Lajme

Peter Maurer përgëzoi Novobërdasit për tolerancë ndëretnike

„Më vjen shumë mirë që këtu, disi, po më duket sikur në Zvicër“

© albinfo.ch: Kryetari i Novobërdës, z. Bajrush Ymeri priti sekretarin e Ministrisë të Punëve të Jashtme të Zvicrës, z. Peter Maurer dhe delegacionin e tij

Të enjten më 23 shkur t 2012, në ambientet e restorantit “Vila Natyra” afër Mramorit, ku do të mbahej forumi debatues i udhëheqjes komunale me qytetarët e Novobërdës, kryetari i komunës z. Bajrush Ymeri u takua me sekretarin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës , z. Peter Maurer. Duke pasur parasysh transprencën ndaj qytetarëve, kryetari Ymeri parapëlqeu që edhe ky takim të mbahet në praninë e tyre. Një zhurmë pune që vinte nga grupet punuese që po debatonin rreth dy temave bosht: Investimet kapitale dhe të hyrat vetjake, nuk e pengonin aspak sekretarin e Ministrisë së Jashtme të shtetit Zviceran, z. Maurer që të diskutonte për çështje të rëndësishme të bashkëjetesës, me kreun e komunës së Novobërdës.

Me këtë rast Kryetari Ymeri e njoftoi z. Maurer për debatin e organizuar me qytetarë si dhe e falënderoi përzemërsisht atë dhe shtetin e tij, Zvicrën, për ndihmën që po i jep komunës së Novobërdës.

Me të njoftuar se në sallë ishin të pranishëm qytetarët e etnitetit shqiptar, serb dhe rom, z. Muarer u fascinua me faktin se gjendet në mesin e qytetarëve të Novobërdës. Ai shfaqi kënaqësinë që shteti i tij po investon në shumë fusha, në Kosovë, e sidomos në fuqizimin e qeverisjes lokale. “Më vjen shumë mirë që këtu, disi, po më duket sikur në Zvicër dhe kjo më jep kënaqësi. Para se të inkuadrohesha në diplomaci edhe unë jam marrë me politikë dhe kam bërë politikë në komunitetin tim ku kam punuar, kështu që kam njohuri sa i përket „shitjes“ së buxhetit të komunitetit lokal. Po ashtu i di disa kontraverza sa i përket vetë buxhetit, kështu që jam shumë i interesuar t’i dëgjoj diskutimet e sotme, dretjpërdrejt nga qytetarët”, tha mes tjerash z. Maurer.

Kryetari Ymeri u shpreh i sinqertë me mysafirin nga Zvicra i cili, në këtë bisedë, ishte i shoqëruar edhe nga ambasadorja e Zvicrës në Kosovë, zonja Krystyna Marty Lang, dhe nuk ngurroi të thoshte se në qeverinë lokale është vështirë të punohet, sepse ka shumë kërkesa, sidomos te ne, por falë miqve tanë, pra, organizatës LOGOS që e kemi një bashkëpunim shumë të frytshëm, po ia dalim të zbusim sadopak, kërkesat e qytetarëve. “Ky tashmë është viti i katërt i bashkëpunimit me Logosin, me të cilin kemi realizuar shumë projekte”, u shpreh z. Bajrush Ymeri, duke shfrytëzuar edhe nga rasti që, në emër të qytetarëve të Novobërdës dhe të stafit komunal ta falënderojë z. Maurer për vizitën dhe për bashkëpunimin. “Sot, këtu jemi tri komunitete pra, tri etinitete: shqiptarë, serbë dhe romë. Kështu punojmë bashkë, kështu edhe jetojmë bashkë dhe nuk kemi probleme dhe ky është shembulli më i mirë i bashkëjetesës. Në Novobërdë asnjëherë nuk kemi pasur probleme, pavarësisht se kush cilit etnitet i takon. Të gjithë qytetarët trajtohen njësoj, prandaj edhe kur kemi këso lloj debatesh ne kemi të pranishëm nga të gjitha komunitetet. Ja këtu pranë meje është edhe nënkryetari, z. Radovan Deniq që vjen nga komuniteti serb si dhe z. Gani Mustafa, drejtor i Drejtorisë për Ekonomi dhe Financa.

© albinfo.ch: Pritje e përzemërt e kryetarit të Novobërdës për delegacionin zviceran

Z. Maurer drejtoi shikimin kah z. Deniq dhe u shpreh “ Unë jam i inkurajuar me pjesëmarrjen e komuniteteve në komunën tuaj, sepse gjatë dhe pas luftës, normalisht, kemi pasur frikë që ky multietnicitet, pra bashkëjetesa me komunitetin serb do të humbet. Pra, më pëlqeu shumë shprehja jote ku secili qytetar trajtohet njësoj dhe më vjen shumë mirë kur konflikti i etniciteteve kthehet në konfliktin e buxhetit”, iu kthye z. Ymeri.

Me këtë rast edhe nënkryetari Deniq i shprehu mirëseardhje sekretarit Maurer për ta përshëndetur atë në emrin e tij dhe të komunitetit serb, si dhe falënderoi qeverinë zvicerane. “Nuk kam nevojë të shtoj shumë, sepse kryetari tashmë i tha të gjitha, por do t’i merrja fjalët e tij si shembull për bashkëjetesën e shkëlqyeshme në komunën e Novobërdës dhe më vjen mirë që me ju të diskutojmë çështjen e buxhetit ose të përmirësimit të kushteve jetësore e jo për konfliktin , sepse Komuna e Novobrdës çështjen e konflilktit e ka tejkaluar qysh moti”, tha z. Radovan Deniq.

Si komunikoni mesveti?

© albinfo.ch: Toleranca ndëretnike favor i madh për bashkëjetesë

Në pritje të një përgjigje kokëfortësie rreth komunikimit mes palëve z. Peter Maurer iu drejtua z. Deniq me pyetjen fare direkte: „ A mund t’ju pyes se si komunikoni mesveti”?

Nënkryetari Deniq ishte krejt direkt, duke e pranuar se ka pengesa në të folur të gjuhës shqipe, por la për të besuar se atë nuk e bën nga mosdashja, por nga mosdija dhe bëri të ditur se, „tani kemi një projekt për mësimin e gjuhës shqipe dhe serbe, kështu që njëri nga ata që do ta ndjekin këtë kurs jam edhe unë vetë. Unë përpiqem të flas shqip, por kam pengesa. Ç‘është e vërteta kryetari nuk po më lejon të mësoj shqip, sepse ai po komunikon me mua në gjuhën time” u shpreh paksa me shaka z. Deniq.

Dhe, për të dëshmuar se nuk do të vihet në kantar se kush dhe sa po e flet gjuhën e njëri-tjetrit, kryetari Ymeri vazhdoi bisedën në një serbishte të rrjedhsme: “Ne kemi pasur shumë qytetarë që kanë punuar në Zvicër dhe ata kur kanë ardhur për pushime këtu, shpesh, na kanë prezantuar shembuj se si njerëzit në Zvicër jetojnë mirë, pavarësisht se cilit etnitet i takojnë, dhe kjo na ka pëlqyer gjithherë. Kështu, Zvicra gjithmonë ka qenë si shembull i mirë, jo vetëm për ne, por për gjithë botën. Prandaj edhe ne dëshirojmë që Zvicrën ta marrim si model edhe për bashkëjetesën tonë këtu.

Pra siç e ceku edhe nënkryetari, ne kemi vendosur të marrim një kurs që ne shqiptarët të mësojmë serbisht, ndërsa serbët të mësojnë shqip, ngase ne çdo ditë punojmë në komunë dhe kur na vjen ndonjë palë nuk kemi mundësi gjithmonë të kemi pranë nesh ndonjë përkthyes. Unë jam tejet i kënaqur kur kam parë gatishmërinë sidomos nga komuniteti serb që punon këtu të thonë: po, natyrisht ne duam të mësojmë shqip. Sigurisht kjo do të na krijojë lehtësira, jo vetëm në punë, por edhe në jetën e përditshme, sepse, meqë jetojmë këtu, atëherë është mirë ta njohim gjuhën e njëri-tjetrit”, u shpreh z. Ymeri.

“ Është shumë interesant se edhe te ne njerëzit ndoshta nuk e flasin mirë gjuhën e tjetrit, por ata e mësojnë në atë mënyrë sa për ta kuptuar palën tjetër se çfarë thotë. Pra ne e kemi parimin që secili komunitet e flet gjuhën e vet, kështu që pala tjetër bashkëbiseduese duhet ta kuptojë gjuhën e tjetrit”, tha z. Maurer për të vazhduar:” Në Zvicër e kemi një rregull tjetër të përdorimit të gjuhës. Pra, nëse një qytetar dëshiron t’i drejtohet kantonit ose edhe në nivel federal ata zakonisht u drejtohen në guhën e vet amtare dhe, natyrisht, edhe përgjigjen e marrin në gjuhën e tyre amtare. Kështu që, edhe kur ju vjen ndonjë fakturë ajo duhet të jetë në gjuhën tuaj amtare. Nëse vjen në gjuhë tjetër ju keni të drejtë ta refuzoni, pra keni të drejtë ta kërkoni në gjuhën tuaj”, dha një shembull të funksionimit të shumëgjuhësisë në shtetin zviceran.