Lajme

Arrestohen 20 serbë, planifikuan akt terrorist në Mal të Zi

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-komandantin e Xhandarmërisë së Serbisë, Bratisllav Dikiq, i cili sipas autoriteteve në Podgoricë, po planifikonin që bashkë me 19 serbë të tjerë të zhvillojnë një akt terrorist në prag të zgjedhjeve parlamentare atje

Policia e Malit të Zi, ka arrestuar një grup prej 20 serbësh të armatosur, në mesin e të cilëve edhe ish komandantin e Xhandarmërisë së Serbisë, Bratisllav Dikiq, të cilët, sipas autoriteteve në Podgoricë, po planifikonin të zhvillojnë një akt terrorist, në prag të zgjedhjeve parlamentare.

Grupi i armatosur i serbëve është arrestuar mbrëmë, ndërsa drejtori i policisë malazeze, Slavko Stojanovic, gjatë ditës së sotme në një konferencë për media, tha se 20 shtetas serbë janë arrestuar nën dyshimin për krijimin e një organizate kriminale dhe terroriste në Mal të Zi.

Sipas Stojanovic, aksioni për arrestimin e tyre u krye nga zyrtarët e Administratës së Policisë, bashkë me Agjencinë për Sigurinë Kombëtare dhe kishte për qëllim sulmin mbi disa institucione malazese, transmeton Express.

“Këta persona dyshohet se kanë hyrë në territorin e Malit të Zi kanë kryer veprën penale për krimin e një organizate kriminale dhe terroriste. Ata sic dyshohet kanë hyrë në Malin e Zi me qëllim që të marrin armët automatike, pastaj që sonte të kryejnë sulm mbi institucionet e sistemit, policinë dhe përfaqësuesit e organeve shtetërorë, duke mos përjashtuar mundësinë e sulmeve mbi zyrtarët e lartë të shtetit”, thotë drejtori i Policisë malazeze.
Në anën tjetër, kryeministri i Serbisë, Aleksandar Vuçic ka thënë se ai nuk ka asnjë informacion për arrestimin e grupeve paramilitare kriminale në Mal të Zi.

“Ne nuk kemi ndonjë informacion në lidhje me të, ministri serb i policisë më informoi. Bëhet fjalë për një njeri i cili është një pensionist. E çuditshme për mua është dita në të cilën kjo po ndodh”, u tha Vucic gazetarëve.

Ndërkaq, Prokuroria Speciale Shtetërore e Malit të Zi me anë të komunikatës njoftoi se grupi prej 20 shtetasve serbë ngarkohet për dy vepra kriminale, ndër të cilat është plani për arrestimin e kryeministrit Milo Gjukanovic.

“Ekzistojnë dyshime të bazuara se nga fillimi i tetorit në Serbi dhe Mal të Zi është formuar organizatë kriminale me qëllim të ndikimit mbi pushtetin ligjdhënës dhe ekzekutiv në Mal të Zi. Dyshohet se plani i kësaj organizate ka qenë që në kohën e shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, me përdorim të armëve t’i sulmojnë qytetarët e tubuar para Kuvendit të Malit të Zi dhe nëpunësit e Drejtorisë së Policisë, e pastaj të pushtojnë hapësirat e Kuvendit, me qëllim që të shpallin fitoren zgjedhore të partive të caktuara politike”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu, “dyshohet se plani i organizatës kriminale ka qenë privimi nga liria i kryeministrit të Malit të Zi”.

Sipas Prokurorisë, organizatori i grupit, ish-drejtori i Xhandarmerisë serbe Branisllav Dikiq, të shtunën herët në mëngjes ka ardhur në Mal të Zi me qëllim të realizimit të mëtejshëm të planit kriminal dhe komandimit me personat e armatosur me qëllim të pushtimit të Kuvendit dhe institucioneve tjera shtetërore.

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq dhe kryeministri, Milo Gjukanoviq, nuk e kanë pohuar por as edhe mohuar lajmin, në deklaratat e tyre të dhëna, por kanë thënë se “presin që institucionet shtetërore të deklarohen publikisht”.
Kryemninistri i Mali të Zi, Milo Gjukanoviq, ka deklaruar se për arrestimin e Bratislav Dikiqit ka po aq njohuri sa janë publikuar në media, dhe pret që zgjedhjet parlamentare të kalojnë në një atmosferë të qetë dhe të rregullt.

“Kam informata të cilat i keni edhe ju, pra ato që janë publikuar në media. Në kontaktet që kam pasur me organet shtetërore kam marrë sigurimin se është në përgatitje e sipër deklarata për shtyp, me të cilën od t’i drejtohen organet shtetërore opinionit publik në një fazë përfundimtare. Pres që së shpejti të marrim informatën e plotë rreth kësaj”, tha Gjukanoviq.