvicër dhe më gjerë e njeh shumë mirë si valltar, gjegjësisht si themelues dhe drejtues të Shkollës së Vallëzimit “Shota” në Aarau. Pak muaj më parë kjo shkollë ka kremtuar 20 vjetorin e themelimit dhe në sallën ku mbahej manifestimi jubilar ishin ekspozuar edhe një numër punimesh të tij në teknikën jo shumë të njohur, në pirografi. Për shumë kënd kjo “faqe” e re e Agronit mund të ishte një zbulim, por ai në fakt ka rreth 15 vjet që e ushtron këtë formë arti.
Një rast për të prezantuar në mënyrë më të kompletuar punën e tij artistike, Bajramit ia ka ofruar Pika e Kontaktit për integrim e kantonit Aargau në qendër të kryeqytetit të këtij kantoni, Aaraut. Në zyrat dhe sallat e objektit të ri ku është vendosur kjo “pikë” janë varur një pjesë e punimeve të Agron Bajramit dhe ditë më parë (më 3 prill) është mbajtur mbrëmja vernisazhit të ekspozitës së tij.
Pamje qytetesh të Zvicrës, Kosovës e Shqipërisë, peizazhe të natyrës zvicerane e shqiptare, figura kafshësh, portrete personalitetesh historike… janë punimet brenda kornizave kryesisht të formatit të vogël, që janë varur në muret e që shërbejnë si galeri artesh.
Autori, Agron Bajrami thotë se këtu i ka të ekspozuara vetëm punimet më të reja, të krijuara në vitet 2012-2013. “Me këtë lloj arti merrem që nga koha e para luftës dhe tashmë kam shumë punime në shtëpi apo edhe të dhuruara nëpër miq e gjetiu. Por këtu sonte i kam ekspozuar vetëm rreth 30 punime dhe të gjitha janë punuar brenda vitit të kaluar”, sqaron Bajrami.
Ai shton se përzgjedhja e temave për këtë ekspozitë ka qenë e rastit, që domethënë nuk bëhet fjalë për ndonjë ekspozitë tematike. “Po ashtu këtu mbizotërojnë punimet me format të vogël, për shkak të specifikave të ambientit ku ato ekspozohen”.
Më tutje A. Bajrami flet për mënyrën e punës që e karakterizon pirografinë, ose “shkrimin me zjarr”. “Punimet i bëj në “shperpllakë” (kompensatë). Është me rëndësi të punohet në këtë material dhe jo në dërrasë natyrale pasi që kjo e dyta ka edhe nyje gjë që e pengon mjetin me të cilin punohet, “letkonin” për të bërë punën e vet dhe dëmton punimin”, sqaron ai procesin delikat të punës.
Udhëheqësja e qendrës për integrim, Lelia Hunziker në cilësinë e nikoqires ka bërë hapjen e ekspozitës të cilën e ka nderuar me praninë e saj edhe ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, Shukrije Ramadani.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur për gjashtë muaj rresht, gjegjësisht deri më 3 tetor të këtij viti. Ajo, siç bëri të ditur Hunziker, mund të vizitohet nga e hëna deri të premten, gjatë orarit të punës. Vizitat mund të bëhen spontanisht por është e dëshirueshme edhe të bëhet një paralajmërim, sidomos kur vijnë grupe, shtoi Hunziker.
“Me hyrjen në lokalet e reja para rreth dy vitesh ne u përballëm me muret e bardha e të zbrazëta. Kjo na shtyri të mendonim për një zgjidhje që do t`u jepte jetë këtyre mureve. Ideja për të cilën u pajtuam të gjithë, ishte që këtë hapësirë të bardhë ta mbushim me punime artistike. Vendosëm që të kërkojmë nga artistët e prejardhje të huaj që jetojnë në regjion e më gjerë, t`i ekspozojnë punimet e tyre këtu”, thotë për albinfo.ch Lelia Hunziker.
Deri më tash në këto hapësira janë hapur gjashtë ekspozita të këtilla. Veç kritereve artistike, një kusht për të ekspozuar këtu është që “punimet të jenë të përshtatshme për t`u varur në mure dhe të mos kenë struktura të ndërlikuara që do të na pengonin në punën tonë këtu, sepse, siç e shihni, këto janë ambientet tona të punës. Me këto punime ne fisnikërojmë ambientin ku punojmë dhe ku frekuentojnë mijëra persona që vijnë këtu të këshillohen”, thotë Hunziker.
“Por njëkohësisht, u japim një shans artistëve që punimet e tyre, të cilat ndoshta do të mbeteshin nëpër bodrume dhe pa kushte ekspozimi, t`i prezantojnë para publikut. Kështu gjen shprehje gjithsesi edhe roli integrues i artit ”, përfundon ajo.
E-Diaspora
-
Mbi 18 mijë votues nga Zvicra për zgjedhjet në Kosovë Mërgata kosovare në Zvicër po dëshmon edhe këtë herë interes të lartë për procesin zgjedhor në... -
Leyla Ibrahimi-Salahi uron udhëtarët: “Na pret një 2026 plot risi” -
Traditë shqiptare e Krishtlindjes që ndriçon një lagje zvicerane -
Fehmi Mahalla: Nga Ferizaj në Lozanë, kampion dhe trajner i kampionëve -
Studentët shqiptarë në Zvicër në takim me Ambasadën e Shqipërisë në Bernë për Ditën Kombëtare të Diasporës
Jeta në Austri
-
Sulmohet me armë xhamia e shqiptarëve në Austri Mbrëmjen e kaluar, rreth orës 23:55, persona të panjohur kanë sulmuar hyrjen e xhamisë shqiptare në... -
Trump dëshiron ta shkëpusë Austrinë nga BE-ja -
Austria do të vazhdojë angazhimin e saj në KFOR, deri në 600 ushtarë në vitin 2026 -
“Varg e Vi” me projekt në Vjenë -
Policia bastisë shtëpinë e 46 vjeçarit në Austri, zbuluan simbole naziste












