Lajme

E kritikojnë shqiptarët nacionalizmin shqiptar?

Shpërthimi i valës së nacionalizmit dhe ekstremizmit ditëve të fundit, rezultoi me disa shkrime kritike nga disa gazetarë

Shpërthimi i valës së nacionalizmit dhe ekstremizmit ditët e fundit rezultoi me disa shkrime kritike nga disa gazetarë, analistë e qytetarë për fenomenet që ndodhin.

Shkrimet u vunë në fokus të propagandave të caktuara dhe pati raste kur deputetë të partisë qeverisëse etiketonin gazetarët hapur për qëndrimet që shprehnin.

Por në këto shkrime që kritikonin fyerjet, sharjet dhe ofendimet pati dhe konstatime se intelektualët shqiptarë nuk kritikojnë sa duhet fenomenet e dëmshme brenda shoqërisë së tyre. Por sa vlen ky konstatim?

Tuna, këngëtarja nga Shkupi, karrierën e saj së fundmi e ka përqendruar në Kosovë dhe në Shqipëri. Këtu ajo është pjesë e jurisë të show-ut të njohu televiziv X Faktor Albania

Ashtu si Tuna, edhe shumë profesionistë të tjerë të fushave të ndryshme, shqiptarë nga Maqedonia, aktivitetet e tyre i fokusojnë në Prishtinë dhe në Tiranë, e njëjta gjë ndodh edhe në fushën e medies.

Disa autorë apo dhe personazhe janë prezentë në mediet e rajonit duke diskutuar për fenomenet e shoqërisë.

Ky është një emision i tillë. Në një nga televizionet e Tiranës, ku të ftuar janë analistë nga Maqedonia.

Artan Sadiku, një nga opinionistët e rinj, i cili në një shkrim të tij dënoi hapur brohoritjet ofenduese të maqedonasve dhe shqiptarëve që i bënin njëri-tjetrit në terrenet sportive, thotë se veç barrierës gjuhësore, opinioni maqedonas e ka të vështirë të kuptojë një realitet tjetër që debatet mes shqiptarëve ndodhin në mediet jomaqedonase, që sipas tij është shqetësuese për kohezionin shoqëror në Maqedoni:

“Duke pasur parasysh zhvillimin super të shpejtë të botës mediatike shqiptare, para së gjithash në Shqipëri, shqiptarëve të Maqedonisë iu mundësua të përfshihen në këtë botë mediatike, duke qenë të pamundësuar të kenë qasje të pabarabartë në botën mediatike në Maqedoni. Prandaj sot ajo që paraqet çështje për shqiptarët, kulturore, sportive apo politike është totalisht e ndryshme nga ajo që paraqet çështje për maqedonasit. Këto dy botë mediatike nuk komunikojnë fare dhe ky është një nga problemet e tjera që duhet të trajtohet”.

Artan Sadiku, i cili ndër të tjera shkroi: “Që të ndërtojmë një diskurs të qartë antinacionalist, thellë dhe seriozisht duhet të merremi së pari me veten”.

Flamuri shqiptar si kartëvizitë për karrierë politike?

Leart Kola është një autor tjetër, i cili shpesh shkruan dhe flet kundër nacionalizmit. Ai është aktivist politik. Shkrimet e tij botohen në mediet e Tiranës, Prishtinës dhe Shkupit. Në një prej tyre ai shkruan për përdorimin e flamurit kombëtar shqiptar si kartëvizitë për të bërë karrierë politike përballë halleve reale të njerëzve, si mjerimi dhe varfëria. Ai sqaron se në mediet që ndiqen nga të gjithë shqiptarët në rajon, ndër analistë dhe njerëzit me ndikim në opinion ka të tillë që kritikojnë hapur nacionalizmin:

“Tek elitat shqiptare, sidomos te pjesa e analistëve ekziston një qasje negative ndaj fenomeneve nacionaliste. Ky qëndrim ka anën pozitive, sepse nuk lë rritjen e nacionalizmit, i cili mund të ishte një fenomen fashist nesër a pasnesër”.

Kritika e autorëve shqiptarë ndaj pushtetarëve dhe fenomeneve shqiptare është më e ashpër se ajo që ndodh në mediet në Maqedoni. Këtë e thonë disa vëzhgues që lexojnë dhe ndjekin mediet në gjuhën shqipe dhe maqedonase. Por kjo, sipas Leart Kolës, nuk do të thotë se edhe mediet e Tiranës janë ideale, edhe pse asnjë nuk ka presione ose dënime publike nga pushtetarët siç ndodh në Maqedoni, nëse dënojnë nacionalizmin shqiptar:

“Nuk ekziston ideja e kërcënimeve nëse e mbron ose e kundërshton nacionalizmin. Kërcënime në Shqipëri mund të kesh nëse akuzon për korrupsion dhe nëse i prek politikanët te xhepi”,

Por, pavarësisht pamjes tjetër që thuhet se ekziston në hapësirën mediatike shqiptare, e cila tejkalon atë të Maqedonisë, sipas bashkëbiseduesve të Diversity Media, opinioni maqedonas nuk ka akses në këto debate.

Institucionet të (pa)qarta kundër nacionalizmit

Branko Gerovski ishte një prej atyre që kërkoi reagim edhe nga intelektualët shqiptarë për fenomenet në shoqërinë shqiptare. Ai pranon se nuk e ndjek dot debatin shqiptar. Si drejtues i një medie thotë se duhet hapje më e madhe për jomaqedonasit:

“Duhet t’i hapim mediet tona që përfaqësuesit e grupeve të tjera etnike të jenë prezent dhe pjesë e debateve. I hapur jam edhe për atë që t’ i dëgjojmë, t’i publikojmë dhe t’i rrëfejmë qëndrimet e intelektualëve shqiptarë për këtë çështje”, thotë Gerovski.

Por disa vëzhgues shqiptarë të zhvillimeve tërheqin vëmendje se duhet një angazhim më i madh veç dëshirës së mirë te një pjesë e personazheve mediatike. Ata shprehin shqetësim edhe për valën e re të nacionalizmit, duke thënë se sa një problem mediatik dhe mospasqyrimi i plotë i qëndrimeve të të gjitha anëve, ajo që duhet të jetë në fokus është veprimi i institucioneve. Ato ndërkohë duhet të perceptohen si të të gjithëve dhe, kur ndodhin zhvillime që mund të nxisin tensione, duhet të reagojnë menjëherë.

Është e papranueshme, thonë ata, që drejtuesit e lartë që duhet të jenë shembull, nuk dënojnë incidentet, aq më keq kur pretendojnë se as nuk i kanë parë ose dëgjuar, siç thanë edhe kryeministri Nikolla Grevski edhe zëvendësi i tij, Musa Xhaferri, për brohoritjet ofenduese ndaj shqiptarëve në ndeshjet e kampionatit evropian në hendboll. Që të dy krerë institucionesh të rëndësishme, në vend që të dilnin në ballë kundër brohoritjeve nacionaliste, të dy vendosën të anashkalojnë çështjen, duke dhënë deklarata të vakëta që, sipas vëzhguesve, është e papranueshme.