Integrimi

Agimi, njeriu dhe artisti që na e mori lufta

Ibrahim Kadriu: “Ekspozitën e pavarur, të paralajmëruar në poezinë e tij, mjerisht, Agimi nuk e përjetoi por po e përjetojmë ne”

Këto ditë, në disa qytete të Zvicrës është bërë promovimi i librit në tre vëllime “Agimi i Lirisë”, monografi kushtuar heroit të Kosovës, Agim Ramadani, përgatitur nga shkrimtari Ibrahim Kadriu,

Promovimin e mbajtur të dielën që shkoi më 15 maj në Bülach të Cyrihut e organizoi Ansambli i këtushëm i këngëve dhe i valleve “Vatra”.

Agim Ramadani, ushtarak, poet dhe piktor, rreth dhjetë vite të jetës së tij të shkurtë por të jetuar intensivisht, i kishte kaluar në Cyrih. Prandaj çdo aktivitet në kujtim të tij që bëhet në këtë rrethinë, ngjall një përjetim të veçantë. Kështu ishte edhe me promovimin e monografisë kushtuar Agimit.

Në manifestim nga Kosova kishin ardhur bashkëluftëtarë të Agim Ramadanit, eprorët si Rrustem Berisha, Musa Gjakova dhe Feriz Trezhnjeva si dhe familjarë të heroit.

Kryetari i AKV “Vatra”, Nexhmedin Isufi në emrin e ansamblit ka përshëndetur të gjithë, duke veçuar familjarët e dëshmorëve dhe mysafirët e lartë nga Prishtina. Programin e ka udhëhequr aktorja e njohur, Liri Lushi.

Fjalën e ka marrë i pari eprori Rrustem Berisha, i cili pas rënies së Agim Ramadanit ka trashëguar komandën e brigadës 138. Ai ka sjellë në sallë përshëndetjet e bashkëluftëtarëve, veteranëve dhe familjeve të dëshmorëve. Berisha ka folur për njohjen e tij me Agim Ramadanin dhe për madhështinë e figurës së tij. “Me Agimin jam njohur në mars 1998. Nga ajo datë deri në datën e rënies së tij kemi qenë praktikisht gjithë kohën bashkë”, ka thënë Berisha.

Ndërsa duke u ndalur në rëndësinë e Epopesë së Koshares, arkitekti i të cilës ka qenë Agimi, ish komandanti e ka vlerësuar atë si njërën nga ato pak epopetë që bëhen themel për kombin. “Kosharja është kulmi, finalja e luftës sonë. Çdo shtet i ka një ose 2 beteja me të cilat krenohet, ato të cilat e ndërtojnë të ardhmen e kombit. Jam i sigurt se njëra ndër to është edhe Beteja e Koshares. Mesazhi i Koshares ka qenë mesazh i bashkimit”, ka thënë në fund Rrustem Berisha.

Autori i librit “Agimi i Lirisë”, Ibrahim Kadriu, ka qenë i kursyer në fjalët e tij, duke thënë se ajo që ka dashur të thoshte është brenda kopertinave të librit. Por, ka shtuar Kadriu, “gjithnjë kam përshtypjen se nuk i kam thënë të gjitha. Ka mbetur edhe shumëçka e pathënë për heroizmin e Agimit dhe bashkëluftëtarëve me të cilët ndau gjithçka dhe bashkë na e sollën lirinë.

Agimi, luftën e kishte nisur me porosinë që të shohë popullin e tij të lirë. Këtë e kemi parë edhe në vargjet e tij emblematike: “Unë, i robëruari, ju ftoj në ekspozitën time të pavarur”. Kjo metaforë në vitin e largët 1994 kur është shkruar, ka qenë vështirë të kuptohej por doli si metafora më e qëlluar”, ka thënë Kadriu.

“Atë ekspozitë të pavarur mjerisht Agimi nuk e përjetoi por po e përjetojmë ne”. Në fund Ibrahim Kadriu ka shprehur kënaqësinë që gjendej në mesin ku, siç tha ai, Agimi e kaloi një kohë të mbushur me punë që ka lënë gjurmë. Autori i librit ftoi në skenë humanisten zvicerane Annelies Schneller, të cilës e falënderoi për kontributin e saj duke i dhuruar një libër.

© albinfo.ch: Autori i dhuron librin humanistes Annelies Schneller

Schneller, nga ana e saj, përshëndeti dhe falënderoi të gjithë në gjuhën shqipe. Ajo është bashkëthemeluese e projektit “Shpresa” për ndihmë invalidëve të luftës nga Kosova. Projektin në fjalë Schneller e ka themeluar së bashku me Shukrije Ramadanin, bashkëshorten e Agim Ramadanit, në vitin 1999.

© albinfo.ch: Gani Bytyçi lexon fjalën kushtuar Agim Ramadanit

Piktori dhe publicisti Gani Bytyçi, evokoi miqësinë me Agim Ramadanin dhe lexoi një shkrim të tij kushtuar Agimit. Në përshkrimin e profilit prej njeriu, artisti e luftëtari të dëshmorit, Bytyçi veçoi disa cilësi dalluese të tij. “Ishte këmbëngulës e parimor por ishte afrues e mund të bëhej edhe urë për të mirën e përgjithshme. Ai kishte një raport skajshmërisht proporcional ndërmjet fjalëve dhe veprës.”

“…Ribërja e atdheut ishte ideali i Agimit në të gjallë të tij. Tani kjo është porosia e tij dhe e të gjithë atyre që ranë për jetën dhe nderin e kombit”, u shpreh veç terash Bytyçi në fjalën e tij.

© albinfo.ch Ansambli “Vatra”

Më tej, “Vallja e pavarësisë” pikë tashmë klasike artistike e programeve të ansamblit “Vatra”, edhe një herë preku në emocionet e publikut, me fuqinë e saj, dhembjen dhe epizmin që rrezaton.

© albinfo.ch: Liri Lushi dhe Meriona Telo interpretojnë pjesë nga “Elektra”

Ndërsa ishte interesante edhe një skenë nga drama antike “Elektra” e Eskilit, e cila apelon për drejtësi, por gjithnjë kundër hakmarrjes dhe urrejtjes. Aktoret Liri Lushi dhe Meriona Telo, me këtë pjesë përçuan një mesazh paqeje dhe humanizmi që vjen nga lashtësitë dhe është aktual edhe sot.

© albinfo.ch: Nxënësit gjatë recitimit

Mungoi debati për librin e promovuar

Në programin e përgatitur me këtë rast, ishin ndërthurur përmbajtje të ndryshme si valle dhe këngë me instrumente folklorike (Emin Raci me grupin), interpretime të dy nxënësve me violina, një sekuencë drame etj. Mësuesja Alije Mujaj kishte përgatitur me nxënësit e saj një recital kushtuar dëshmorëve. Por ajo që mungoi në këtë shumësi paraqitjesh ishte një fjalë kompetente apo vlerësim mbi librin që po promovohej. Ndërsa për një debat rreth librit as që mund të bëhej fjalë.