Shkurt.ch

Schneider-Ammann: “Për një Zvicër sovrane e të lidhur me botën”

"Asnjë vend në botë nuk është më konkurrues dhe më inovativ se Zvicra Dhe, që kjo të mbetet kështu, ne duhet t`i kryejmë së bashku detyrat tona urgjente të shtëpisë"

«Sovrane, në mes të Evropës dhe e lidhur ekonomikisht me botën». Kjo është Zvicra e përshkruar në fjalimin e Vitit të Ri me të cilin  sot i është drejtuar popullit kryetari i ri federal, Johann Schneider-Ammann. Për këtë fjalim ai ka zgjedhur portin e Rajnës në Bazel. Ky vend, ka thënä ai, i pasyron vetitë tipike të Zvicrës.

Në fjalën e tij, Ammann ka theksuar se viti i kaluar është shënuar nga një varg zhvillimesh shqetësuese që kanë kërcënuar sigurinë. Së pari frangu i fortë pastaj terrori, refugjatët dhe konfliktet, kanë treguar se si krizat mund të marrin drejtime dramatike.

«Kur rrethepërqark po vlon, ne na bën mirë të orientohemi nga pikat tona të forta», ka thënë presidenti, shkruan srf.ch. Sepse, ka shtuar ai, asnjë vend në botë nuk është më konkurrues dhe më inovativ se Zvicra, transmeton albinfo.ch. Dhe, që kjo të mbetet kështu, ne duhet t`i kryejmë së bashku detyrat tona urgjente të shtëpisë.

Me këtë rast Schneider-Ammann ka numëruar tri detyra: Sigurimi i rrugës bilaterale (në rasport me BE-në) dhe në të njëjtën kohë mbrojtja e sovranitetit të vendit, do të ishte detyra e parë. Pastaj, detyra e dytë sipas të parit të Zvicrës është forcimi i ndërmarrjeve si garantë të vendeve të punës dhe së këndejmi edhe garantë të sigurisë sociale dhe mirëqenies.

Detyra e tretë është tregimi i guximit për të jetësuar reformat që na presin, ka thënë Ammann. Për të ka shumë rëndësi që «Sërish të veprojmë më me guxim, duke u nisur nga besimi dhe jo nga mosbesimi. Po ashtu të mundësojmë më shumë dhe jo të ndalojmë më shumë», ka theksuar presidenti, duke bartur këtu edhe frymën liberale që përfaqëson ai në qeveri.