Calmy Rey, peng i guximit të saj

Ndryshe nga votimi në asamble, Michelin Calmy Rey gëzon një simpati të madhe në mesin e popullit, thonë mediet zvicerane

Micheline Calmy-Rey e zgjedhur sot në postin e presidentes, ka mbajtur këtë post edhe në vitin 2007-2008, kur ishte zgjedhur me votën e 147 deputetëve. Rezultati i ulët që ka arritur ajo sot (106 nga gjithsej 189 vota), ka shërbyer për tone kritike në shumë tituj të medieve online të Zvicrës që shkruajnë për këtë zhvillim në Bernë.  

Roli i saj në aferën e lirimit të dy zviceranëve të mbajtur peng në Libi, duket të ketë qenë me mjaft peshë në vendimin negativ të një numri deputetësh. Duhet thënë se Calmy Rey me hapat e saj të guximshëm, qoftë edhe në përkrahjen e idesë së pavarësisë së Kosovës që në vitin 2005, ka hasur në kundërshtim nga mjaft politikanë të Zvicrës. Po ashtu edhe vizita e saj në Iran ka pasur një ndikim në uljen e përkrahjes në mesin e kolegëve, deputetë të partive të ndryshme.

Por, siç vënë re po ashtu mediet zvicerane në publikimet e tyre të sotme, në krahasim me votat negative në asamble, Michelin Calmy Rey gëzon një simpati të madhe në mesin e popullit. Në shumë sondazhe ajo del si një ndër personalitetet politike më të përkrahura nga populli i Zvicrës.

Në seancën e sotme është zgjedhur edhe nënpresidentja e vendit. Në këtë post, me 146 vota është zgjedhur Eveline Widmer-Schlumpf.