Kosova

Ambasadori Martin Berishaj përfundon deklaratën në Prokurorinë Speciale, deklarohet avokati i tij

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, ka përfunduar deklaratën e tij në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Avokati i tij mbrojtës, Tomë Gashi, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se Berishaj kishte paraqitur kërkesën për të dhënë deklaratë sqaruese pas disa pretendimeve që kishin dalë në media, transmeton albinfo.ch.

“Të dashura gazetare, të dashur gazetarë. Martin Berishaj qysh më 27.01.2023 ka paraqitur kërkesë për të dhënë deklaratë sqaruese në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës lidhur me pretendimet që kanë dalë në media. Martini tashmë ka dhënë deklaratë në PSRK. Deklarata e tij është konfidenciale”, ka shkruar ai.

Tutje ai po ashtu ka sqaruar se as ai nuk mund të deklarohet më shumë për përmbajtjen e kësaj deklarate.

Në anën tjetër, zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Ekrem Lutfiu, ka deklaruar për media se nuk ka informacion nëse ambasadori Martin Berishaj është në objektin e Prokurorisë Speciale apo është duke u intervistuar, por ka bërë të ditur se nuk ka aktakuzë ndaj tij.

“Kërkoj ndjesë për shkak të mosinformimit, por as unë nuk kam informata se a është intervistuar. Nuk kam informata që mund t’i ndaj me ju. Nëse do kishte aktakuzë, do t’ju kishim informuar. Përderisa nuk ju kemi informuar, nuk ka aktakuzë”, ka thënë Lutfiu.

Ky intervistim vjen pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën është raportuar në media.

Ndryshe, Martin Berishaj shërben si ambasador i Kosovës në Kroaci që nga viti 2021.