CH-Ballkani

E gjithë Kosova me vetëm një kinema!

Vetëm kinemaja ABC ka shënuar një rritje të vogël të shikueshmërisë, ndërsa në të gjitha institucionet tjera ka rënie të theksuar të interesimit për art e kulturë

Të dhënat më të reja statistikore flasin për një rënie të vazhdueshme të interesimit të kosovarëve për aktivitetet kulturore e artistike. Përveç shikueshmërisë së filmave në kinema, në të gjitha institucionet kulturore ka rënie të shikueshmërisë, nga shfaqjet në teatro, në galerinë e arteve, muzeve, bibliotekave, baletit, filarmonisë.

Sipas një publikimi të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) që e ka bërë javën që shkoi, del se numri i shfaqjeve në Teatrin Kombëtar të Kosovës në vitin 2014 ka qenë 6 premiera dhe 160 repriza, ndërsa numri i shikuesve ishte 7 600. Po sipas kësaj statistike, numri i shfaqjeve të realizuara në teatrin e fëmijëve “Dodona” ka qenë 6 premiera dhe 235 repriza, ndërsa numri i shikuesve ka qenë 22 141.

Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve në vitin 2014 ka shënuar rënie për 22.9 për qind. Numri i shfaqjeve të realizuara në teatrin “Oda” ka qenë 5 premiera dhe 27 repriza, ndërsa numri i shikuesve ka qenë 10 415. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve në vitin 2014 ka shënuar rënie për 4.4 për qind.

Ndërkaq, në Galerinë e Arteve të Kosovës, numri i ekspozitave të realizuara ka qenë 34, ndërsa numri i vizitorëve 12 740. Krahasuar me vitin 2013, numri i vizitorëve në vitin 2014 ka shënuar rënie për 10.8 për qind.

Sipas këtyre të dhënave statistikore del se vetëm kinemaja ABC ka shënuar një rritje të vogël të shikueshmërisë. Numri i filmave të shfaqur në kinemanë ABC në Prishtinë ishte 125, prej tyre 17 filma vendorë dhe 108 të huaj, me gjithsej numër të shikuesve 68 621. Krahasuar me vitin 2013 numri i shikuesve në vitin 2014 ka pasur rritje për 35.3 për qind.

Ende “ABC” ja mbetet e vetmja kinema e përhershme në Kosovë

Hiç disa kinemave të improvizuara të Prizrenit, të cilat aktivizohen vetëm në ditët kur atje mbahet festivali i filmit të shkurtër dhe dokumentar “Dokufest”,  kinemaja “ABC” e Prishtinës vazhdon të jetë e vetmja kinema që ka Kosova.

Institucionet qendrore të kulturës po vazhdojnë të jenë tej mase të politizuara, me probleme të mëdha financiare dhe me infrastrukturë të shkatërruar.

Teatri Kombëtar i Kosovës që prej muajve të pranverës është në një proces rinovimi, dhe, duke qenë kështu, po ua vështirëson së tepërmi punën aktorëve dhe regjisorëve. Këshilli Artistik i këtij teatri është detyruar t’i anuloj provat e së paku dy shfaqjeve, për shkak të mungesës së hapësirës.

Po ashtu, edhe Muzeu i Kosovës është në një proces meremetimi. Drejtues të këtij institucioni, ndërkaq, qenë detyruar që gjatë muajve të verës ta organizojnë një koleksion reprezentativ të artefakteve në një ekspozitë lëvizëse nëpër sheshe të kryeqytetit.

Filarmonia-Opera e Kosovës vazhdon të punoj ashtu siç mundet, për shkak të mungesës së objektit. Ideja e një objekti të Filarmonisë-Operës së Kosovës që do ta mbante emrin e ish-presidentit Ibrahim Rugova, ishte nisur 10 vite më parë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, por ka mbetur vetëm një gropë e zezë, për shkak të mungesës së fondeve dhe problemeve që Ministria e Kulturës ka me Komunën e Prishtinës për lejen urbane të ndërtimit.

Me të ardhur në krye të Ministrisë së Kulturës, Kujtim Shala, që është edhe zëvendëskryeministër, kishte deklaruar se menjëherë do t’i inicionte procedurat e nevojshme për ndërtimin e objekti të Filarmonisë-Operës “Ibrahim Rugova”, por kjo ende nuk po ndodh.

Përkundër interesimeve të Albinfo.ch për të marrë një përgjigje rreth kësaj çështje, Zyra për Media e Ministrisë së Kulturës nuk është përgjigjur për dy ditë me radhë.

Por pse po ndodh ky avaz akulturimi në Kosovë?

Ekspertët e fushave të ndryshme ndajnë mendime të ndryshme rreth dilemës nëse publikut po iu ofrohen vlera të njëmendta, por megjithatë pajtohen me një qëndrim se teknologjia informatike (interneti), si kudo në botë, edhe në vendin tonë, i ka futur në krizë institucionet e Kulturës dhe skenat artistike.

Arben Veselaj është redaktor i kulturës në radion publike të Kosovës RTK-Radio. Ai mendon se janë politikat e gabuar që udhëheqin institucionet e kulturës, ato që e kanë katandisur kulturën kosovare. Sipas tij, jo çdo herë buxheti i varfër është fajtor që në Kosovë ka degradim kulturor.

“Duke u nisur nga Ministria e Kulturës, për ta vazhduar edhe tek të gjitha asociacionet kulturore të cilat i financon Qeveria, më shumë u japin hapësirë kuaziartistëve dhe ‘performansave’ se sa veprave dhe artistëve që krijuan dhe e mbajnë të gjallë kulturën kombëtare. Pasojë e politikave të këqija kulturore tash e një kohë të gjatë skenat kombëtare po lëngojnë nga subkultura, popkultura dhe surrogatet kinse artistike”, tha Veselaj për albinfo.Ch.

Nëse ke çka ofron në skenë, çdoherë do të kesh mjaftueshëm shikues. Afrim Muçaj është njëri nga aktorët që viteve të fundit ka pasur më së shumti paraqitje skenike në teatrot e Kosovës. Ai sapo ka realizuar premierën e shfaqjes “Shërbëtori i dy zotërinjve” me regji të Kushtrim Bekteshit, shfaqje me të cilën po shënon sukses.

Por sipas Muçajt “nëse ke çka ofron në skenë, çdoherë do të kesh mjaftueshëm shikues”.

“Në dy vitet  fundit unë kam qenë i angazhuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës në Prishtinë dhe në teatrin e Prizrenit, dhe kemi pas publik vazhdueshëm, në të gjitha reprizat. Mund të them se afërsisht 80 për qind e sallës kanë qenë të mbushura”, ka thënë Muçaj për Albinfo.Ch.

Ai është i vetëdijshëm se ka pasur edhe shfaqje jo shumë të mira, si dhe të tjera shumë të mira por të cilat kanë dështuar në planin e marketingut.