Aferës “Marty”, i jepet rëndësi e veçantë në Zvicër
Meqë Marty është politikan zviceran dhe Thaçi ka studiuar në Cyrih, mediet zvicerane e trajtojnë këtë aferë me vëmendje të posaqme

Mediet zvicerane i kanë kushtuar vend të rëndësishëm akuzave që europarlamentari zviceran Dick Marty i ka bërë në një raport të tij, kryeministrit kosovar në dorëheqje Hashim Thaçit, duke e implikuar atë në aferën e „tregtisë me organe”.
Duke qenë se autori i raportit është një politikan dhe ish prokuror zviceran dhe nisur edhe nga fakti se Thaçi ka studiuar një kohë në Cyrih, mediet zvicerane e trajtojnë këtë aferë pak a shumë edhe si “temë të brendshme”. Kësaj i kontribuon sigurisht edhe ajo që konsiderohet “lidhje e ngushtë” e Zvicrës me Kosovën dhe kosovarët, sa i takon përkrahjes së hershme të pavarësisë së Kosovës.
Gazeta që e ka publikuar e para dhe që i ka dhënë më shumë vend aferës është gazeta bulevardeske „Blick”, e cila në botimin e saj gratis të mbrëmjes (Blick am Abend) të 14 dhjetorit, ka shkruar gjerësisht mbi këtë temë. Botimi i djeshëm i Blick-ut në faqen e parë ka pasur titullin „bosi „zviceran” i mafias i implikuar në tregtinë me organe”. Ky dhe tituj tjerë kësaj gazete bashkë me fotografinë e Hashim Thaçit kanë qenë madje edhe në reklamat speciale që i bën artikujve të vet kryesorë kjo gazetë, duke i varur si pankarta në vendet e dukshme të kioskave. Gazeta Blick merret në mënyrë jokritike, gjerë e gjatë me hollësitë që i jep raporti i Martit.
– NZZ dhe “Tages Anzeiger”: tash për tash ka vetëm indikacione, mungojnë argumentet
Ndërkaq, gazeta më prestigjioze e Zvicrës gjermane e më gjerë „Neue Zürcher Zeitung” duke plasuar tekstin mbi temën që tashmë ka zënë vend në të gjitha mediet perëndimore, që në hyrje, paraqet rezervat e saj mbi vërtetësinë e raportit. „Hashim Thaçi, shef i qeverisë së Kosovës, duket të jetë edhe shefi më i lartë i mafias së vendit të tij dhe veç tjerash, i implikuar në tregtinë me veshka të serbëve të vrarë. Këtë akuzë e ngre Dick Marty në një raport. Por, ai nuk sjell dëshmi. Dëshmi për akuzat e tyre nuk kanë mundur të na sjellin as Del Ponte dhe as Marty; ata mbështeten vetëm në indicie, gjegjësisht në të dhëna jo të qëndrueshme të dëshmitarëve”, shkruan tutje gazeta “Neuer Zürcher Zeitung”, e cila, megjithatë mbështet qëndrimin se edhe krimet e mundshme të palës shqiptare gjatë luftës së fundit duhet të jenë objekt hetimi.
Gazeta tjetër e Zvicrës “Tages Anzeiger” po ashtu ka vënë Thaçin në faqet e saj të para këto dy ditët e fundit. Pas raportit të parë nga agjencitë, ajo ka marrë edhe një intervistë nga eksperti i Ballkanit Mappes-Niedek, të fokusuar në këtë tematikë. Niedek, i njohur për librin e tij mbi mafian ballkanike thotë se raporti i Marty-t ka meritën se ka nxjerrë në sipërfaqe “Missing Link” (lidhjen e munguar) , që sipas tij është mjeku i afërt me Thaçin, Shaip Muja. Ky i fundit përflitet si “njeriu kyç” në gjithë këtë aferë. Por, ndërkaq edhe Niedek pranon se ato që ka shtruar Marty ende nuk janë dëshmi në kuptimin juridik. “Nevojitet një hulumtim kriminalistik, të cilin as Marty nuk na e ka sjellë. Ajo çfarë ofron ai është para së gjithash një raport politik me shumë citime dëshmitarësh. Por ato kanë vetëm karakterin e thashethemeve. Tash nuk ka dëshmi konkrete dhe ato duhet të sigurohen”, përfundon Niedek.
– Disa politikanë kërkojnë tërheqjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Zvicra!
Në magazinën e mbrëmshme të lajmeve 10 vor 10, tema “Marty” ishte po ashtu në qendër. Aty u trajtua aspekti i qëndrimit të Zvicrës ndaj Kosovës nën dritën e publikimeve më të reja rreth asaj që quhet “tregti me organe”. Deputeti i Parlamentit Nacional, Christoph Mörgeli nga SVP i pyetur rreth qëndrimit të Zvicrës në gjithë këtë rrëmujë paraqiti mendime të tilla të skajshme si shqyrtimin e tërheqjes së njohjes për Kosovën nga Zvicra! “Nëse dyshimet e ngritura nga Marty vërtetohen, Zvicra duhet të tërheqë njohjen e shtetit të Kosovës”, ka thënë Mörgeli. Deputeti tjetër, ai nga partia e Gjelbër Geri Müller, i njohur për kundërshtimin e mëhershëm të pavarësisë së Kosovës, thotë po ashtu se njohja e shtetit të ri ka qenë veprim i pamenduar mirë. Ndryshe nga ata, Hans Fehr i Partisë Socialdemokrate dhe Markwalder e FDP-së thonë se njohja e Kosovës shtet ka qenë hap i duhur dhe në kohë të duhur. Sipas tyre është absurde të shkohet aq larg sa të kërkohet tërheqja e njohjes së një shteti, për shkak të plasjes së një afere si kjo.
Të tjera nga
E-Diaspora
-
Turnir humanitar i futbollit në Vjenë: Mblidhën 70.000 € për “Jetimët e Ballkanit” Shuma e parave do të dedikohet për ndërtimin e dy shtëpive për familjet në nevojë ...
-
Iu dha lamtumira e fundit Lea Bajramit, viktimë e sulmit në Austri
-
Vdes 18 vjeçari nga Kosova, në një liqe, në Gjermani
-
30 vjet të Ansamblit “Vatra”, një përvjetor që frymëzon
-
Gjermani: Humb jetën tragjikisht 18-vjeçari shqiptar në një liqen
Jeta në Austri
-
Turnir humanitar i futbollit në Vjenë: Mblidhën 70.000 € për “Jetimët e Ballkanit” Shuma e parave do të dedikohet për ndërtimin e dy shtëpive për familjet në nevojë ...
-
Iu dha lamtumira e fundit Lea Bajramit, viktimë e sulmit në Austri
-
Tirol: Tre alpinistë të vrarë nga rrufeja
-
Austria nis javën parlamentare me homazh për viktimat e Grazit
-
Vjena heq bonusin e trajnimit për përfituesit e ndihmës sociale