Lajme

Qantas vendos rekord botëror me fluturimin më të gjatë komercial në histori

Avioni Airbus A350-1000ULR qëndroi në ajër për më shumë se 24 orë pa ndalesë, duke përshkuar mbi 23 mijë kilometra nga Australia në Francë

Kompania ajrore australiane Qantas ka hyrë në histori të aviacionit, pasi realizoi fluturimin më të gjatë komercial të regjistruar ndonjëherë. Një avion Airbus A350-1000ULR qëndroi në ajër për 24 orë e 24 minuta, pa asnjë ndalesë, duke vendosur një rekord të ri botëror, përcjell albinfo.ch. 

Avioni u nis nga Melbourne i Australisë dhe mbërriti në Toulouse të Francës, pasi përshkoi rreth 23.075 kilometra mbi Oqeanin Paqësor dhe Oqeanin Atlantik.

Ky fluturim është pjesë e projektit ambicioz “Sunrise”, me të cilin Qantas synon të inaugurojë fluturime direkte nga Australia drejt Londrës dhe Nju Jorkut me flotën e re të avionëve Airbus A350-1000ULR. Modeli i përshtatur pritet të hyjë në shërbim gjatë vitit 2027.

Sipas Airbus, avioni është pajisur me një rezervuar shtesë karburanti, që i mundëson të kryejë fluturime ultra të gjata pa pasur nevojë për ulje për furnizim.

Me këtë arritje është thyer rekordi i mëparshëm prej 22 orësh e 42 minutash, i vendosur në vitin 2005 nga një Boeing 777-200LR, i cili kishte fluturuar nga Hong Kongu në Londër përmes Oqeanit Paqësor.

Fluturimi tërhoqi vëmendje të madhe edhe në internet. Platforma Flightradar24 bëri të ditur se më shumë se 3.6 milionë persona ndoqën në kohë reale itinerarin e avionit, duke e bërë atë fluturimin e dytë më të ndjekur në historinë e platformës, pas atij që transportonte arkivolin e Mbretëreshës Elizabeth II në vitin 2022.

Qantas ka porositur gjithsej 12 avionë Airbus A350-1000ULR, të cilët do të përdoren për fluturime direkte mes bregut lindor të Australisë dhe Londrës ose Nju Jorkut, me kohëzgjatje prej rreth 19 deri në 21 orë. Avioni i parë pritet t’i dorëzohet kompanisë në prill të vitit 2027, ndërsa fluturimet e përditshme pa ndalesë mes Sidneit dhe Londrës synohet të nisin në tetor të po atij viti./Albinfo.ch