CH-Ballkani

Arrestohet në Gjermani 16-vjeçari që kishte vrarë një afrikan në Francë

Më 22 shtator, një person 21-vjeçar ishte qëlluar me thikë për vdekje në sheshin Place de Jaude, në Clermont-Ferrand të Francës.
I dyshuari kryesor, një shqiptar 16-vjeçar, të martën më 6 nëntor është arrestuar në Gjermani, shkruajnë mediat franceze, përcjell Albinfo.ch.
Sipas portalit francez “La Montagne”, autori i dyshuar i goditjes vdekjeprurëse të një afrikani 21-vjeçar në Clermont-Ferrand, më 22 shtator të këtij viti, është arrestuar në Gjermani. 16 vjeçari shqiptar u arrestua mbrëmjen e së martës, më 6 nëntor.
Në fillim të tetorit, në Clermont-Ferrand, katër të rinj që kishin marrë pjesë në zënkën vdekjeprurëse dhe ishin arrestuar. Në këtë grup kanë qenë 3 të mitur të lindur në mes të viteve 2000 dhe 2001, dhe një i ri 20-vjeçar. Ndaj të gjithëve është ngritur padi, informon më tej Albinfo.ch.
Në atë kohë, prokuroria kishte konstatuar “a priori” se autorët e dyshuar të plagëve me thikë, nuk ishin pjesë e këtij grupi. Pas kësaj, u lëshua një urdhërarrest europian. Kjo solli në arrestimin e të dyshuarit kryesor në Gjermani, i cili ishte në arrati që nga sulmi vdekjeprurës. Ky i fundit duhet t’i paraqitet drejtësisë franceze. Sipas mediave franceze, ekstradimi i tij mund të zgjasë deri në gjashtëdhjetë ditë.