Lajme

Veriu i Kosovës, në mes të logjikës thjeshtëzuese dhe realitetit kompleks

Hysa: "Treni me të cilin po udhëtojmë bashkë, do të ishte më mirë të ndalonte në Bruksel dhe jo në Mitrovicë"

Dita e martë, 27 shtator, ishte caktuar me kohë për mbajtjen e tryezës: “Kosova, mes dialogut dhe tensioneve”. Dhe, në kohën kur kjo tryezë kishte filluar, nga veriu i Kosovës vazhdonin të vinin lajme dramatike, me barrikada të ngritura dhe me ushtarë që sulmohen me armë zjarri derisa provojnë të vendosin rend.

Një atmosferë e tillë, patjetër do ta ndikonte debatin e organizuar nga albinfo.ch dhe Universiteti Popullor shqiptar i Gjenevës, që u mbajt në ambientet e Universitetit të Bernës. Prania në debat edhe e koordinatorit të Qeverisë së Kosovës për Veriun, Ylber Hysa përbënte një premtim se nuk do të mungonin informatat e “dorës së parë” për situatën e veriut.

Në panelin e tryezës ishin edhe dy zviceranë, njohës të mirë të çështjes së Kosovës, Dr. Andras Ernst, hulumtues dhe korrespondent i «NZZ am Sonntag» në Ballkan dhe Olivier Haener, analist i pavarur politik nga Berna.

Drejtori i platformës albinfo.ch, dr. Bashkim Iseni ka përshëndetur pjesëmarrësit dhe ka bërë një prezantim të shkurtër të platformës. Ai pastaj ka shpalosur tezat e temës së tryezës duke bërë një hyrje lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë.

Debatin e ka animuar Emanuelle Hazan nga shërbimi i shtypit “Common Ground”.

Olivier Haener, duke marrë i pari fjalën, është fokusuar në mundësitë e zgjidhjes së situatës në Kosovën e Veriut. Ai ka identifikuar disa pika, që sipas tij e karakterizojnë momentin aktual në Kosovë. Së pari: kemi dy pikëpamje të kundërta në mes të Prishtinës dhe Beogradit për zgjidhjen e problemit, pastaj kemi mungesë unifikimi në mes të faktorit ndërkombëtar në Prishtinë, po ashtu nuk janë unike as qendrat e vendosjes, kemi edhe zvarritjen prej 12 vitesh të zgjidhjes së problemit etj.

Mungesa e perspektivës ekonomike, “deindustrializimi” i Mitrovicës me rrethinë

Ndërsa problemi më thelbësor, sipas tij është mungesa e perspektivës ekonomike. Sepse, thotë Haener, veriu i Kosovës është “deindustrializuar”, kur kemi parasysh mosfunksionimin prej sa vitesh të gjigantit Trepça. “Çdo politikë serioze që synon zgjidhje në Kosovë duhet të gjejë zgjidhjen e këtyre problemeve” ka thënë Haener.

Duke u ndalur në përshkrimin e gjendjes ekonomike, ai ka thënë se në kushtet e shuarjes pothuaj të plotë të kapaciteteve industriale që kishte regjioni, paraja që sjell Serbia për serbët e veriut, siguron megjithatë standard më të lartë në veri krahasuar me atë në jug. Këtu ai sheh detyrimin që duhet të ketë parasysh qeveria e Kosovës, që me masa stimuluese, ta bëjë më atraktive jetën në Kosovë edhe për serbët e veriut. Aktualisht, këta të fundit, duke marrë paga shtesë nga Beogradi, nuk shohin ndonjë arsye përse do të kthenin kokën nga Prishtina.

Përfaqësuesi i Qeverisë së Kosovës Ylber Hysa, duke u ndërlidhur me faktorin e joshjes ekonomike, ka përkujtuar përpjekjet që Qeveria po bën për të siguruar edhe një zhvillim ekonomik në veriun e Kosovës. Sipas tij, janë duke u ndarë rreth 20 milionë euro të dedikuara për këtë regjion, me fokus në zhvillimin ekonomik dhe të infrastrukturës në vendet e banuara me serbë po edhe me shqiptarë dhe pjesëtarë të etnive tjera.

Ernst: Synimi për “shoqërinë multietnike” një blof i ndërkombëtarëve. Hysa: Kundër trajtimit bardh-zi të çështjeve komplekse

Ndërsa ndryshe e sheh gjendjen korrespondenti i NZZ am Sonntag në Beograd, Andreas Ernst. Ai thotë se është naive kërkesa e ndërkombëtarëve për një “shoqëri multietnike” në Kosovë, në kohën kur nuk kemi një zhvillim të mirëfilltë të një shoqërie si të tillë. Me fjalë tjera, për të pasur një shtet duhet të ekzistojë një shoqëri unike ndërsa në Kosovë funksionojnë dy shoqëri paralele.

Ylber Hysa, ka kundërshtuar atë që ai e ka quajtur logjikë simplifikuese të gjërave. “Ajo që kemi parë sot në veri të Kosovës është hera e parë që shpërthen dhuna fizike në mes të serbëve dhe KFOR-it dhe kjo përbën një sfidë për status-kuo-në këtë pjesë të Kosovës, respektivisht një lëvizje nga konflikti i ngrirë atje. Ai me këtë rast ka tërhequr vërejtjen ndaj vështrimeve thjeshtëzuese lidhur me situatën në veri.

Ajo situatë nuk duhet shikuar në dioptrinë bardh-zi”, ka thënë Hysaj duke iu referuar parafolësve, sepse në fakt është më e ndërlikuar. Ai ka tërhequr vërejtjen për rrezikun e efektit të dominosë në rast të tolerimit të ndarjes së veriut nga Kosova. Hysa ka përkujtuar se, po ndodhi kjo ndarje, efektet do të ndjehen edhe në Maqedoni, Luginë të Preshevës, Sanxhak, Bosnjë e gjetiu. Prandaj ky do të ishte një precedent i rrezikshëm.

Për këtë arsye, ka sugjeruar Hysa, “treni me të cilin po udhëtojmë bashkë, do të ishte më mirë të ndalonte në Bruksel dhe jo në Mitrovicë. Ai ka përkujtuar se megjithatë, shumica e madhe e serbëve të Kosovës jetojnë në jug të Kosovës dhe jo në veriun e trazuar. Për këtë arsye ndarja do të ishte e pafavorshme në radhë të parë për ta.

Shembujt pozitivë në jug të Ibrit dhe Ahtisari i kuptuar nga serbët si “tavolinë suedeze”

Ndërsa pjesëmarrësi tjetër në debat, Andreas Ernst ka polemizuar me Hysën duke insistuar në atë se, nëse popujt nuk duan të jetojnë bashkë, duhet gjetur një zgjidhje që mundëson këtë, qoftë edhe me ndarje. Ai po ashtu ka relativizuar frikën nga efekti i dominosë, i përmendur nga Hysa. Sipas Ernst, për veriun duhen zhvilluar “negociata të vërteta politike” dhe jo të humbet kohë me dialogun e quajtur teknik. Ndërsa Hysa është përgjigjur se ne si Kosovë nuk jemi pyetur për këtë dialog, por ai na është imponuar nga BE, e cila përmes tij, po ia përgatit Serbisë rrugën për kandidat të BE-së.

Në debat u përfshi edhe përfaqësuesja e Ambasadës së Kosovës në Bernë, ministrja këshilltare Artana Bardhi. Ajo, për të vënë në dukje destruktivitetin e ekstremistëve serbë të veriut, ka marrë si shembull funksionimin e mirë të komunave serbe në brendi të Kosovës. Graqanica, sipas saj, është një shembull i suksesit të integrimit të popullatës serbe në pjesët tjera të Kosovës dhe të pranimit të realitetit të ri, nga ana e saj. Sipas këtij shembulli, ka thënë Bardhi, mund të integrohej edhe veriu.

Ndërsa Bashkim Iseni, drejtor i platformës albinfo.ch ka kërkuar nga debatuesit të bëjnë dallimin në mes të Planit të Ahtisarit dhe autonomisë që po kërkojnë serbët, kur dihet se në fakt plani i Ahtisari është një autonomi e paemërtuar, horizontale për serbët brenda Kosovës. 

Përgjigja e Andreas Ernst ishte se Plani i Ahtisarit është plan shumë i mirë por i imponuar dhe që nuk ka ardhur si rezultat i negociatave në mes të Kosovës dhe Serbisë. Ndaj këtij konstatimi reagoi Ylber Hysa, duke e quyjtur atë fryt të negociatave dhe të punës së mundimshme të delegacioneve. Por, problemi është, sipas Hysës, në atë se serbët e veriut po kërkojnë që nga Ahtisari të bëjnë një “tavolinë suedeze”, që të marrin atë që duan dhe të lënë ato që nuk u pëlqejnë. Me fjalë të tjera, ajo që duan ata, është autonomia vertikale, gjegjüesisht lidhja e drejtpërdrejtë me Beogradin.

Pyetja tjetër e Isenit kishte të bënte me pasojat që do të bartë zhvillimi ekonomik i Kosovës nga kriza ekonomike që po vazhdon në veri. Hysa, lidhur me këtë ka thënë se, në rast të ndarjes, regjioni rreth Mitrovicës mund të bëhet një provincë e parëndësishme dhe zorrë qorre për Kosovën. Ai ka shtuar se politika që po udhëheqin serbët lidhur me veriun e Kosovës është në thelb edhe politikë antiekonomike.

Debatin parimor dhe përgjithësisht korrekt që u zhvillua në lokalet e Universitetit të Bernës, e karakterizoi edhe toni polemizues, kryesisht në mes të koordinatorit të Qeverisë së Kosovës për Veriun, Ylber Hysa dhe analistit Andreas Ernst.