Bëhet e ditur se çmimi i energjisë për bizneset e mëdha pritet të shtrenjtohet deri në 30 për qind, paralajmërojnë përfaqësuesit e disa kompanive të licencuara për furnizimin me energji elektrike në Kosovë, përcjell albinfo.ch.
Këto kompani aktualisht kanë shtuar përpjekjet për sigurimin e energjisë, në prag të nisjes së procesit të liberalizimit të tregut të energjisë.
Çfarë do të thotë liberalizimi i tregut të energjisë?
Procesi i liberalizimit të tregut të energjisë në vendet e Bashkimit Evropian ka filluar në fund të viteve ’90 me qëllim rritjen e konkurrencës, efikasitetit, sigurisë dhe zgjedhjes së konsumatorëve. Ndërsa në Ballkanin Perëndimor ky proces është ende në zhvillim.
Në Kosovë, liberalizimi i tregut të energjisë është paraparë me Ligjin për energjinë elektrike, të miratuar në vitin 2017, por zbatimi i tij është shtyrë për shkak të rrethanave të ndryshme.
Tashmë, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka marrë vendim që nga data 1 qershor të gjitha kompanitë e mëdha — konkretisht ato me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro — të kalojnë në tregun e hapur të energjisë. Sipas ZRRE-së, numri i tyre është mbi 1.000.
Aktualisht, këto biznese furnizohen nga Operatori për Furnizim me Energji (KESCO), si furnizuesi kryesor i licencuar për energji me çmime të rregulluara nga ZRRE-ja.
Ndërsa nga 1 qershori, kompanitë e mëdha duhet të zgjedhin vetë furnizuesin e tyre, me çmime të parregulluara, të cilat përcaktohen nga kërkesa dhe oferta në treg.