Kosova

Alternativa largohet nga koalicioni me LDK-në

LDK dhe Alternativa kishin nënshkruar koalicionin e tyre të përbashkët në muajin maj të vitit të kaluar për zgjedhjet e jashtëzakonshme

Alternativa për Kosovën ka shkëputur koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar Mimoza Kusari-Lila, kryetare. Kusari-Lila tha se Alternativa do të veprojë si e pavarur brenda Kuvendit të Kosovës.

Sipas saj arsyeja pse kanë vendosur të shkëpusin koalicionin, është pasi që partia ka ardhur në një pikë ku i duhet më tepër fokus promovimit dhe hapësirë më të madhe, jashtë LDK-së.

“Po, kemi dal nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Tash unë dhe Iliri do të jemi deputetë të pavarur në Kuvendin e Kosovës, duke e përfaqësuar Alternativën”, tha Lila për Gazetën Express, përcjell albinfo.ch.

Megjithatë, sipas kryetares së partisë, bashkëpunimi me LDK-në do të vazhdojë në kuadër të opozitës.

“Nuk ka ndryshim në politikat edhe qasjen në atë se çka ne jemi deklaruar deri tash sa i përket bisedimeve, qëndrojmë në të gjitha ato pika, sa i përket domosdoshmërisë së ndryshimit të formës së qeverisjes”, u shpreh ajo.