Shkurt.ch

Firmat e ballkanasve falimentojnë tri herë më shpesh se ato të zviceranëve!

Shkalla e lartë e falimentimit të këtyre firmave shpjegohet me faktin se migrantët zotërojnë më pak resurse financiare se vendësit. Veç kësaj, ata janë më shpesh të angazhuar në degët ku marzhat e fitimit janë të ulëta

Pesë vjet pas themelimit, gjysma e ndërmarrjeve “zhduken”. Këtë gjendje e konfirmojnë shifrat nga Zyra Federale për Statistikë (BFS). Shumë nga këta “firmaxhinj” dorëzohen që në momentin kur e shohin se nuk munden t`i paguajnë faturat, përcjell gazeta Tages Anzeiger të dhënat nga zyra në fjalë.

Ndërsa sipas zyrës për informata ekonomike  Crif, gjatë dhjetë viteve të fundit rreth 10 për qind të të gjitha ndërmarrjeve të themeluara rishtas kanë falimentuar.

Deri këtu nuk ka diçka të veçantë. Mirëpo, një konstatim në këtë statistikë bën ndryshimin: janë veçanërisht të shumtë ata themelues ndërmarrjesh me prejardhje nga Ballkani, që falimentojnë, transmeton albinfo.ch. Dhe, në krye të kësaj liste janë personat me pasaportë serbe, pra shtetasit  e Serbisë. Ata, në periudhën 2006 deri në gusht 2016 kanë themeluar 4700 firma dhe kanë falimentuar në 1300 raste, që është një kuotë prej 28 për qind. Ndonëse gazeta nuk e shkruan, është e nënkuptueshme se një pjesë e mirë e këtyre shtetasve janë shqiptarë me pasaportë serbe. Kjo sidomos për faktin se bëhet fjalë për periudhën që fillon në vitin 2006, kur shumica e shqiptarëve të Kosovës kishin ende shtetësi serbe.

Një përqindje të ngjashme tregon edhe pasqyra e themelimit dhe pastaj falimentimit të firmave edhe te shtetasit e Maqedonisë, Kroacisë, Bosnjës dhe Turqisë. Ndërsa më së rralli falimentojnë firmat e shtetasve kinezë (4.5%), danezë (6%) dhe britanikë (7.1%).

Është konstatim i Crif se të huajt mare në përgjithësi themelojnë më shpesh ndërmarrje (pavarësohen) se sa shtetasit zviceranë. Dhe , eksperti i njohur i migracionit Gianni D`Amato e ka këtë shpjegim për këtë dukuri. Sipas tij, shanset më të dobëta për të gjetur punë, e sqarojnë trendin në fjalë. “Tregu i punës që e kanë në dispozicion vendësit, është i mbyllur për shumë nga migrantët, përcjell albinfo.ch. Nisur nga kjo, ata provojnë që ta ngrenë ekzistencën e tyre me themelimin e ndërmarrjeve private.

Ndërsa shkalla e lartë e falimentimit të këtyre firmave shpjegohet edhe me faktin se migrantët zakonisht zotërojnë më pak resurse financiare se vendësit. Veç kësaj, ata janë më shpesh të angazhuar në degët si ndërtim, gastronomi ose tregti, ku marzhat e fitimit janë të ulëta, gjë që e bën të vështirë mbijetesën afatgjatë. Për këtë arsye “gipserët”, pronarët e shitoreve të vogla të lagjeve ose berberët me prejardhje të hëj detyrohen të punojnë më gjatë për fare pak para.

Por, siç vëren gazeta, gjenerata e dytë dhe e tretë me prejardhje të huaj nuk tregon interes për punë në këto degë, përcjell albinfo.ch. Kjo për faktin se pjesëtarët e këtyre gjeneratave kanë, sipas rregullit, shkallë më të lartë arsimimi se prindërit ose gjyshërit e tyre dhe në përputhje me këtë nivel, ata kërkojnë vende pune të paguara më mirë se sa brezat e mëparshëm.