Feja

A janë shqiptarë shumica e xhihadistëve të Zvicrës?

Reporteri zviceran i luftës, Kurt Pelda e konfirmon se “shumë xhihadistë dhe simpatizantë zviceranë rrjedhin nga komuniteti shqiptar". Sipas ekspertit nga ETH Lorenzo Vidino, shumica e xhihadistëve dhe simpatizantëve të ISIS-it në Zvicër janë migrantë të brezit të dytë me prejardhje nga “Shqipëria, Maqedonia, Kosova ose Bosnja"

A është xhamia e Liestalit (kantoni Baselland) një basion i islamizmit ekstrem? Deklarata e reporterit të luftës dhe ekspert i ekstremizmit islamik, Kurt Pelda që pohon këtë, ka tronditur qytetin e vogël. Kryebashkiaku Lukas Ott, i shqetësuar, e mohon një gjë të tillë. “Këtu diçka po ekzagjerohet në drejtimin që nuk përkon me realitetin”, thotë ai. Njësoj kritik ndaj konstatimit të Peldas janë dhe në Drejtoratin për Siguri të Basellandit.

“Nocioni `hotspot` (çerdhe) është insinuatë për diçka shumë më të madhe se që realisht është duke ndodhur”, ka thënë zëdhënësi i SID, Adrian Baumgartner. “Ky pohim nuk është i argumentuar dhe nuk përkon me realitetin. Kjo skenë, nëse ka diçka të tillë, është nën mbikëqyrjen e policisë”. Edhe Ott e plotëson këtë pohim dhe thotë se situata është nën kontroll, shkruan aargauetzeitung.ch. Ai tregon vetëm për një xhihadist që ka shkuar nga ky kanton në ISIS, i cili është një i ri me prejardhje turke. Ndërkohë në nivel të Zvicrës flitet për 60 deri 70 të tillë

Megjithë këtë, reporteri i luftës dhe eksperti i islamizmit radikal, Kurt Pelda ngul këmbë se ka disa çerdhe të radikalizmit në disa qytete zvicerane dhe në mesin e tyre është edhe qyteti Liestal.

Në lokalin e shoqatës islamike “Kandil”, ku frekuentojnë kryesisht besimtarë nga regjioni i Ballkanit, sipas një studimi të ETH-së mbi radikalizmin, kanë qenë si mysafirë dhe kanë ligjëruar edhe imamë të njohur ekstremistë, në mesin e të cilëve edhe imami i njohur nga Kosova, Mazllam Mazllami, transmeton albinfo.ch.

Por, sikur kryebashkiaku Ott ashtu dhe reporteri i luftes Pelda pajtohen se edhe në ato mjedise ku veprojnë ekstremistët, ata janë në një pakië të vogël në krahasim me besimtarët tjerë, që janë të moderuar. “Shumica e xhamive në Zvicër e refuzojnë ekstremizmin”.

Mirëpo pika ku nuk pajtohen këta dy është ajo se, pikëpamjen e shprehur nga Ott, se qyteti i tij nuk dallon nga qytetet tjera të vogla të Zvicrës sa i perket përhapjes së ekstremizmit e kundërshton Pelda. Sipas këtij të fundit, në Zvicër jnanë disa qytete që dallohen si “çerdhe të islamizmit”. Pelda i quan të tilla qytetet si Biel, Winterthur, Dietikon dhe Liestal.

Sipas ekspertit nga ETH Lorenzo Vidino, shumica e xhihadistëve dhe simpatizantëve të ISIS-it në Zvicër janë migrantë të brezit të dytë me prejardhje nga “Shqipëria, Maqedonia, Kosova ose Bosnja, të lindur ose së paku të rritur në Zvicër. Po ashtu ka një numër të madh të konvertuarish, vendës zviceranë. Ndërsa reporteri Pelda e konfirmon se “shumë xhihadistë dhe simpatizantë zviceranë rrjedhin nga komuniteti shqiptar”, përcjell albinfo.ch gazetën zvicerane. Ai është njëri nga pak zviceranët që për ISIS-in dhe rezistencën ndaj tij ka raportuar nga vendi i ngjarjes.

Në fund gazeta shprehet se duket kontradiktore që në mesin e ekstremistëve ka shumë myslimanë të Ballkanit, kur dihet se islami në Ballkan është konsideruar tradicionalisht tolerant dhe apolitik. “Para dhjetë vitesh baza e rekrutimit të ekstremistëve ka qenë brezi i parë i emigrantëve me prejardhje arabe”.