Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se mund t’i kuptojë të gjithë ata që, sipas bindjeve të tyre politike, janë përfshirë në procesin për shkarkimin e tij, përcjell albinfo.ch.
Megjithatë, ai ka theksuar se situata ndryshon nëse rezulton se në këtë proces janë përdorur mekanizma shtetërorë për të destabilizuar LDK-në.
“Çdokënd që është përfshirë me bindje të drejta në procesin e shkarkimit tim mund ta kuptoj. Por, nga ajo që kam parë prej përgjimeve, nëse janë përdorur mekanizma shtetërorë për ta trazuar LDK-në, atëherë do të ketë përgjegjësi”, është shprehur Abdixhiku.
Ai ka përmendur edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke paralajmëruar se, nëse ka qenë i përfshirë në këtë proces, ka bërë një gabim të rëndë.
“Kanë gabuar rëndë të gjithë ata që janë përfshirë në këtë drejtim. Nëse z. Rama është përfshirë në këtë drejtim, ai ka gabuar rëndë. E anëtarësia e LDK-së nuk e fal këtë gjë”, deklaroi Abdixhiku./Albinfo.ch