Shqiptaro–suedezja Arba Kokalari ia ka mësyrë Parlamentit Evropian, duke kandiduar në zgjedhjet që do të mbahen më 25 maj.
27-vjeçarja Arba Kokalari synon të jetë pjesë e Parlamentit Evropian nëpërmjet listës me numër 6 të partisë së qeverisë suedeze, e quajtur “Partia Moderate”.
Kokalari premton se do të jetë një zë i fortë edhe për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Prandaj, shqiptarët që jetojnë në Suedi kanë një arsye më shumë për ta votuar atë që të jetë një deputete në Parlamentin e Evropës.
Që kur ishte 16-vjeçe ajo ishte fokusuar në studimet për Ligjin Ndërkombëtar, Studime Politike dhe Politikë Evropiane në Universitetin e Stokolmit.
Shqiptaro -suedezja është nga Gjirokastra, ndërsa kishte migruar në Suedi në vitin 1992, pasi babai i saj ishte emëruar ambasador i Shqipërisë në shtetet nordike dhe balltike.