Lajme
Ish-presidentja Jahjaga “non grata” në Serbi
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga nuk është lejuar të shkoj në Beograd për të promovuar librin me rrëfimet e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë. Asaj nuk i është ofruar siguri, ndërsa disa qytetarë kanë protestuar kundër saj

Autoritet e Serbisë nuk e kanë lejuar ish-presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga që të marrë pjesë në një aktivitet të shoqërisë civile, në Beograd. Ajo ishte e ftuar në promovimin e librit “Unë dua të dëgjohem”, në kuadër të festivalit “Mirëdita – Dobar dan!” që dy ditët e fundit po zhvillohet në kryeqytetin e Serbisë, Beograd.
Jahjaga, ishte e ftuar të mbajë fjalim për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, mirëpo autoritet serbe, në përgjigjen e tyre dërguar zyrës së Jahjaga, thonë se ata nuk mund t’i ofrojnë siguri për ish presidenten e Kosovës.
Dy netët e para të festivalit në Beograd, janë shoqëruar me protesta të serbëve, të cilët kundërshtonin pjesëmarrjen e Jahjagës. Ndërsa kjo e fundit në një postim në facebook, thotë se “hyrja e saj në shtetin e Serbisë u pamundësua me një arsyetim absurd”.
“Përgatitjet për vizitën janë bërë në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit për vizita të zyrtarëve të lartë. Autoritetet e Kosovës i kanë njoftuar me kohë dhe me përpikëri autoritetet e Serbisë, siç është e paraparë me Marrëveshje. Por zyrtarët në Beograd kanë dështuar t’i përmbahen kësaj marrëveshjeje, duke e shkelur atë me qëllim që të ndalojnë vizitën time”, thotë Atifete Jahjaga.
Sipas saj, “pranimi i së vërtetës mbi krimet e luftës në Kosovë është e vetmja mënyrë që shoqëritë e dy vendeve të ecin përpara”.
“Unë nuk kam iluzione që zyrtarët e sotëm të Serbisë do ta ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, sepse ata po e vazhdojnë politikën e viteve të 90-të, kur kanë qenë edhe protagonistë. Por dua të shpreh respektin tim për organizatorët e festivalit, një grup të rinjve dhe aktivistëve, që nuk do të lejojnë që e ardhmja e tyre dhe e tërë rajonit të mbahet peng nga këta udhëheqës që duan ta fshehin të vërtetën. E vërteta nuk njeh kufij”, thotë Jahjaga.
Kundër kësaj ndalese ka reaguar edhe ministrja në detyrë për Dialogun me Serbinë, Edita Tahiri. Ajo thotë se ka njoftuar Bashkimin Evropian për ndalesën e vizitës së ish-presidentes, Atifete Jahjaga, në Beograd nga ana e autoriteteve të Serbisë duke theksuar se me këtë akt refuzimi “Serbia ka shkelur marrëveshjen e Brukselit për lirinë e lëvizjes dhe atë për vizita zyrtare midis dy shteteve”.
“Akti i refuzimit nga Serbia tregon qartë se Serbia nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën e saj agresore dhe gjenocidale ndaj shqiptarëve dhe kjo po ashtu tregon se ata nuk janë të gatshëm për paqe, drejtësi dhe marrëdhënie fqinjësore midis dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, e cila është një objektiv kryesor i dialogut të lehtësuar nga BE”, thuhet në reagimin e Edita Tahirit.
Edhe aktivistja për të drejtat e njeriut në Beograd, Natasha Kandiq, akuzon rëndë qeverinë e Serbisë që nuk ia mundësoi hyrjen në Serbi ish-Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga. “Ish-presidentja e Kosovës nuk ka marrë leje për hyrje në Serbi. Qeveria preferon shqiptarët në varreza masive, nën këmbët e gjeneral Dinkoviq”, shkruan Kandiq.
Kundër ndalesës së Jahjagës që të shkoj në Beograd, ka reaguar edhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian dhe raportuese e posaçme për Kosovën, Ulrike Lunacek, e cila kërkon nga Beogradi që t’i mundësoj ish-presidentes kosovare të shkoj në Serbi.
“Është plotësisht e papranueshme që ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, t’i pamundësohet nga autoritetet serbe pjesëmarrja në Festivalin “Mirëdita, Dobar Dan”, thotë Lunacek.
“Kjo sjellje e autoriteteve serbe është edhe një kundërshtim tjetër i marrëdhënieve të mira fqinjësore, për të cilat Beogradi është obliguar në dialogun e Brukselit me Kosovën të ndëmjetësuar nga Bashkimi Evropian”, pohon Lunacek, e cila kërkon që “autoritetet e Serbisë menjëherë të mundësojnë hyrjen Jahjaga në Serbi me qëllim që sonte të mund të marrë pjesë në takimin ku është ftuar.
Ndryshe, Jahjaga ishte e ftuar për të promovuar librin “Unë dua të dëgjohem”, kushtuar rreth 20 mijë femrave të dhunuara nga forcat serbe, gjatë luftës së Kosovës. Libri pritej të prezantohet sonte në Beograd, në kuadër të Festivalit “Mirëdita, Dobar dan!”.
E-Diaspora
-
Diaspora mbështeti masivisht Partinë Socialiste në zgjedhjet e Shqipërisë, fitorja më e thellë në Berat me 75.7% Në zgjedhjet e 11 majit, diaspora shqiptare mori pjesë për herë të parë duke votuar me...
-
Dr. Fatime Imeri në krye të Rrjetit të Bizneseve të Diasporës në Zvicër
-
Volketswil: Të dielën zhvillohet turneu i shkollave shqipe në futboll
-
Lea Ypi hap festivalin e Vjenës, kërkon të drejtë vote për migrantët
-
Kosovari mohon akuzën për tejkalim shpejtësie: “Ka qenë vëllai im binjak”
Jeta në Austri
-
Austri: Çmimi i kafesë në rritje, mungesat në staf dhe ndryshimet klimatike fajtorë kryesorë Për shumicën e austriakëve, dita nis me një filxhan kafeje. E njohur si “ari i zi”,...
-
Austria do të organizojë Eurovision 2026 pas fitores, por a do ta përballojë financiarisht?
-
630,000 austriakë nuk dinë të notojnë
-
Tarifat austriake të strehimit: Cilat janë rregullat kur menaxherët e pronave rrisin kostot?
-
Rritet ndjeshëm numri i britanikëve që marrin shtetësi austriake