Kultura
ABSM, sinonim për integrimin e suksesshëm në Zvicër
Për shqiptarët, ABSM për 15 vjet ka qenë një pikë referimi për aktivitete kulturore, mbështetje të aftësimit profesional jo vetëm në Zvicër

Të udhëheqësh si i huaj në Zvicër për 15 vjet një organizatë jo fitimprurëse nuk është gjë e lehtë. Këtë e di shumë mirë Skënder Nikoliqi, gjakovari nga Bazeli, i cili sikurse për çdo vit, për të 15-ën herë është përballur me sfidën se si të sigurojë mbijetesën e ABSM-së, qendrës të cilën e ka sjellë në jetë ai me një grup të vogël bashkëpunëtorësh.
ABSM është shkurtesë në gjermanishte për Qendrën për Aftësim Profesional dhe Këshillim të Migrantëve. Si e tillë, kjo qendër është sinonim për integrimin, arsimimin dhe kualifikimin e të huajve, që i kalon kufijtë e Bazelit, ku e ka selinë.
Ndërsa për shqiptarët, që nga themelimi i saj, ABSM ka qenë një pikë referimi për aktivitete kulturore, mbështetje të aftësimit profesional jo vetëm në Zvicër. Ajo udhëheq edhe në Kosovë, një qendër të tillë. ABSG (G është për Gjakovë) siç quhet qendra, është hapur në vitin 2000, dhe ajo bën ndërlidhjen në mes të arsimimit shkollor dhe jetës profesionale.
Nikoliqi pranon se po bëhet gjithnjë më e vështirë të drejtohet një themelatë e tillë. Dhe kjo në radhë të parë për shkak të vështirësive për të siguruar fonde. Por megjithatë, besimi i krijuar gjatë gjithë këtyre viteve te fondacionet e ndryshme në kanton dhe jashtë tij e bën të veten.
Gjatë javës së kaluar ABSM ka organizuar dy aktivitete; turnirin në futboll, në bashkorganizim me FC “Dardania” dhe ndarjen e diplomave ndjekësve të kurseve njëvjeçare që i udhëheq kjo qendër në Bazel.
Përfundimi i vitit shkollor 2011-2012 u shënua nën qiellin e hapur, në një kopsht të bukur në qytetin e Bazelit, ku krahas ndarjes së diplomave pati edhe një program artistik dhe kulinarik.
Grupi muzikor “Kapsamun”që kultivon muzikë shqiptare në frymën e xhazit u kujdes për atmosferën e relaksuar në këtë takim të cilit ia shtoi sharmin me kombinimin mbresëlënës të disa stileve muzikore.
Të pranishëm në këtë manifestim ishin edhe Christoph Marbach, përgjegjës për këshillime profesionale dhe arsimim të të rriturve në kantonin Baselstadt si dhe Antonella della Roca nga qendra profesionale për arsimimin e të rriturve. Këta të dy ua dorëzuan diplomat të gjithë kursistëve dhe përcollën përgëzimet e instituicioneve përkatëse për punën e frytshme të ABSM-së. Një fjalë përshëndetjeje dhe një prezantim të ABSM-së e ka bërë Nazmi Jakurti në emrin e kryesisë së kësaj qendre.
Ndërkaq, siç na thotë Skënder Nikoliqi, kurset që ofron ABSM, me emrat si: “Konkret”, “Aspecta”, “Takimi” dhe kurset e kompjuterizimit, gjatë këtyre 15 viteve janë ndjekur nga më shumë se 3500 veta. “Në ABSM u mundësojmë të interesuarve me mundësi modeste financiare të ndjekin kurse me bazë solide me një çmim simbolik”, thotë Nikoliqi. Ai me këtë rast ka parasysh çmimet që janë të pakrahasueshme me ato të kurseve tjera në qytet.
“Te ne mësohet gjuha gjermane nga kategoria A deri në B2 ndërsa kemi hapur edhe kursin me emrin “Takimi” që u dedikohet grave shqiptare të cilat kanë ardhur rishtaz në Zvicër ose që kanë jetuar këtu por u kanë munguar kontaktet me gjuhën gjermane. Në këtë kurs, krahas mësimit të gjuhës, kursisteve u ofrohet edhe përkudjesja për fëmijët gjatë kohës sa ato ndjekin kursin.
Aktivitet tjetër i ABSM-së, kësaj here në bashkëpunim me Klubin Futbollistik “Dardania”, ka qenë tuniri “Sporti flet një gjuhë” i mbajtur më 24 qershor në stadiumin Bachgraben-Allschwill. Në emrin e organizatorëve, aktivitetin e ka shpallur të hapur Besim Pajaziti.
24 ekipe të paraqitura, që kishin ardhur nga pjesë të ndryshme të Zvicrës por edhe nga zonat kufitare të Gjermanisë dhe Francës, kanë zhvilluar një garë mjaft të fortë. Në fund, fitues ka dalë ekipi “Fahrschule Fundrive”. Vendin e dytë e ka zënë ekipi “Gjakova”, të tretin “H. Badalli GmbH” dhe të katërtin, “Bajazzo”.
Për rëndësinë që këtij turniri ia kushtojnë autoritetet e këtushme, dëshmon prania në të e udhëheqësit për zhvillim të qytetit dhe të kantonit Basel-Stadt, Thomas Kessler. Ishte po ashtu i pranishëm edhe përgjegjësi për integrim në Federatën e Futbollit të Zvicrës veriperëndimore, Hasan Kanber.
Kessler në fjalën e tij të hapjes ka thënë se “sporti si aktivitet që kalon kufijtë e përkatësive kulturore, është mundësia më e mirë e takimit në mes të vendësve dhe popullatës me prejardhje të huaj. Ai është në gjendje të ngrejë ura dhe të rrëzojë paragjykime”.
Para pjesëmarrësve të shumtë në këtë turnir u prezantuan edhe dy futbollistë profesionistë shqiptarë, Muhamed Demiri nga FC Thun dhe Sehar Fejzullahi nga Grasshoppers i Cyrihut. Këta të fundit shpërndanë medaljet për fëmijët, sportistë më të suksesshëm.
Krahas futbollit, në këtë ditë sportive pati edhe vrapim në 100 metra. Ndërsa Shkolla Shqiptare e Vallëzimit “Shota” ka shfaqur një porogram të pasur artistik me valle shqiptare.
Të tjera nga Kultura
E-Diaspora
-
Një festë e diversitetit dhe e bashkëpunimit ndërkomunitar Këtë vit me risi në organizim, kjo veprimtari u bë edhe një festë e kulturave të...
-
Kush po i organizon shqiptarët e Zvicrës?, vjen numri më ri i magazinës albinfo.ch
-
Zhvillo karrierën tënde aty ku vlerësohet: smzh ag të ofron më shumë se një vend pune
-
Akuzohet kosovari, i dyshuar si shef i “degës zvicerane” të organizatës terroriste
-
Aksident tragjik në Gjermani, humb jetën një mërgimtar nga Peja
Jeta në Austri
-
Austri: 27% e të rinjve me prejardhje migrante braktisin herët shkollimin Në Austri, më shumë se 100,000 të rinj kanë përfunduar shkollimin e detyrueshëm në maksimum dhe...
-
Gjermania do të ndjekë shembullin e Austrisë dhe do të deportojë sirianët e dënuar
-
Banka Qendrore e Austrisë instalon bankomate për të kapërcyer hendekun rural të parave të gatshme
-
Tragjedi në Festival: Vdes një 22-vjeçar pas një incidenti sigurie
-
Universitetet austriake duan rregulla më të rrepta për pranimin e studentëve të huaj