Kosova
Alibia e Spanjës për të mos e njohur Kosovën

Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qipro janë 5 shtetet e Bashkimit Europian që nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, edhe pse tashmë ky fakt, i ndodhur në vitin 2008, është ligjëruar dhe në Gjykatën Ndërkombëtare.
Sipas vetëm mediave dhe analistëve spanjollë, ka qenë pikërisht shpallja e pavarësisë nga Serbia në mënyrë të njëanshme, çka i ka penguar qeveritë spanjolle të deritanishme që të mos e njohin Kosovën shtet. Për ta, kjo do të krijonte një precedent të rrezikshëm brenda vendit, sidomos në krahinën e Katalunjës, liderët e së cilës janë frymëzuar nga shembulli i Kosovës disa vite më parë, për të kërkuar pavarësinë nga Spanja.
Katalunja është vetëm një nga 17 krahinat autonome që përbëjnë zyrtarisht Mbretërinë e Spanjës. Përveç saj, problemet më të mëdha shteti i ka pasur me baskët, sidomos në vitet pas Luftës së Dytë Botërore, të zgjidhura përfundimisht vetëm në vitin 2011, sipas të cilës, ETA shpalli ndërprerjen e aktivitetit të armatosur, shkruan a2, përcjell albinfo.ch.
Marrëdhënia mes Spanjës dhe Kosovës vijon e pandryshuar prej një dekade. Në vitin 2009, kryeministri i atëhershëm spanjoll, José Luis Rodríguez Zapatero, tërhoqi trupat spanjolle nga Kosova, duke marrë kritika nga shtetet e tjera anëtare të NATO-s. Ndërsa disa vite më vonë, pasuesi i tij në detyrë, Mariano Rajoy, refuzoi të merrte pjesë në një samit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor që zhvillohej në Bullgari, sepse në të do të merrte pjesë edhe një delegacion nga Kosova.
Përveç 5 shteteve të BE-së, edhe komuniteti ndërkombëtar vijon të jetë i ndarë mbi këtë çështje. Rusia, “mbrojtëse e përjetshme” e serbëve, sigurisht që nuk e njeh Kosovën, por presidenti Vladimir Putin e ka përdorur gjithmonë pavarësinë e saj, kur i është dashur të justifikojë aneksimin e Krimesë dhe mbështetjen e lëvizjeve separatiste në Ukrainë. Kina gjithashtu është një tjetër shtet i madh, me një vend në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që nuk e njeh Kosovën.
Nga ana tjetër, edhe komisionieri europian për Politikat e Zgjerimit, Josep Borrell, e ka bërë të qartë në vitin 2018 se Spanja nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës nëse ajo dhe Serbia nuk arrijnë një marrëveshje mbi pavarësinë e saj, ku të hiqet përgjithmonë termi “në mënyrë të njëanshme”.
E-Diaspora
-
Halili+Partner Ingenieure nga Zvicra vlerësohet në Oman me vendin e dytë Pas një gare të fortë ndërkombëtare në kuadër të Konkursit të Dizajnit 2025 të Komunës së...
-
Kjo është gjendja në pikëkalimet kufitare me Kosovën
-
Dyseldorf: Ndahen mirënjohjet për nxënësit e mësimit plotësues të gjuhës shqipe
-
Liriona Morina, finaliste në mesin e avokatëve të rinj më të mirë të Evropës
-
Nxënësit shqiptarë nga Zvicra nisin Shkollen Verore “Jam Shqiptar”
Jeta në Austri
-
Austri: 27% e të rinjve me prejardhje migrante braktisin herët shkollimin Në Austri, më shumë se 100,000 të rinj kanë përfunduar shkollimin e detyrueshëm në maksimum dhe...
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme
-
Tragjedi në Festival: Vdes një 22-vjeçar pas një incidenti sigurie
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj