Arti dhe shkollimi me një paralele

Katër shtyllat e integrimit dhe katër shtyllat e mësimit sipas Unesco-s

Diskriminimi apo dallimi në shkollim është i shprehur sa në nivel botëror, në mes të vendeve të varfra dhe atyre të pasura, aq edhe në mes të shtresave shoqërore brenda vetë shteteve të pasura, duke llogaritur këtu edhe Zvicrën, ku shumica e studentëve në Universitete dhe shkolla të larta janë fëmijë të kuadrove e jo të punëtorëve të krahut, derisa në shoqëri është e kundërta. Në këtë kontekst, të përkujtojmë se numri i studentëve shqiptarë në Universitete dhe shkolla të larta në Zvicër në krahasim me numrin e përgjithshëm të mërgatës sonë është simbolik.

Faji i kujt ? Këtu nuk mendoj se duhet të bëjmë ndonjë proces gjyqësor, se edhe po deshëm nuk mundemi, por të emërojmë faktorët.

Për një integrim të mirë nevojiten 4 faktorë: Kushtet dhe bagazhi i nisjes së emigrantëve; Strukturat përcjellëse të vendit të prejardhjes; Strukturat e vendit mikpritës dhe  Vetë individi.

Të përkujtojmë edhe 4 shtyllat që sipas UNESCO-s e përbëjnë shkollimin: Mësimi i njohurive; Mësimi i të bërit; Mësimi i të qenit dhe Mësimi i  bashkjetesës.

Katër shtyllat e integrimit dhe katër shtyllat e mësimit sipas Unesco-s e kanë për bazë jo këtë apo atë kulturë të veçantë, por një kultivim të veçantë.

A ka diskriminim në shkollim dhe në fushën e artit? Është tejet e vështirë të gjykohen me masë këto dy fusha, sepse të dyjat e kanë anën cilësore apo kualitative dhe aty ku ka gjykime cilësie, ka gjykime subjektive. Rroga në mes të dy personave mund të krahasohet lehtë (p.sh. sipas një hulumtimi, të huajt në Zvicër paguhen të paktën mesatarisht 16.7% më pak se vendësit për punën e njëjtë), por orientimi i nxënësve apo vlerësimi artistik ka shumë subjektivitet. Pastaj, me përfundimin e studimeve fillon një problematikë tjetër. Një studim tregon se shqiptarët në Zvicrën franceze kanë 24 % më pak gjasa të thirrën në biseda për punësim se të tjerët me të njëjtat aftësi.

Shkolla jo vetëm që i paraprin ekonomisë, por edhe është ekonomi në vete:  28 shtetet e OCDE-së kanë në vit shpenzime me rreth 1.000 miliardë dollarë në shkollim, apo më shumë se industria e automobilave. 

Sa është i pranishëm arti shqiptar në sferat artistike zvicerane?

Pak apo jo sa duhet në raport me numrin që jemi në Zvicër.

Përveç në disa raste muzikore, sikur grupet Guralumi dhe Kapsamuni, Elina Duni, pa e përfshirë këtu Tedi Papavramin apo të madhin Kadare, arti letrar shqiptar është pak i përfshirë dhe i njohur nga popullata autoktone. Nga aspekti artistik, të paktën, bëhet jetë paralele apo ndaras në mes të shqiptarëve dhe zviceranëve.

Sa emisione letrare të televizioneve publike i kanë të ftuar shqiptarët? Sa festivale të teatrove? Sa biblioteka kanë libra të autorëve tanë të përkthyer? Pak apo aspak.

Faji i kujt ? Nuk ka këtu faj, por ftesë apo nxitje që të punojmë më shumë për një njohje të ndërsjellë.

Jam i vetëdijshëm se është tejet vështirë të kristalizohen kriteret e seleksioneve brenda diasporës për përfaqësim në të gjitha fushat dhe arti hyn në këtë listë; Mediokriteti e ka burim dhe ushqim moskristalizimin e kritereve të përfaqësimit. Por, kjo ushqehet edhe nga ca zviceranë që nga përtacia nuk lodhen të kërkojnë përfaqësues të mirfilltë të artit të prirur pak nga thënia se „ne kërkojmë këshilla më shumë për të përforcuar bindjet tona se sa për këshilla“.

Përse e përmend rëndësinë e arritjeve në fushat artistike në raport me shkollimin? Sepse ndryshon pastaj vetë shikimi  i popullatës vendëse dhe këtu edhe ai i mësimdhënësve.

Të përmend një studim të bërë në SHBA para ca vjetësh, ku krahasohen rezultatet e nxënësve me prejardhje nga Amerika Qendrore (El-Salvador dhe Guatemala) në krahasim me ata nga Meksika dhe Porto-Riko. Këta nxënës kanë të njëjtat struktura familjare, shoqërore, materiale dhe shëndetësore, por një grup i nxënësve nga një komunitet tregon rezultate shumë më të mira se sa një grup tjetër.

Sipas hulumtuesve të këtij studimi, në mesin e shumë faktorëve del se faktori i parë që ndikon është shikimi që mësimdhënësit e kanë për këta nxënës.

Sa herë kam dëgjuar se një mësimdhënës i ka thënë këtij apo atij nxënësi shqiptar se studimet janë të vështira dhe i ka propozuar këtë apo atë zanat, apprentissage apo Ausbildung ? Bërja e zanateve është tejet me rëndësi, por është fisnike nëse një nxënës ka dëshirë, aftësi, zell dhe ka treguar rezultate që të drejtohet aty ku ai i ka synimet.

Në këtë kontekst mendoj se së pari duhet të bëhen hulumitme të mirëfillta, për të vënë pastaj në shënjestër mangësitë që duhet përmirësuar. Pastaj duhet të nxiten edhe më shumë integrimet në të gjitha sferat shoqërore, sepse vetëm nga brenda mund të ndryshohen gjërat.

Por, integrimet apo përfaqësimet në shoqata kulturore, sportive, ekonomike apo politike duhet t’ i kenë edhe kriteret e veta. Qëllimet individuale nuk duhet të anashkalojnë veprimin në të mirë të komunitetit tonë dhe të shoqërisë mikpritëse. Përse të përkrahet një person i cili nuk ka punuar asgjë paraprakisht për shoqërinë e komunitetit në emër të të cilit thirret dhe nga i cili nuk i ka të paktën disa dhjetëra nënshkrime që nuk e mbajnë të njëjtin mbiemër familjar?

Shtetit në të cilin jetojmë, për të cilin jemi më shumë se mirënjohës për mikpritje, do të mund t’i kontribojmë edhe më shumë dhe më mirë me dhënie të mundësive të mirëfillta veprimi në formim shkollor, angazhim kulturor, ekonomik, sportiv, shoqëror dhe politik… Ne jemi të gjithë krenarë me ekipin kombëtar zviceran të futbollit, me 5 zviceranë me gjuhë amtare shqipe, të cilëve u është dhënë mundësia të kontribuojnë në rezultatet e kombëtarës.

Driton M. Kajtazi është Autor, mësimdhënës, si dhe drejtor i Institutit zviceran për studime shqiptare (ISEAL). Referati është mbajtur me rastin e tryezës-debatit UPSH-Albinfo.ch në Lausanne VD, më 31 maj 2011.