Integrimi

Alther: “Nuk ka një komunitet unik shqiptarësh në Zvicër”

Në letrën që kryetari i shoqatës Shqipëri-Zvicër i ka dërguar qendrës për luftimin e racizmit thuhet se “imazhi i Shqipërise po vuan nga përgjithësimet”

Qendra për luftimin e racizmit ka publikuar së fundi një raport të një studimi në lidhje me qëndrimet raciste në popullatën zvicerane. Por, siç del nga ky raport, vetë studiuesit mund të kenë rënë në kurthin e racizmit.

Rezultatet e këtij raporti, gjegjësisht kapitullin me temën “komunitetet problematike” i ka kundërshtuar shoqata Zvicër-Shqipëri, me kryetar Rolf Alther.
Për këtë raport janë pyetur 1700 persona për atë se cilat grupacione sipas tyre bëjnë më shumë probleme. Përgjigjet kanë qenë po aq të hapura sa edhe pyetjet. Në përgjithësi, më së shumti në këtë kategori janë përmendur në mënyrë përgjithësuese “të huajt” dhe menjëherë pas tyre “shqiptarët” dhe “afrikanët”. Publikimi i rezultateve përmes një diagrami, sipas krytarit Alther, ka shkuar tepër larg.
“Mua më pengon që koncepti “shqiptarët” po përgjithësohet, pasi që dihet se ka shqiptarë nga Maqedonia, shqiptarë nga Kosova dhe ka po ashtu edhe shtetas të shtetit të Shqipërisë. Kulturat e të gjithë këtyre janë shumë të ndryshme”.
Më tutje në letrën që shoqata në fjalë i ka dërguar qendrës për luftimin e racizmit thuhet se “imazhi i Shqipërise po vuan nga përgjithësimet e tilla”.  
Udhëheqësi i qendrës në fjalë, Michele Galizia, lidhur me këtë ka thënë se ai që raporton mbi qëndrimet raciste nuk mund t`i ikë paraqitjes paushalle që del nga sondazhet.
“Nëse ne duam të bëjmë punë parandaluese duhet t`i qasemi problemit. Një problem që nuk diskutohet, nuk mund as të zgjidhet”.
Galizia ka pranuar se diagramet e publikuara kanë nevojë për sqarime plotësuese, më të sakta, shkruan srf.ch. Edhe Këshilli Federal në përgjigjen që i ka dhënë  një mocioni në parlament ka premtuar se në të ardhmen qendra e Galizia-s me rastin e kumtimit të rezultateve do të veprojë në mënyrë më të diferencuar.
Rolf Alther nga shoqata Zvicër-Shqipëri tregohet i kënaqur: “Qëllimi është që të krijohet vetëdija se ekzistojnë komunitete, grupacione të ndryshme shqiptare”.