Lajme
Marrëveshja e Ohrit : “Mbetet edhe shumë për t’u bërë”
Ka ende punë për zbatimin e plotë të dispozitave të këtij dokumenti dhe idetë e ndarjes së Maqedonisë janë anakronike dhe të deplasuara

20 vjet prej pavarësisë nga ish-Federata jugosllave, 10 vjet prej Marrëveshjes së Ohrit që ndërpreu luftën e vitit 2001, janë këto dy dekada të rrugëtimit të Maqedonisë ndërmjet presioneve për zgjidhjen e emrit të kontestuar nga Greqia dhe ndërmjet presioneve për krijimin e raporteve të barabarta mes dy grupeve etnike më të mëdha në Maqedoni.
Në kronologji të ngjarjeve flet në një intervistë për Albinfo.ch politikani shqiptar nga Maqedonia, ish-ministër i arsimit dhe njëherësh ambasador i këtij vendi në misionin e OKB-së në Gjenevë, Aziz Pollozhani. Për Marrëveshjen e Ohrit ai thotë se mbetet edhe shumë për t’u bërë në zbatimin e plotë të dispozitave të këtij dokumenti paqësor. Ndërsa kritikuesit i quan përfitues të politikës ditore.
Albinfo.ch: Z. Pollozhani, ju jeni ambasadori i parë i Republikës së Maqedonisë në misionin e OKB-së në Gjenevë pas pavarësisë së këtij vendi nga ish-Federata jugosllave, nga perspektiva e një ambasadori shqiptar, pas dy dekadave të pavarësisë, kah po ecën vendi juaj?
Aziz Pollozhani: Maqedonia është e vetmja republikë e ish-federatës që u shkëput nga e njëjta pa luftë që në fazën e hershme të shpartallimit të Federatës jugosllave.
Kjo situatë pastaj u përcoll me kontestime të shumta mbi baza të ndryshme nga disa fqinjë, si dhe me bllokada të ashpra ekonomike që pa dyshim vështirësuan ndërtimin e bazës si ekonomike, po ashtu edhe politike për një shtet me sistem të ri. Po ashtu, dihet fakti se në këtë ambient edhe shqiptarët të organizuar në parti politike u përpoqën të konsolidojnë të drejtat e veta në rrugë parlamentare. Gjithashtu është i njohur fakti se ambienti i atëhershëm plural politik nuk pati ndjeshmërinë e duhur për kërkesat e shqiptarëve që rezultoi me bojkotimin në referendumin për shpalljen e pavarësisë së Republikës së Maqedonisë, si edhe me mosvotimin e Kushtetutës së parë disa muaj më vonë nga ana e deputetëve shqiptarë. Kjo krijoi një kontest të ri në mes të komuniteteve në Maqedoni që u bë shkak për harxhimin e shumë energjive për çështje të harmonizimit të raporteve të brendshme dhe pa dyshim që e zgjati fazën e tranzicionit.
Megjithatë, në kontekstin e krijuar, mund të merret si pozitive ruajtja e paqes dhe stabilitetit në këtë periudhë shumë turbulente të shthurjeve të mëdha në Ballkan, tejkalimin e vështirësive të imponuara ekonomike dhe pa dyshim pranimi i Republikës së Maqedonisë në OKB, në vitin 1993, si parakusht elementar për t’u marrë me sfidat e reja të shtetndërtimit dhe reformave të nevojshme në këtë kontekst. Ndonëse me vërejtje dhe pakënaqësi të caktuara, shqiptarët megjithatë ishin pjesë e kësaj rruge të vështirë të konsolidimit dhe afirmimit të këtij shteti të ri, duke krijuar kështu bazën e raporteve të reja në kuadër të një shteti të përbashkët. Ruajtja e paqes dhe stabilitetit edhe në rajon, në këtë fazë shumë delikate, ishte po ashtu një kontribut i veçantë, ku edhe shqiptarët e Maqedonisë e kanë kontributin e vet.
Pas Marrëveshjes së Ohrit, respektivisht pas ndërrimeve kushtetuese në vitin 2001, kuptohet që shqiptarët e Maqedonisë duke u bërë pjesë konstitutive e Maqedonisë, duke i konsoliduar të drejtat e tyre në Kushtetutën e vendit, ato marrin edhe përgjegjësi të tjera në jetën politike, ekonomike, pse jo edhe diplomatike që fuqizon dhe afirmon dukshëm pozitën e Maqedonisë si model për harmonizimin e raporteve ndëretnike në kuadër të një shteti shumetnik dhe shumë kulturor.
Albinfo.ch: Si e vlerësoni bojkotimin e subjekteve politike shqiptare që u bënë ceremonive festive me rastin e njëzetvjetorit të pavarësisë së Maqedonisë?
Aziz Pollozhani: Mendoj se nuk ka pasur një “bojkotim” të plotë, sepse dihet se aktivitetet ceremoniale në kuadër të institucioneve (Parlament, qeveri etj.) janë realizuar edhe në prani të përfaqësuesve të partisë dhe partive të tjera përbërëse të qeverisë. Kam përshtypjen se “bojkoti” më së shumti mund t’i përshkruhet kontekstit opozitar, pra, opozita(maqedonase dhe shqiptare) me sa duket nuk e pa të udhës të bëhet pjesë e manifestimeve publike që lidhen me këtë datë. Gjithsesi se si në aspektin e ndërtimit të demokracisë, si në atë të ndërtimit dhe pasurimit me përmbajtje edhe më të prekshme të raporteve ndëretnike, ne kemi edhe shumë për të bërë, por, besoj se kjo do të bëhet duke forcuar bashkëpunimin dhe besimin e ndërsjellë si atë ndëretnik, po ashtu edhe atë ndërpartiak. Albinfo.ch: Ditët e fundit është shënuar një përvjetor tjetër shumë i rëndësishëm për Maqedoninë, përvjetori i dhjetë i Marrëveshjes së Ohrit? Aziz Pollozhani: Ky vit është edhe viti i dhjetë i Marrëveshjes së Ohrit, dhjetëvjetor ky që është manifestuar me aktivitete të ndryshme të organizuara nga ana e Qeverisë së Maqedonisë, por edhe nga institucione të tjera. Më datat 12 dhe 13 gusht në vendin ku edhe është nënshkruar, në Ohër, sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit organizoi një konferencë dyditore, ku morën pjesë kryesisht protagonistë të atëhershëm të proceseve dhe lehtësuesit ndërkombëtarë gjatë nënshkrimit dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, nënkryetari i Qeverisë së Maqedonisë, Musa Xhaferi, anëtarë të tjerë të qeverisë si edhe Presidenti i Republikës, z. Ivanov, i cili e mbajti edhe fjalën hyrëse.
Aty u bënë prezantime shumë cilësore nga pjesëmarrësit si nga vendi, edhe nga jashtë dhe u dhanë vlerësime, sipas meje, shume reale. Konstatim i përgjithshëm që doli edhe nga ky debat ishte se Marrëveshja e Ohrit, përveç që ndaloi luftën dhe i dha shansin paqes, ajo krijoi një bazë të re dhe të drejtë për ndërtimin e një shteti të përbashkët të maqedonasve, shqiptarëve dhe të tjerëve, duke zgjidhur problemet që rëndonin raportet ndëretnike deri atëherë, dhe kështu duke krijuar bazën për zhvillim të harmonishëm shoqëror dhe ekonomik dhe duke përshpejtuar rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
Albinfo.ch: Si e shihni Maqedoninë pas 10 vjetëve? A është implementuar në tërësi kjo marrëveshje, e cila i dha fund konfliktit të 2001-ës?
Aziz Pollozhani: Kuptohet që pjesa juridiko-kushtetuese e Marrëveshjes së Ohrit, duke u inkorporuar në vetë Kushtetutën dhe ligjet merret se është realizuar, por sigurisht që mbetet edhe shumëçka për t’u bërë për t’u quajtur e kryer. Në fakt, duke qenë pjesë e Kushtetutës dhe duke marrë parimin bazë mosdiskriminimin dhe shoqërinë me shanse të barabarta, ato edhe nuk kanë ndonjë datë për t’u mbyllur, Ato janë parime dhe vlera për të cilat duhet një përkujdesje e përhershme dhe jo vetëm në Maqedoni, por edhe në çdo shtet tjetër. Ne fakt, në vetë Marrëveshjen e Ohrit, në pjesën e masave për forcimin e besimit të ndërsjellë, ka elemente që janë të afatizuara, dhe ato janë kryer, por nganjëherë kjo çështje shumë komplekse shtrohet më shumë për të përdorur për qëllime të nevojave të politikës ditore. Albinfo.ch: Nga ndërkombëtarët Marrëveshja e Ohrit shikohet si model për zgjidhjen e krizave, ndërsa politikanë të vendit, sidomos ata opozitarë, thonë se po bëhen devijime nga marrëveshja, cili është mendimi juaj?
Aziz Pollozhani: Si nënshkrimin, po ashtu edhe implementim e Marrëveshjes së Ohrit e kanë përcjellë me debate dhe kritika që për një ambient si yni mund të merren si normal dhe legjitim. Të dobishme po ashtu do ishin kritikat që do të ishin në funksion të zgjidhjeve më të mira, më të avancuara, por për fat të keq, Marrëveshja e Ohrit shpesh u përdor sikurse edhe që thashë më lart për ndërtimin e pozicioneve të politikës ditore, duke u dhënë vlerësime të ndryshme, bile edhe duke e pranuar ose mohuar atë varësisht nga fakti i të qenit të ndonjë pjesëtari i ndonjë partie në pushtet apo në opozitë.
Ky fakt, që e ka evidentuar edhe vetë qytetari, respektivisht votuesi, i zbeh argumentet e mohuesve dhe kritikuesve të Marrëveshjes së Ohrit, dhe si të tilla nuk mendoj se kanë ndonjë peshë. Për kritika të bazuara dhe propozime të argumentuara në funksion të avancimit të demokracisë dhe forcimit edhe të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, mendoj se gjithmonë do të ketë vesh për t’i dëgjuar. Albinfo.ch: Arbën Xhaferi vlerëson se marrëveshja është e vdekur, ndërsa ish-kryeministri Lubço Georgievski mendon se marrëveshja edhe pse solli paqen, më mirë do të ishte ndarja e vendit, si do t’i komentoni këto deklaratat të dy nënshkruesve të Marrëveshjes së Ohrit? Aziz Pollozhani: Në këtë frymë janë edhe deklaratat e dy nënshkruesve që ju i përmendni. Fakti që sot në Maqedoni janë tejkaluar disa gjeneratorë të tensionimeve ndëretnike, që edhe shqiptarët mund të zgjedhin edukimin në të gjitha nivelet edhe në gjuhën e tyre, që flitet shqip edhe në Parlament dhe se shumë akte nuk mund të aprovohen pa pëlqimin e shqiptarëve, e mohon vetvetiu vlerësimin e pare. Në fakt, këtë e konfirmojnë votuesit me mbështetje e tyre të përsëritur për programe, në qendër të së cilës është Marrëveshja e Ohrit.
Kurse për sa i përket ideve për ndarjen e Maqedonisë, mendoj se sikurse edhe më pare, edhe tani ato janë anakronike, të deplasuara dhe në kundërshtim me interesin e çdo qytetari të Maqedonisë. Në fakt, votuesit edhe për këtë ide kanë dhënë verdiktin e tyre, duke mos u dhënë votën e programeve që në mënyre të hapur apo jo, mbështesin ndarjen e Maqedonisë. Ajo çka na duhet është bashkimi rreth idesë për integrime evropiane dhe euroatlantike dhe hapërimi më i shpejtë drejt këtij qëllimi.
E-Diaspora
-
Arrestohen 11-të persona në Itali, mes tyre shqiptarë Një operacion i policisë italiane ka çuar në arrestimin e 11 personave, pjesë e një bande...
-
Sot nis Alba Festival në zemër të Cyrihut
-
Plagosje me armë në Itali, dyshohet për një shqiptar
-
Bota e logjistikës ajrore: Prapa kuintave të kompanisë Cargologic në Cyrih
-
‘Çka Ka Qëllu’ sërish në top listën e restoranteve më të mira të Nju-Jorkut
Jeta në Austri
-
Pse gjatë verës në Alpe do të ketë reshje shumë më intensive në të ardhmen? Reshjet e shkurtra dhe intensive të verës në rajonet alpine të Evropës ka të ngjarë të...
-
Dy të tretat e austriakëve planifikojnë pushime verore
-
Çfarë ndodh me qëndrimin në Austri nëse humbni punën? Ja çfarë duhet të dini
-
Pse Vjena nuk është më qyteti më i mirë për të jetuar në botë?
-
Austria vs Evropa: Çka mund të blini me 1€