Lajme

A do të ketë një klima-bonus në vitin 2023?

Vazhdimisht në redaksinë tonë na vijnë pyetje të ndryshme nga lexuesit rreth ndryshimeve të ligjeve të caktuara në Austri apo pyetje të tjera për jetesën dhe punësimin në këtë vend. Albinfo.at ka përzgjedhur disa nga pyetjet, ndërsa këtyre pyetjeve u është përgjigjur, Mag. Lehan Begzati, Jurist

Çfarë është një profesion me mungesë personeli dhe çfarë ndryshimesh ka pasur konkretisht që nga viti 2022 për punëtorët e kualifikuar që duan të punojnë në një profesion me mungesë personeli në Austri?

Në fund të  çdo viti Ministria Federale e Punës publikon Urdhëresën e Punëtorëve të kualifikuar (Fachkräfteverordnung) dhe bashkë me të edhe të ashtuquajturën listë të profesioneve me mungesë personeli për vitin e ardhshëm (profesione si p.sh. asistentë infermiere dhe kamerierë). Ekziston lista shtetërore dhe ajo rajonale.

Kriteret për të marrë kartonin e kuq – bardhë – kuq vlerësohen me pikë të caktuara. 55 nga 90 pikë duhet të arrihen në kriteret e kualifikimit, përvojës profesionale, gjuhës dhe moshës.

Ndryshimet në të drejtën e qëndrimit kanë hyrë në fuqi në tetor të vitit 2022:

-Certifikatat e gjuhës do të jenë të vlefshme për pesë vite. Para ndryshimit, certifikatat lejohej të ishin vetëm një vit të vjetra.

-Eksperienca profesionale, më parë duhej të ishte së paku 1 vit që të fitoje numër pikësh të caktura, kurse tani edhe gjashtë muaj merren në konsiderim.

-Aplikantët mund të marrin 5 pikë shtesë nëse mund të demonstrojë njohuri të gjuhës angleze dhe gjuha angleze është gjuha kryesore që përdor kompania e punës.

-Sistemi i pikëve do të përshtatet në profesionet me mungesë, duke e bërë më të lehtë për personat pa diplomë universitare të arrijnë numrin e kërkuar të pikëve. Një praktikë në një profesion me mungesë do të fitojë të njëjtin numër pikësh si një diplomë universitare në këtë fushë.

– Punëtorët e kualifikuar që janë mbi 40 vjeç, por ende nën moshën  50 vjeçare në kohën e dorëzimit të aplikacionit, do të marrin 5 pikë për moshën e tyre – para ndyshimit këtu jepeshin 0 pikë.

-Për familjet e punëtorëve të kualifikuar do të përmirësohet në veçanti mundësia e re që punëdhënësit të mund të paraqesin aplikimin për leje qëndrimi jo vetëm për punëtorin e kualifikuar, por njëkohësisht edhe për familjen e punëtorit të kualifikuar (bashkëshortët, fëmijët e mitur). Domethënë që familjet të mund të aplikojnë njëkohësisht dhe mund të emigrojnë së bashku në Austri dhe jo me vonesë kohore, siç ndodhte më parë.

Çfarë do të thotë frenimi i kostos së energjisë elektrike në Austri?

Frenimi i kostos së energjisë elektrike do të hyjë në fuqi drejtpërdrejt për faturat nga 1 dhjetori 2022 dhe është i vlefshëm deri më 30 qershor 2024.

Shteti do përkrahë shpenzimet deri në 2900 kwh rrymë elektrike për amvisëri dhe vit.

10 cent për kwh do  të jetë pragu më i ulët nga i cili hyn në fuqi freni i kostos së energjisë elektrike. Pragu i sipërm është 40 cent për kwh. Nga kjo vlerë, shuma e subvencionit të kostos së energjisë elektrike nuk rritet më, kështu që, jepet një subvencion maksimal prej 30 cent për kwh. Vlerat duhet të kuptohen si çmime neto.

Shembull:

Konsumatorët që ngarkohen me një çmim energjie prej 25 cent për kwh neto nga kompania e furnizimit me energji, marrin 15 cent për kwh nga shteti deri në një konsum prej 2,900 kwh. Me një çmim energjie prej 40 cent neto për kwh, shteti paguan 30 cent për kwh. Shembull: edhe po të kushtojë 45 cent për kwh prapëseprap shteti do të paguajë 30 cent për kwh e jo më shumë, sepse më së shumti subvencionohet diferenca nga 10 deri në 40 cent.

Freni i kostos së energjisë elektrike u jepet personave që kanë një kontratë të vlefshme furnizimi me energji elektrike me një furnizues të energjisë për një pikë matjeje shtëpiake.(Haushaltszählpunkt).

Mag. Lehan Begzati, Jurist

Çfarë mund të bëj nëse mendoj se fatura e energjisë elektrike është llogaritur gabimisht?

Para së gjithash, kontaktoni furnizuesin e energjisë elektrike. Nëse nuk arrihet marrëveshje, mund të kontaktohet bordi i arbitrazhit (Schlichtungsstelle) E-Control, Rudolfsplatz 13a, 1010 Wien dhe duhet të dorëzohet një kërkesë me shkrim për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.

Bëhet fjalë për një proces jashtëgjyqësor.

Nëse rezulton se ankesa juaj ka qenë e justifikuar dhe shuma e faturës është e pajustifikuar, E-Control do të përpiqet të gjejë një zgjidhje miqësore mes jush dhe kompanisë në fjalë. Megjithatë, E-Control mund të propozojë edhe vetë një zgjidhje, e cila bëhet e detyrueshme vetëm nëse pranohet nga të gjitha palët. Një zgjidhje e propozuar e pranuar nga të gjitha palët, mund të zbatohet para gjykate.

 

A ka ndonjë lehtësim për familjet me fëmijë?

Përfitimet familjare në Austri do të përshtaten me inflacionin nga 1 janari 2023.

Në të ardhmen, kompensimi familjar (Familienbeihilfe), shuma e zbritjes së taksave për fëmijët (Kinderabsetzbetrag), pagesa për fillimin e shkollës (Schulstartergeld), shtesa e shumëfishtë për fëmijë (Mehrkindzuschlag), shtesa për kujdesin e fëmijëve (Kinderbetreuungsgeld), pagesa e studimeve (Studienbeihilfe) dhe mbështetja për “muajin e babait” (bonusi i kohës së familjes, Familienzeitbonus) do të përshtaten automatikisht me inflacionin.

Vlera e bonusit familjar (Familienbonus) nga 1750 euro për fëmijë dhe vit tashmë është rritur në 2000 euro për fëmijët deri në moshën 18 vjeçare dhe në 650 euro për të gjithë fëmijët mbi 18 vjeç.

Shtesa familjare (Familienbeihilfe) do të rritet çdo vit nga viti 2023 në bazë të marrëveshjes së valorizimit të përfitimeve sociale. Për shembull për një fëmijë nga mosha 10 vjeç ju merrni 8,2 euro më shumë në muaj nga janari, pra në vend të 141,50 euro merrni 149,7 euro.

Po ashtu edhe fusha të tjera do të ndikohen nga mbrojtja e vlerës e përftimeve sociale p.sh. të hollat në rast sëmundjeje (Krankengeld).

 

Çfarë do të thotë „kalte Progression“ progresion i ftohtë që dëgjojmë shpesh në media dhe cili është ndikimi i heqjes së progresionit të ftohtë në të ardhurat?

Në Austri shkalla e tatimit mbi të ardhurat është progresive. Për shkak të inflacionit në disa sektore po shtohen protestat  për të rritur të ardhurat. Nëse këta njerëz tani kanë të ardhura më të larta ata gjithashtu ngrihen në një kategori taksash më të larta  dhe kështu duhet të paguajnë më shumë taksa dhe u mbesin më pak të holla (kështu mund të shpjegohet progresioni i ftohtë). Klasat tatimore nuk i janë përshtatur inflacionit. Mirëpo, kjo do të ndryshojë.

,,Progresioni i ftohtë” do të shfuqizohet në vitin 2023. Me heqjen e ,,progresionit të ftohtë“, normat e reja të taksave mbi pagat do të zbatohen për të gjithë në Austri nga viti 2023. Normat e taksave që do të paguhen do të ulen më tej dhe kufijtë e tatimit mbi pagën do të zhvendosen.Kjo do të thotë më shumë neto se bruto për të gjithë taksapaguesit në Austri nga janari 2023. Për shembull në vitin 2022 nuk ka taksa për pagën deri në 11.000 euro.Nga viti 2023 do të përjashtoheni nga tatimi deri në një të ardhur vjetore prej 11.693 euro.

Klasat tatimore do të përshtaten çdo vit me inflacionin.

 

Çfarë do të thotë klauzola e garancisë së vlerës (Wertsicherungsklausel) në kontratat e qirasë për apartamente?

Një klauzolë e mbajtjes së vlerës në kontratën e qirasë synon të kompensojë ndryshimet e lidhura me inflacionin dhe deflacionin në interes të qiradhënësit dhe qiramarrësit. Aktualisht kemi inflacion të lartë. Pothuajse në të gjitha kontratat e qirave, si bazë për sigurimin e vlerës së qirasë merret ndryshimi i indeksit të çmimeve të konsumit (Verbraucherpreisindex). Nëse tek një kontratë qiraje është rënë dakord për një klauzolë të mbajtjes së vlerës, atëherë qiraja juaj të përshtatet sipas indeksit të çmimeve të konsumit. Indeksi i çmimeve të konsumit llogaritet çdo muaj dhe publikohet nga Statistics Austria. Në faqen kryesore të Statistikave të Austrisë çdo qiramarrës dhe qiradhënës mund të llogarisë relativisht lehtë rritjen e qirasë sipas indeksit të çmimeve të konsumit: https://www.statistik.at/Indexrechner/Controller

 

Çfarë roli luajnë sindikatat (Gewerkschaften) në negociatat për pagat?

Në Austri nuk ekziston paga minimale ligjore, por kjo duhet të negociohen rregullisht në mes të sindikatave të punëtorëve dhe shoqatave të punëdhënësve. Gjithashtu nuk ka rritje ligjore të pagave vjetore. Një sindikatë është një shoqatë punëtorësh e krijuar për të përfaqësuar interesat ekonomike, kulturore dhe sociale të të punësuarve.

Një nga arritjet qendrore të sindikatave është caktimi i pagave minimale në kontratën kolektive (Kollektivvertrag). Në kontratën kolektive rregullohen të gjitha të drejtat dhe detyrat e rëndësishme reciproke që rrjedhin nga një kontratë pune. Këto janë kryesisht rregullat që kanë të bëjnë me pagesat në përgjithsi, pagesat speciale (Urlaubs- und Weihnachtsgeld) dhe orët e punës. Për shkak të inflacionit të lartë shumë sindikata po përpiqen të negociojnë paga më të larta për anëtarët e tyre. Në Austri ekzistojnë 7 sindikata që janë nën-organizata të ÖGB (Konfederata e Sindikatave Austriake). Sindikata Bau-Holz (GBH), përfaqëson interesat e më shumë se 116,000 anëtarëve si p.sh. në fusha të ndërtimit, zdrukthtarisë dhe rregullisht negocion rreth 50 marrëveshje kolektive. Shpesh ka disa raunde negociatash midis sindikatave dhe shoqatave të punëdhënësve, të cilat përfundojnë me greva.

A do të ketë një klima-bonus në vitin 2023?

Klima-Bonusi do të paguhet edhe në vitet e ardhshme. Nga viti 2023 një shkallëzim rajonal do të hyjë në fuqi. Shumat e sakta që do të paguhen për vitet e ardhshme nuk janë caktuar akoma.

Faktorët që ndikojnë në caktimin e vlerës së  Klima-bonusit, janë:

Sa më pak e zhvilluar të jetë  infrastruktura si transporti publik që ofrohet në komunën përkatëse, aq më i lartë do të jetë kompensimi financiar. Kompensimi rajonal bazohet nga komuna e vendbanimit.

Vendbanimet kryesore në Austri i caktohen njërës prej  katër kategorive.

Për shembull:

Kategoria 1: Qendra urbane me infrastrukturë shumë të mirë dhe lehtësira shumë të mira të transportit publik (p.sh.Vjenë).

Kategoria 4: Komunitete rurale dhe komunitete me vetëm lehtësira bazë të transportit publik (p.sh. Mariazell)

Vlera e bonusit do të formohet nga shuma bazë si p.sh. 100 euro si dhe nga kompensimi rajonal, i cili varet, siç u shpjegua më lartë, nga vendbanimi (Kategoritë 1 – 4).

Marrja e bonusit të klimës bëhet  në mënyrë automatike (pa aplikim) me transferim në llogarinë bankare (për ata persona që i kanë plotësuar të dhënat bankare te Finanz Online) dhe në formë kuponi me postë.

 

P.s: Ky informacion shërben si udhërrëfyes për komunitetin shqiptar në Austri. Të gjitha deklaratat janë pa garanci. Ju lutemi drejtoni pyetje të detajuara autoriteteve përgjegjëse.

Artikulli është botuar fillimisht në botimin e fundit të revistës albinfo.at