Opinione

Misioni i Almirit

Pavarësisht se çfarë mendojmë për prokurorët shqiptarë që u distancuan, apo dhe Prokurorin e përgjithshëm Lubomir Jovevski që i qortoi, pamja që vjen nga ky institucion është se çështjet shihen me prizëm të ndryshëm. Dhe në betejën të atyre pak njerëzve që mundohen të ndërtojnë, mbajnë urat mes komuniteteve, vijnë titullarët dhe me një veprim apo dhe fjalë, sjellin tërmete që pastaj të gjithë i fusin në strofkullat e tyre etnike

“Koha për vrasje” (A time to kill), është një film i vitit 1996, i bazuar në romanin me të njëjtin titull të John Grisham. Ngjarjet rrëfejnë tensionet e thella raciale në Amerikë ku duket se drejtësia është e vështirë për qytetarët me ngjyrë. Një film tejet dramatik, ku një avokat i bardhë mbron babain e zi për akuzat për vrasje. Babai vret dy persona të bardhë të cilët rrëmbejnë, dhunojnë, vrasin dhe hedhin në humnerë vajzën e tij 10 vjeçare. E gjithë ngjarja shkakton përplasje raciale, dhunë, protesta… Në një pamje të tillë ku shumica e bardhë e qytetit ku zhvillohet ngjarja as që mendon, e jo më të pranojë lirimin e babait. Por kulmi i fillimit është kur avokati i bardhë, të cilit i digjet shtëpia për shkak se nuk heq dorë nga mbrojtja e babait të zi, në fjalën mbyllëse të rastit që kishte sfilitur vendin, fillimisht u kërkon të gjithëve të mbyllin sytë dhe pastaj përshkruan me detaje dhunimin e vajzës të vogël, vuajtjen e saj dhe dhimbjen që ajo kishte kaluar.

Dhe në fund u thotë të pranishmëve: imagjinoni tani ajo të ishte e bardhë!

Sigurisht, në stil holivudian, triumfon drejtësia dhe babi lirohet.

Por, filmi më ka mbetur në mendje gjatë jo thjeshtë për ngjarjen apo dhe aktorët e mrekullueshëm, si Sandra Bullock, Samuel L. Jackson, Mattheë McConaughey, etj. Por për forcën e argumenteve në forma të ndryshme për të përshkruar se sa e vështirë dhe e padrejtë ka qenë jeta për zezakët në një shoqëri dominante nga të bardhët.

Ideja është se këtë film e prodhojnë të bardhët, regjisor është Joel Shumacher, e pas tij dhe gjithë industria filmike që mbështet një prodhim që nëse interpretohej në terma të përditshmërisë, nxinte dhe turpëronte shumicën e bardhë.

Nëse i kthehemi realitetit tonë, (pa dashur të bëj lidhje mes filmit, fikcionit dhe realitetit) nuk mundem të mos shpreh habinë e vazhdueshme se sa lehtësisht shoqëritë tona bien në kampet etnike sa herë që ka çështje delikate, por dhe sa rrallë herë ka njerëz që dalin mbi situatat për të dhënë vizione të përbashkëta.

Jo më larg se një ditë më parë, në një ambient të përzier etnikisht mes njerëzve profesionist, pra përfaqësues të shoqërisë që janë të edukuar, me punë të mira, të stabilizuar financiarisht dhe të lumtur me atë që bëjnë, nuk mund të diskutoje çështje delikate të përditshmërisë tonë, sepse ishte e qartë që të gjithë do të shikonin çështjet me syze etnike. Strofkullat e tyre të rehatshme nuk donin t’i prishin as edhe për një bisedë. Dhe këto syze etnike viheshin për çështje shqiptare të kuptohemi, se ato po dominojnë ngjarjet këto ditë. Dhe realisht mendohesh, vallë vërtet ka aq pak ndjeshmëri?

Pastaj mendon, mirë për gjithçka tjetër, por as rastin e Alimirit nuk mund ta diskutojnë e ta flasin hapur. Se për aq sa dimë rasti vërtetë është i dhimbshëm.

Pa diskutim që gjithmonë ka disa zëra që dalin e që shprehen, e që japin të drejtë, e që thonë pikërisht atë që mendojmë të gjithë, por këto zëra nuk janë shumë.

Dhe sigurisht, nuk mund të mos e shtrosh çështjen edhe nga ana tjetër. Pra si do të reagonte shoqëria shqiptare nëse gjithë personazhet e ngjarjes ishin e kundërta e atyre që janë?

Do të ishim aq të zëshëm? Do të ishim pjesë e protestave? Do të organizonim të tilla?

Përgjigjen e dimë të gjithë, do të ndodhte e njëjta siç dhe ndodhi në raste si Martin Neshkovski, etj. ku mes protestuesish kishte dhe shqiptarë, por nuk dominonin.

Duhet të biem në paqe atëherë me këtë realitet, ku ajo që perceptohet e “jona”, dihet se do na dhëmb më shumë dhe anasjelltas.

Por ama, JO, në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë nuk do duhet të lejojmë që një padrejtësi, pavarësisht se për shkak të mos afërsisë, ta heshtim, mos ta shohim, ta lejojmë e më keq dhe ta pranojmë.

Nuk arrihet barazia me numërimin e thjeshtë, kur “ata” nuk folën për “ne”, pse të flasim “ne” për “ata”. Minimalisht kjo shoqëri, atë që duhet të bëjë, është veç të shqyrtojë arsyet se pse “ata” bëjnë protesta apo, pse “ata” shprehin dyshime te drejtësia, sistemi, shteti.

Në fund të fundit nuk ka nevojë as të dalim të protestat e njëri-tjetrit, nëse s’janë të ndjera, nëse nuk besojmë tek ato, edhe pse janë për çështje të sistemit i cili i përket të gjithëve, por ama nuk mund të lejojmë mos shprehim dyshimin, qoftë edhe më të voglin se pse “të tjerët” mes nesh kanë mosbesim apo vuajtje për çështjet që i shprehin.

Dhe në këtë betejë, të atyre pak njerëzve që mundohen të ndërtojnë, mbajnë urat mes komuniteteve, vinë titullarët, dhe me një veprim apo dhe fjalë, sjellin tërmete që pastaj të gjithë i fusin në strofkullat e tyre etnike.

Pavarësisht se çfarë mendojmë për prokurorët shqiptarë që u distancuan, apo dhe Prokurorin e përgjithshëm Lubomir Jovevski që i qortoi për distancimin nga rasti Almir, pamja që vjen nga ky institucion është se çështjet shihen me prizëm të ndryshëm.

Të jem i qartë prokurorët shqiptarë, apo dhe zyrtarët e tjerë, unë dua që të jenë direkt dhe të thonë qartë kur fajtori është “i joni” dhe mos lënë dyshime. Ne nuk mund të justifikojmë asnjë krim sepse bëhet nga “tanët”. Por kur një institucion ndahet dysh në vija etnike për një rast kaq të vënë në fokus, minimalisht duhet shpjegim. Jovevski s’mund të abstraktohet nga realiteti, që veprimet në institucionin e tij vijnë kur sopotasit marrin lirinë pas 15 vjetësh.

Zhvillimet në vijim do të shohim ç’reagime do të sjellin nga ky institucioni, por në kontekst social, këto situata nuk duhet të lënë indiferent eksponentët e shoqërisë, sidomos ato liberalët që mos shprehen dhe mos të shohin rrezikun që veprimet e tilla çfarë dëmi i sjellin drejtësisë, sistemit dhe gjithë ndjesive etnike.

Unë nuk mendoj se shoqëria jonë, në masë të konsiderueshme, ashtu si në filmin që përshkrova në fillim, është në gjendje aq lehtë të mbyllë sytë, e të imagjinojë veten, në vend të viktimës, kur viktima është ai “tjetri”. Por, do ta përsëris, mund të marrim frymë thellë, dhe veç të mendojmë, të japim një fije dyshimi, se pse gjithë ky reagim nga ai “tjetri”!

Pak ishin vitet në këtë botë të Almirit, por misioni i jetës së tij të shkurtër, është përtej një aksidenti fatkeq. Misioni i Almirit është leksioni i dhimbshëm që vjen tani për drejtësi, barazi, mirëkuptim mes njerëzve dhe s’ka se si mos e kuptojë secili këtë!

(KOHA.mk)