Lajme
Peizazhi kosovar i bërllokut
Shtëpitë dhe oborret në Kosovë janë jashtëzakonisht të pastra, por jashtë mureve të oborreve duket shpesh ndryshe...
Të huajve, të cilët vijnë për herë të parë në Kosovë, shpesh u bien në sy dy gjëra: Mikpritja e popullatës vendëse dhe bërlloku i pranishëm kudo. Mbetet të shpresohet që vizitorët, në një të ardhme jo shumë të largët, të vazhdojnë të shijojnë mikpritjen dhe që bërlloku të mos u bëjë më përshtypje negative.
Sigurimi i një shërbimi gjithëpërfshirës, ambiental, të heqjes së mbeturinave, është një detyrë komplekse dhe e kushtueshme, por përparime të ngadalshme megjithatë shihen në horizont.
Banesat, shtëpitë dhe oborret në Kosovë janë jashtëzakonisht të pastra dhe të rregulluara, por jashtë dyerve të banesave ose jashtë mureve të oborreve duket shpesh ndryshe. Grumbuj qesesh plastike përplot mbeturina, shishe të zbrazëta plastike dhe kanaqe alumini, qese ushqimesh e gjëra tjera shpesh shihen të hedhura nëpër ambient publik.
Në rrugën e qytetit të vjetër të Prishtinës, ku unë jetoj prej dy vitesh, nxënësit nga tri shkollat e afërta, gjatë pauzave të mësimit blejnë pije, ëmbëlsira dhe snacks. Paqetat e tyre përfundojnë në tokë, shpesh edhe mbi tri shkallët e hyrjes së shtëpisë sonë, të cilat shërbejnë për tu ulur në to gjatë pauzave.
Tri ditët e para në vendin tim të ri të qëndrimit unë mërzitesha nga kjo, pastaj e bleva një shportë mbeturinash dhe e vendosa atë në shkallë; prej atëherë mua më mbetet vetëm të zbraz shportën çdo mbrëmje. Leksioni im i nxjerrë nga kjo: Kur ekzistojnë shportat e bërllokut në vendet ku “prodhohen” mbeturinat, ato edhe do të përdoren.
Në dy vitet e fundit në shumë vende në Prishtinë, para së gjithash në zonën e këmbësorëve, janë montuar shporta bërlloku dhe kur ato zbrazen në mënyrë të rregullt, rrugët bëhen në mënyrë të dukshme më të pastra. Natyrisht, janë problem mjetet financiare, kështu që dendësia e vendosjes së shportave të tilla nuk është e nivelit zviceran, por përparimet janë të dukshme.
Guri i dytë i provës është grumbullimi i mbeturinave. Gjatë luftës dhe gjatë një periudhe tjetër pas saj, bërlloku hidhej thjeshtë në gropat ku hidheshin mbetjet e materialit ndërtimor, dhe kur ato vende mbusheshin, bërllokut i vihej zjarri. Tymi dhe kundërmimi i rëndë i liruar nga kjo ishte i tmershëm.
Dalë ngadalë filluan të dalin makinat e bartjes së mbeturinave dhe sot vetëm rrallë mund të shohësh djegie bërlloku në qytet. Por ende mungojnë mjetet për të garantuar një shërbim që do të ishte vërtet në shkallë vendi dhe që do të siguronte shpeshtësi të mjaftueshme të heqjes së mbeturinave në gjithë Kosovën.
Shpenzimet e heqjes së bërllokut duhet të mbulohen përmes taksave të paguara nga popullata. Në një shtet që ende është në ndërtim, grumbullimi i taksave nuk është gjë aq e thjeshtë, pasi që mungojnë regjistrat e banorëve, adresat, kutitë postare, pastaj mbretërojnë varfëria, një gatishmëri e ulët për pagesa dhe korrupsioni. Kështu, jo çdo familje paguan taksat e mbeturinave dhe jo të gjitha paratë e grumbulluara nga kompania e mbeturinave përdoren për destinimin e parashikuar.
Si problem i radhës paraqitet problemi i deponimit të rregullt të mbeturinave.
(Impiante për djegien e mbeturinave ende nuk ka në Kosovë). Në çdo regjion ekziston nga një deponi e kontrolluar bërlloku, të cilat ndonëse nuk i plotësojnë standardet e larta teknike evroperëndimore, në njëfarë mase duhej të siguronin një depozitim të rregullt. Por është evidente se as përafërsisht i gjithë bërlloku nuk përfundon atje.
Me rastin e çdo shëtie ose të vozitjes me veturë, mund të shohësh deponi të egra bërlloku në skaje rrugësh, në prroje dhe në hendeqe. Përse? Për shkakun se ose shërbimi i mbledhjes së mbeturinave nuk vjen në fshat ose kompania e mbeturinave kursen paratë të cilat do të duhej t`i paguante për tonat e bërllokut të dorëzuar në deponinë zyrtare.
Koncepti dhe ligji i sotëm për trajtimin e mbeturinave vjen nga koha e administratës së OKB-së. UNMIK-u kishte vendosur në vitin 2004 që Kosovën ta ndante në pesë regjione të mbledhjes së mbeturinave dhe që për çdo regjion të angazhonte nga një kompani për heqjen dhe bartjen e bërllokut. Por këto kompani kanë pak interes që të shkojnë në fshatrat e largët ku krijohet pak bërllok, ndërkohë që në hapësirat urbane ato munden që për një kohë të shkurtë të mbledhin numër më të madh të paguesve të taksave për bërllok.
Pronarë ose aksionarë të kompanive regjionale për grumbullimin e bërllokut janë komunat dhe ato janë të përfaqësuara në bordet e kompanive në fjalë por komunat e vogla nuk kanë pothuaj fare peshë krahas komunave të mëdha në bordet e përmendura. Kështu, fjala vjen, qyteti i Prishtinës në kompaninë regjionale të grumbullimit të mbeturinave “Pastrimi” ka një përqindje prej rreth 78 për qind, ndërkohë që gjashtë komunat tjera të regjionit (Fushë Kosova, Obiliqi, Lipjani, Drenasi, Graçanica dhe Podujeva) ndajnë 22 përqindëshin e mbetur.
Mangësitë e këtij ligji të dekretuar nga lartë janë të njohura dhe qysh gjatë këtij viti do të duhej të hyjë në fuqi një ligj i ri i cili u jep mundësi komunave që ta organizojnë vetë menaxhimin e mbeturinave.
Norbert Pijls nga Helvetas Swiss Intercooperation ka qenë përfaqësues i programit të financuar nga Zvicra për qeverisje lokale (LOGOS) në prezantimin e ligjit të ri. Ai shpreson se para së gjithash për komunat e vogla do të ketë një pëermirësim të gjendjes, kur ato do të jenë vetë përgjegjëse për inkasimin e taksave të bërllokut dhe kur do të mund të angazhojnë një kompani tjetër nga ajo regjionale ekzistuese.
Përmes kësaj, kompanitë e angazhuara aktualisht do të fitonin konkurrencë. Ligji i ri nuk përjashton që komunat e vogla sërish të bashkojnë kapacitetet për të siguruar heqjen e bërllokut në mënyrë më racionale. Ky do të ishte pastaj një proces nga poshtë-lartë dhe jo i dekretuar nga lart poshtë, çfarë ka qenë ai në vitin 2004.
Paralelisht me këtë, mbetet edhe shumë punë për tu bërë në informimin dhe në ngritjen e vetëdijes. Nismat mund të shihen, OJQ të ndryshme kanë realizuar tashmë aksione në këtë drejtim.
Më 24 maj Kosova do të marrë pjesë në fushatën gjithëbotërore “Let`s Do It World”. “Let`s do it Kosova 2012” synon që në këtë ditë t`i nxjerrë në rrugë 50.000 vullnetarë për grumbullimin e mbeturinave. Ministria e Ambientit është zotuar të japë përkrahje, FSK ka premtuar mbështetje teknike ndërsa Ministria e Arsimit do t`i mobilizojë shkollat. www.letsdoitworld.org/wastemap
Një grup studentësh, në vigjilien e aksionit të 24 majit ka publikuar në internet një hartë me deponitë më të këqija ilegale në Kosovë si dhe fotografi të shumta. Për Informata rreth aksionit mund të drejtoheni në faqen: [email protected]
Prishtinë, 2 maj 2012
* Autorja është gazetare zvicerane në profesion të lirë. Qëndron në Kosovë dhe ka botuar deri më tash disa libra mbi Kosovën e pasluftës. Këtë artikull ajo e ka shkruar enkas për albinfo.ch
E-Diaspora
-
Haradinaj konfirmon kandidaturën e parë për deputet nga diaspora Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se struktura e partisë në diasporë është... -
Ekspozita personale “Gjurmët në Medalion” e Valbona Gashit hapet në Konsullatën e Kosovës në Gjenevë -
Krasniqi: Mijëra fletëvotime nga diaspora rrezikojnë të mos arrijnë në kohë në Kosovë -
Mbahen takimet poetike të Nëntorit në Lucern -
Seminar i KKAD me temën “Sfidat e gjuhës shqipe në diasporë”
Jeta në Austri
-
Piloti austriak bën ulje emergjente afër kufirit me Italinë Piloti austriak bën ulje emergjente në autostradën A2 në Karinthia pranë kufirit italian; nuk ka të... -
Influencerja e zhdukur austriake gjendet e vdekur, brenda një valixheje -
Me 23 nëntor mbahet në Vjenë “Turneu i Pavarësisë” -
Koncert festiv për ditën e Pavarësisë së Shqipërisë në Baden të Austrisë -
Vjenë
Orë letrare në Vjenë në shënim të Ditës së Flamurit










