Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, së bashku me të ngarkuarin me punë të Republikës së Kosovës, Albinot Bimbashi, vendosën tufa me lule në qytetin e Grazit, në nderim të viktimave të tragjedisë së rëndë që ndodhi më 10 qershor 2025, shkruan albinfo.at.
Të dy diplomatët, së bashku me asambleistin shqiptar në Graz, Arsim Gjergji, njëherësh edhe kryetar i Këshillit Koordinues të Shoqatave Shqiptare në Steiermark, vizituan gjithashtu Komunën e qytetit Graz, ku shprehën ngushëllimet e tyre të thella për të gjitha viktimat e kësaj ngjarjeje të rëndë dhe tronditëse.
“Humbja e jetëve të pafajshme në këtë ngjarje tronditëse na ka prekur thellë. Në këto momente dhimbjeje dhe solidariteti, jemi pranë popullit dhe autoriteteve austriake, duke ndarë me ta dhimbjen dhe duke shprehur mbështetjen tonë të sinqertë. Ngushëllimet më të ndjera shkojnë për familjet e viktimave, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim të shpejtë. Lutjet tona shkojnë për Grazin”, thuhet në një postim të Ambasadës së Shqipërisë në Austri.