Bota

Fitorja e Biden-it, vijnë reagimet e para

Biden do të inaugurohet si presidenti i 46-të në historinë amerikane më 20 janar 2021

Rrjeti televiziv amerikan, CNN, ka shpallur kandidatin demokrat, Joe Biden, president të Shteteve të Bashkuara.

Mediat amerikane kanë thënë se Biden ka fituar në shtetin e Pensilvanisë, duke tejkaluar shifrën e 270 votave të Kolegjit Elektoral, që nevojiten për ta bërë atë presidentin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara.

Biden ka reaguar shpejt pas lajmit për fitore. “Amerikë, jam i nderuar që më ke zgjedhur për të udhëhequr shtetin tonë fantastik. Puna përpara nesh do të jetë e vështirë, mirëpo ta premtoj këtë: Unë do të jem president i të gjithë amerikanëve – pavarësisht nëse më keni votuar apo jo. Do ta ruaj besimin që më keni dhënë”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social Twitter.

Biden do të inaugurohet si presidenti i 46-të në historinë amerikane më 20 janar 2021.

Ai ka mundur presidentin aktual, Donald Trump në zgjedhjet e 3 nëntorit.

Përmes një deklarate të publikuar nga fushata e tij, Biden ka thënë: “Jam i nderuar dhe përulem ndaj besimit që populli amerikan ka në mua dhe nën-presidenten e zgjedhur (Kamal) Harris”.

“Ne kohën e pengesave të pashembullta, një numër rekord i amerikanëve kanë votuar. Duke vërtetuar edhe një herë, që demokracia rreth fort në zemrën e Amerikës”.

“Meqë fushata ka përfunduar, është koha të lënë zemërimin dhe retorikën e ashpër mbrapa nesh dhe të bashkohemi si komb”.

“Është koha që Amerika të bashkohet. Dhe të shërohet”, ka thënë ai, raporton Evropa e Lirë, përcjell albinfo.ch.

Trump, ende nuk ka pranuar humbjen dhe është zotuar se do ta sfidojë rezultatin në gjykatë.

Fitorja në Pensilvani, me 20 vota të Kolegjit Elektoral, i ka dhënë Bidenit të paktën 273 vota, ndërkohë që shtetet si Arizona, Nevada, Xhorxhia dhe Karolina Veriore ende nuk kanë shpallur fituesit.

Disa media amerikane i kanë dhënë Bidenit edhe 11 votat e Arizonas.

Fitorja e Bidenit, 77-vjeçar ka ardhur pas më shumë se tri ditëve të paqartësive, teksa zyrtarët zgjedhorë kanë numëruar votat përmes postës.

Kamala Harris, e cila pritet të bëhet nën-presidentja e parë amerikane me ngjyrë, ka thënë se këto zgjedhje kanë qenë më të rëndësishme sesa fitorja e Bidenit dhe e saj.

“Ka të bëjë me shpirtin e Amerikës dhe gatishmërinë tonë për të luftuar për të. Ne kemi shumë punë përpara nesh. Le të fillojmë”.

Trump është presidenti i parë aktual që humb në procesin e rizgjedhjes, prej kohës së republikanit George H.W. Bush më 1992.

Obama uron Bidenin dhe Harrisin për fitore në zgjedhje

Ish-presidenti amerikan, Barack Obama ka uruar Joe Bidenin për pozitën e presidentit të ardhshëm amerikan dhe Zonjën e Parë, Jill Biden.

“Po ashtu, nuk do të mund të isha më i lumtur për të uruar Kamala Harrisin dhe Doug Emhoff për zgjedhjen e Kamalas si nën-presidente e jona e ardhshme”, ka thënë ai përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

Biden ka shërbyer si nën-president amerikan gjatë udhëheqësisë së Obamas.

Sipas tij, në këto zgjedhje, nën këto kushte që nuk janë përjetuar kurrë më parë, Amerika ka votuar në shifra rekorde.

“Kur të numërohet secila votë, presidenti i zgjedhur Biden dhe nën-presidentja Harris, do të sigurojnë një fitore historike dhe bindëse”.

Sipas tij, amerikanët do të jenë me fat që do të ta kenë Bidenin president, meqë kur ta marrë detyrën, ai do të përballet me sfida që nuk Iipasur asnjë president ndonjëherë, pandeminë e koronavirusit, ekonomi jo të barabartë ashtu sikurse sistemin e gjyqësorit, demokracinë në rrezik dhe klimën e rrezikuar.

“Unë e di se ai do të bëjë punën me interesat më të mira të secilit amerikan në zemër, pavarësisht a e kanë votuar”, ka thënë mes tjerash Obama.

Liderë botërorë urojnë Bidenin

Presidenti francez, Emmanuel Macron, po ashtu ka uruar Bidenin dhe Harrisin.

“Ne kemi shumë punë për të bërë, për të tejkaluar sfidat e të sotmes. Le të punojmë bashkë”, ka thënë ai po ashtu përmes Twitterit.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von del Leyen ka thënë se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara janë vende mike dhe aleate.

“Qytetarët tanë kanë lidhjet më të forta. Mezi pres të punoj me presidentin e zgjedhur Biden”.